Që të mos rrëshqasë këmba pas qëndrimit të saj

Allahu i Madhëruar në Kuran kur flet për betimet për mashtrim, thotë:
“Mos i përdorni betimet tuaja për të mashtruar njëri-tjetrin, që të mos ju rrëshqasë këmba pas qëndrimit të saj (në rrugë të drejtë) dhe t’ju prekë e keqja për shkak të pengimit nga rruga e Allahut dhe të keni një ndëshkim të madh.” Suretu En-Nahl: 94.
Ibn El-Xheuzij -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me fjalën e Allahut; [që të mos ju rrëshqasë këmba pas qëndrimit të saj (në rrugë të drejtë)] thotë: Kjo shprehje i thuhet çdo kujt që bie në bela pasi që ishte i qetë, apo çdo kujt që bie në rreziqe pasi ishte larg tyre.

Ja një shembull i rrëshqitjes nga rruga e drejtë: Ibën Er-Rauendij (i vdekur në vitin 298 H), mohues dhe armik i fesë së Allahut. Ai quhet Ebul-Hasen Ahmed bin Jahja bin Is’hak Er-Rauendij, njeri shumë inteligjent dhe autor i më shumë se 100 librave.

Ibn Rauendij nuk kishte qëndrueshmëri në fe. Ai në fillim ishte mu’tezili (grupim i devijuar që vendos logjikën para fesë), pastaj kaloi te rafiditë (grupim tjetër i devijuar që e teprojnë me Aliun -radiallahu anhu- duke refuzuar çdokënd tjetër veç tij), dhe pastaj e la Islamin dhe shkroi libra kundër fesë së Allahut për disa monedha që i dhanë disa armiq të fesë së Allahut.

Imam Dhehebiu thoshte: Ai shoqërohej me rafiditë dhe me mohuesit e fesë, dhe kur kritikohej për këtë gjë thoshte: Dua të njihem me mendimet e tyre.

Ibn El-Xheuzij -Allahu e mëshiroftë- thoshte: “Kam dëgjuar për të fjalë të rënda (të pabesueshme) derisa i pashë vetë me sytë e mi, dhe kishte gjëra që nuk mund t’i shkojnë kujt ndërmend.”

Ibn Kethiri thotë: Ai u rrit në Bagdad dhe shkruante libra kundër fesë së Allahut. Ai kishte shumë vlera por i përdori ato në punë të dëmshme dhe jo të dobishme, as për në dynja dhe as për në ahiret.

Imam Dhehebiu kur analizonte këtë shembull thoshte:
“E mallkoftë Allahu atë zgjuarsi pa besim, dhe e pranoftë Allahu mendjelehtësinë me përkushtim ndaj Tij.”

Shih biografinë e tij në librin “Sijer Ealam En-Nubela (Biografitë e inteligjentëve të shquar)” i imam Dhehebiut, dhe librin “El-Bidaje uen-Nihaje ( Fillimi dhe Mbarimi)” i imam Ibn Kethirit – Allahu i mëshiroftë.