Rregullat e përsosura në lidhje me emrat e mirë të Allahut dhe cilësitë e Tij të larta – (1)

 

 

 

 

Rregullat e përsosura në lidhje me emrat e mirë të Allahut dhe cilësitë e Tij të larta – (1)

 

 

Parathenia e autorit:

 

Falënderoj Allahun, Atij i takojnë falënderimet, Atij i kërkojmë ndihmë dhe falje, tek Ai pendohemi. I kërkojmë të na ruajë nga e keqja e punëve dhe veteve tona. Atë që Allahu e udhëzon s`ka kush ta humbasë dhe atë që Allahu e humbet s`ka kush ta udhezojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. Salavatet dhe selamet qofshin për të, familjen e tij shokët e tij dhe gjithë besimtarët që e pasojnë me mënyrën më të mirë deri Ditën e Gjykimit.

 

Besimi në emrat dhe në cilësitë e Allahut është një nga shtyllat e besimit tek Allahu, të cilat janë: Besimi në ekzistencën e Allahut, besimi në rrububijen e Tij, besimi në uluhijen e Tij, besimi në emrat dhe cilësitë e Tij. Njehsimi i Allahut ne këtë shtyllë është njëri nga tri llojet e teuhidit, ndaj vlera fetare e kësaj çështjeje është madhështore dhe me rëndësi të madhe  sepse askush nuk mund ta adhurojë Allahun në mënyrën më të mirë derisa t’i njohë emrat e Allahut dhe cilësitë e Tij, Allahu ka thënë: “Allahut I takojne emrat me te mire ndaj lutjuni Atij me to” (Araf 180). Kjo përfshin lutjen kërkesë dhe lutjen adhurim.

 

Lutja kërkesë është t’i paraprish kërkesës tënde duke përmendur emrat e Allahut që janë më të përshtatshem me atë që do të kërkosh si p.sh.: o Mëkat-falës me fal mua, o Mëshirues më mëshiro mua, o Ruajtës më ruaj mua, etj si këto.

 

Lutja adhurim është t’i bësh Allahut ibadet sipas asaj që kërkohet nga këto emra (sipas rrjedhojës së tyre) si p.sh. të pendohesh tek Allahu sepse Ai është Teuab (pranuesi i pendimit), ta përmendesh me gjuhën tënde sepse Ai është Dëgjuesi (es-Semiu) t’i bësh adhurim me gjymtyrët e tu sepse Ai është Shikuesi (el Besiru), t`ia kesh frikën kur je vetëm larg syve të njerëzve sepse Ai është el-Latif el kHabir (njohesi i çdo gjëje në hollësi), e kështu me rradhe.

 

Për shkak të kësaj pozite të rëndësishme si dhe për shkak se njerëzit flasin rreth kësaj teme nganjëherë duke ia qëlluar dhe nganjëherë duke folur me të kotë, gjë e cila buron nga injoranca ndonjëherë ose nga fanatizmi partiak ndonjëherë tjetër, ndaj dëshirova që të shkruaja rreth kësaj teme disa rregulla që mu dha mundësia duke shpresuar nga Allahu që ta bëjë këtë punë timen të sinqertë vetëm për hir të Tij në përputhje me kënaqësinë e Tij dhe të jetë e dobishme për robërit e Tij. E titullova këtë libër: “el Kauaidul muthla fi sifatilahi teala ue esmaihil husna” (Rregullat e përsosura rreth cilësive të Allahut dhe emrave të Tij të mirë).

Rregulli i parë: Të gjithë emrat e Allahut janë të mirë në përsosmëri, d.m.th. janë në kulminacionin e të mirës së përkryer. Allahu ka thënë: “Allahut i takojnë emrat më të mirë” (Araf 180). Kjo për vetë faktin se këto emra përmbajnë në vetvete cilësi të përsosura ku nuk ekziston mangësi në asnjëlloj aspekti, as të supozuar e as të nënkuptuar.

 

Shembulli i kësaj: el Hajju (i Gjalli) është emër nga emrat e Allahut, që përmban cilësinë e jetës së përsosur e cila nuk është paraprirë nga mos-ekzistenca (nga asgjëja) dhe as nuk mbaron kurrë. Jeta e përsosur që ka si rrjedhojë cilësi të tjera të përkryera si dituria, fuqia, dëgjimi, shikimi, etj.

 

Shembull tjetër: el Alijm (i Gjithëdijshmi) është emër nga emrat e Allahut i cili përmban cilësinë e diturisë së përsosur, dituri e cila nuk është paraprirë nga injoranca dhe as nuk ndodh në të harresë. Allahu ka thënë: “Dituria rreth këtyre (popujve te mëparshëm) është tek Zoti im në një Libër. Zoti im nuk gabon dhe as nuk harron” (Taha: 52).

 

Dituria e gjerë përfshirëse e çdo gjëje në mënyrë të përgjithshme dhe në detaje të hollësishme, qoftë kjo dituri që ka të bëjë me veprimet e Tij apo me veprimet e krijesave të Tij. Allahu ka thënë: “Tek Ai janë çelësat e fshehtësisë, nuk i di askush përveç Tij. Ai di mirë çfarë ka dhe ndodh në tokë e në det. Çdo gjethe që bie Ai e di. Çdo grimcë në errësirat (thellësitë) e tokës, çdo gjë e thatë apo e njomë, janë të gjitha të shënuara në një libër të qartë” (Enam 59) dhe ka thënë: “Çdo gjallesë në tokë tek Allahu e ka furnizimin, Ai e di vendqëndrimin e saj dhe përfundimin e saj. Çdo gjë është e shënuar në një Libër të qartë” (Hud 6) dhe ka thënë: “Ai e di çfarë ka dhe ndodh në qiej dhe tokë, e di çfarë fshihni në vete dhe shfaqni. Allahu është i Gjithëdijshëm për atë që fshihet në zemër” (Tegabun 4).

 

Shembulli i tretë: err-Rrahman (i Gjithëmëshirshmi) është emër nga emrat e Allahut i cili përmban cilësinë e mëshirës së përsosur për të cilën Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- ka thënë: “Allahu është më  mëshirshëm me robërit e Tij se sa kjo me fëmijën e saj”, d.m.th. nëna e një foshnje të vogël që e gjeti fëmijën e saj ndër robërit e luftës, e mori, e përqafoi dhe filloi ta ushqente me gji.

 

Ky emër përmban mëshirën gjithëpërfshirëse për të cilën Allahu ka thënë: “Mëshira Ime ka përfshirë çdo gjë” (Araf 156) dhe ka thënë duke treguar për duanë që bëjnë engjëjt për besimtarët: “Zoti ynë ke përfshirë çdo gjë me mëshirën dhe diturinë Tënde” (Gafir 7).

 

Mirësia e përkryer në emrat e Allahut ka të bëjë qoftë duke e marrë çdo emër në vecanti, po ashtu duke e bashkangjitur me ndonjë emër tjetër duke na dhënë përsosmëri mbi përsosmëri.

 

Shembulli i kësaj: el Azizu (Krenari) el Hakimu (më i Urti). Këto dy emra, Allahu i përmend së bashku shpesh në Kuran. Secili prej tyre tregon për përsosmërinë specifike të asaj cilësie më vete siç është krenaria tek el Aziz dhe gjykimi e urtësia tek el Hakim. Bashkimi ndërmjet këtyre dy emrave tregon për një përsosmëri tjetër e cila është se krenaria e Tij është e shoqëruar me urtësinë, ndaj krenaria e Tij nuk shkakton padrejtësi dhe veprime të padenja. Po ashtu gjykimi i Allahut dhe urtësia e Tij janë të shoqëruara me krenarinë absolute ndryshe nga ç`ndodh me gjykimin e krijesave apo urtësinë e tyre që mund tu ndodhë nënçmim dhe përçmim.

 

Vazhdon . . .

 

Autor: Muhamed bin Salih el Uthejmin

Përktheu: Shuajb Rexha