Rëndësia e njohjes së emrave dhe cilësive të Allahut

November 28, 2024

Rëndësia e njohjes së emrave dhe cilësive të Allahut, adhurimi i Tij përmes tyre dhe ndikimi i kësaj në zemrën e besimtarit!

Allahu i Lartësuar ka thënë:

“ولله الأسماء الحسنى فادعوه بها وذروا الذين يلحدون في أسمائه”

“Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to dhe largohuni nga ata që i shtrembërojnë emrat e Tij.”

Shejh Sea’di ka thënë: “Thelbi i teuhidit është pohimi i asaj që Allahu ka pohuar për Veten e Tij, ose asaj që i Dërguari i Tij ka pohuar për Të prej emrave të bukur, njohja e domethënieve madhështore dhe njohurive të hijshme që përmbajnë këta emra, si dhe adhurimi i Allahut dhe lutja e Tij përmes tyre.
Prandaj, çdo kërkesë që besimtari i drejton Zotit të tij për çështjet e fesë dhe të kësaj bote, le t’i drejtohet me një emër që është i përshtatshëm nga emrat e bukur të Allahut.
Nëse ai e lut për furnizim le ta thërrasë me emrin e Tij Er-Rezzak (Furnizuesi); për mëshirë dhe falje me emrat Er-Rrahim, Er-Rrahman, El-Berr, El-Kerim, El-Afuv, El-Gafur, Et-Tewab dhe të ngjashëm.

Më e mira është që njeriu t’i lutet Allahut me emrat dhe cilësitë e Tij përmes lutjes së adhurimit duke i përjetuar kuptimet e emrave më të bukur, derisa zemra të ndikohet nga gjurmët dhe domethëniet e tyre dhe të mbushet me njohuritë më madhështore.

Për shembull: Emrat që tregojnë madhështinë, krenarinë, lavdinë dhe madhërinë mbushin zemrën me madhërim dhe respekt të thellë ndaj Allahut.

Emrat që tregojnë bukurinë, bamirësinë, mëshirën dhe bujarinë mbushin zemrën me dashuri për Allahun, mallin për Të, falënderimin dhe mirënjohjen ndaj Tij.

Emrat që tregojnë krenarinē, urtësinë, diturinë dhe fuqinë, e mbushin zemrën me përulje dhe nënshtrim të thellë para Tij.

Emrat që tregojnë diturinë, njohjen, gjithëpërfshirjen dhe mbikqyrjen absolute e mbushin zemrën me vetëdije për mbikqyrjen e Allahut në çdo lëvizje dhe gjendje, duke mbrojtur mendimet nga idetë e këqija dhe qëllimet e prishura.

Emrat që tregojnë për pasurinë dhe butësinë e mbushin zemrën me ndjenjën e nevojës së thellë për Allahun dhe varësisë së plotë ndaj Tij në çdo kohë dhe gjendje.

Këto njohuri që i arrin zemra përmes njohjes së emrave dhe cilësive të Allahut dhe adhurimit të Tij përmes tyre, janë dhurata më e madhe që besimtari mund të fitojë në këtë botë. Ky është thelbi dhe shpirti i teuhidit.
Cilitdo që i hapet kjo derë atij i është hapur dera e teuhidit të veçantë dhe e imanit të plotë, i cili arrihet vetëm nga ata që janë të përsosur në teuhid.
Ndërkohë që pohimi i emrave dhe cilësive të Allahut është baza për këtë arritje madhore.
Sa për shtrembërimin e emrave dhe cilësive të Allahut, ky është kundërshtimi më i madh i këtij qëllimi madhështor.”

Marrë nga libri: “El kaul es-sedid fi mekasid et-teuhid”, fq. 151.

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...