Ramazani po afron

Shumë shpejt po i  afrohemi muajit të Ramazanit!

Disa gjëra, besimtari duhet ti ketë parasysh gjatë muajit që i paraprin Ramazanit.

Siç është: Kryerja (agjërimi) i Ramazanit të kaluar, pra ai që ka mbi vete ditë të pa agjëruara nga ramazani i kaluar, për arsye udhëtimi, sëmundje apo mestruacionesh etj, le të nxitojë në kryerjen e këtyre ditëve para se ta zërë Ramazani tjetër.

Aisha (Allahu qoftë i kënaqur prej saj) thoshte: Unë kisha ditë të pa agjëruara nga Ramazani dhe nuk kisha mundësi ti kryeja veçse në muajin Shaban (muaji që paraprin Ramazanin). [Buhariu dhe Muslimi].

Duhet ditur se nuk lejohet të kremtohet (festohet) nata e mesit e muajit Shaban apo të veçohet me ndonjë adhurim të posaçëm.

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) për namazin e regaibit në muajin Rexheb, si dhe për namazin e 100 rekateve që falet për natën e mesit të muajit Shaban ka thënë: Këto dy namaze që falen, konsiderohen bidate që duhen refuzuar. [El Mexhmu 3/548].

Në kategorinë e haditheve të dobëta dhe të shpikura që flasin për natën e 15 të muajit Shaban është edhe ky hadith:

“Kur të jetë nata e mesit e muajit Shaban, ngrihuni të faleni gjatë natës dhe agjëroni gjatë ditës. [Vargu i haditheve të dobëta me nr 2132].

Shejh Albani për këtë hadith ka thënë: Hadith shumë i dobët ose hadith i shpikur.

Gjithashtu është edhe hadithi tjetër ku thuhet: Në këto pesë netë, lutjet nuk kthehen mbrapsh: Natën e parë të muajit Rexheb, natën e mesit të muajit shaban, natën e xhuma, natën e fitër bajramit dhe natën e kurban bajramit. [Vargu i haditheve të dobëta me nr 1452].

Shejh Alabi ka thënë: Ky hadith është i shpikur.

Shejh ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Të gjitha hadithet e transmetuara rreth kësaj nate, janë të shpikura, të dobëta dhe nuk kanë kurrëfarë origjine.

Po ashtu, kur të vijë fundi i muajit Shaban, nuk lejohet që dikush të agjërojë dhe ta presë ramazanin duke agjëruar një ditë apo dy ditë para tij.

Me përjashtim nëse kjo përkon me agjërimin e dikujt që e praktikonte rregullisht, apo kur dikush është duke kryer ditë nga Ramazani i kaluar.

Këtë e themi duke u bazuar në fjalën e Profetit (alejhi selam) që thotë: Mos e prisni Ramazanin duke agjëruar një apo dy ditë para tij, me përjashtim të dikujt që agjëron rregullisht. Ai le të agjërojë!

Nuk ka problem nëse njerëzit urojnë njëri tjetrin për ardhjen e muajit Ramazan, për shkak të mirësive dhe begative që gjenden në këtë muaj.

Përgatiti: Zad Group

Përktheu: Fatjon Isufi