Rregullat e sehvi sexhdes (sexhdes së harresës).

November 21, 2015

Rregullat e sehvi sexhdes (sexhdes së harresës).

Duke qenë se namazi është vepra më e dashur tek Allahu i Madhëruar, atëherë njeriu që falet nuk mund ti shpëtojë shejtanit të mallkuar pa i hedhur vesvese në të, sepse prej adetit të tij është pengimi i birit të Ademit nga çdo punë e hajrit.

Profeti -alejhi selam- thotë: “Kur dikush prej jush ngrihet për tu falur, i vjen shejtani dhe ia ngatërron namazin derisa nuk di sa ka falur. Nëse dikujt prej jush i ndodh kjo gjë, të bëjë dy sexhde duke qenë ulur” Mutefekun alejhi.

Profeti -alejhi selam- nëpërmjet këtij hadithi na tregon për shkakun e harresës në namaz që është shejtani dhe çduhet të bëjmë në rast se ndodhë që harrojmë në namaz.

Sehvi sexhdja (sexhdja e harresës) është detyrë për atë që ka harruar në namaz dhe këtë e tregon porosia e Profetit (alejhi selam) në këtë hadith dhe gjithashtu edhe praktika e tij, duke mos e lënë atë, sa herë që ka harruar diçka nga namazi -siç thotë Sheikhul-Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë)- dhe për një shtjellim më të mirë të sehvi sexhdes, të ndjekim si më poshtë:

Llojet e harresës, rregullat përkatëse dhe kur bëhet sehvi sexhdja?

1- Kur harron diçka nga namazi dhe del prej tij.

Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon: “Profeti -alejhi selam- në faljen e një prej namazeve të pasdites, fali dy rekate dhe dha selam. Pastaj u ngrit dhe u mbështet pas një druri në xhami sikur të ishte i zëmëruar dhe vendosi dorën e djathtë mbi të majtë dhe përthuri gishtat dhe vendosi faqen e tij të djathtë mbi shpinën e dorës së majtë dhe ndërkohë dolën nga xhamia ata që shpejtonin dhe thanë: u shkurtua namazi.

Aty ishin Ebu Bekri dhe Omerin dhe nuk folën nga ndrojtja. Aty ishte dhe një burrë që quhej Dhul-Jedejn sepse kishte duart e gjata dhe thotë: o i Dërguari i Allahut, harrove apo u shkurtua namazi?

Profeti -alejhi selam- i tha: as nuk harrova dhe as nuk është shkurtuar. Pastaj profeti -alejhi selam- pyeti: e vërtetë është ajo që thotë Dhul-Jedejni? Ata (njerëzit) thanë: Po!

Atëherë Profeti -alejhi selam- u ngrit, fali atë që la dhe dha selam. Pastaj mori tekbir dhe ra në sexhde si sexhdja e namazit apo më gjatë, pastaj ngriti kokën dhe

mori tekbir, pastaj mori tekbir dhe ra në sexhde si sexhja e namazit apo më gjatë, pastaj ngriti kokën dhe mori tekbir dhe pastaj dha selam” Mutefekun alejhi.

Imran bin Husajn tregon: “Profeti -alejhi selam- fali njëherë ikindinë dhe dha selam pas tre rekatesh, pastaj u fut në shtëpinë e tij. Një burrë që quhej El-Khirbak dhe i kishte duart e gjata i tha: O i dërguari i Allahut, duke i përmendur atë që bëri. Ai doli i zëmruar duke tërhequr rrobën e tij derisa erdhi te njerëzit dhe pyeti: e vërtetë është kjo që tha? Ata i thanë: po. Profeti -alejhi selam- fali një rekatë pastaj dha selam, pastaj bëri dy sexhde pastaj dha selam” e transmeton Muslimi.

Këto dy hadithe tregojnë se kur harrohet diçka nga namazi dhe del prej tij, duhet të kthehesh përsëri në namaz për të falur atë që ke lënë (dhe jo ta nisësh namazin nga fillimi) dhe pasi të japësh selam të bësh dy sexhde.

2- Kur shton në namaz.

Abdullah bin Mesudi -radiallahu anhu- tregon: “Profeti -alejhi selam- fali njëherë drekën pesë rekate dhe e pyetën: Është shtuar namazi? Profeti -alejhi selam- pyeti: si është puna? Ata i thanë: ke falur pesë rekate. Atëherë profeti -alejhi selam- bëri dy sexhde pasi që kishte dhënë selam” Mutefekun alejhi.

Ky hadith tregon se nëse shtohet në namaz çfarëdo qofshin ato sexhde apo rekate atëherë është detyrë për të të bëje dy sexhde dhe sexhdet në këtë rast duhet të jenë pas selamit.

3- Kur harron teshehudin e parë.

Abdullah bin Buhajne -radiallahu anhu- tregon: “Profeti -alejhi selam- fali njëherë drekën dhe u ngrit pas dy rekateve pa u ulur. Atëherë njerëzit u ngritën pas tij dhe kur mbaroi namazin dhe po prisnin të jepte selam, mori tekbir dhe bëri sexhde para se të jepte selam pastaj dha selam” Mutefekun alejhi.

Ky hadith tregon se teshehudi i parë edhe pse është detyrë, nuk është prej bazave të namazit siç është leximi i fatihasë, rukuja, sexhdja etj. Prandaj, kur ai (teshehudi i parë) harrohet, nuk është kusht që të plotësohet, siç veproi Profeti alejhi selam me rekatet e harruara dhe mjaftojnë në këtë rast dy sexhdet e harresës të cilat në këtë rast janë para selamit.

Mirëpo nëse njeriu kujtohet ose e kujtojnë të tjerët para se të ngrihet plotësisht atëherë kthehet dhe e plotëson teshehudin siç ka ardhur nga El-Mugira bin Shube -radiallahu anhu- i cili tregon: “Profeti -alejhi selam- na ka falur njëherë namazin dhe u ngrit në këmbë pa ulur për teshehud dhe vazhdoi në namazin e tij. Ai kur mbaroi, bëri dy sexhde duke qenë ulur dhe pastaj tha: Kur dikush prej jush falet dhe ngrihet pa u ulur për teshehud, nëse nuk është ngritur plotësisht të ulet dhe nuk ka për detyrë dy sexhdet dhe nëse ngrihet plotësisht atëherë të vazhdojë namazin dhe të bëjë dy sexhde duke qenë ulur ” e transmeton Ebu Daudi, Ibn Maxhe, Tahauij dhe e saktëson sheikh Albani.

Dhe kështu në këtë rast nuk bëhet sehvi sexhde se namazi u rregullua pa kaluar te bazat e tjera.

4- Kur nuk e di sa ke falur dhe merr për bazë më të paktën.

Ebu Said El-Khudrij -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kur dikush prej jush dyshon në namaz dhe nuk di sa ka falur tre apo katër, atëherë ta largojë dyshimin dhe të ndërtojë namazin mbi atë që ka siguri, pastaj të bjerë në sexhde para se të japë selam, sepse nëse ka falur pesë, ato ia çiftëzojnë namazin dhe nëse ka falur për të plotësuar katër rekate, ato poshtërojnë shejtanin” e transmeton Muslimi.

Ky hadith tregon se kur njeriu dyshon në namaz në numrin e rekateve apo të sexhdeve, atëherë duhet të ndërtojë namazin mbi atë që është e sigurte e cila është më e pakta dhe në këtë rast ai sexhdet e harresës i bën para selamit.

5- Kur dyshon sa ke falur dhe merr për bazë atë që e sheh më të saktë.

Në hadithin e Ibn Mesudit të lartpërmendur është edhe kjo shtesë ku Profeti -alejhi selam- thotë: “Kur të dyshojë dikush prej jush në namazin e tij, të mundohet për të gjetur se kush është e sakta, pastaj të plotësojë namazin, pastaj të japë selam dhe pastaj të bëjë dy sexhde” mutefekun alejhi.

Ky hadith tregon se nëse njeriu gjatë namazit dyshon në numrin e rekateve apo sexhdeve, atëherë duhet të mundohet të gjejë se sa ka falur dhe nëse zemra atij anon më shumë nga njëra anë, atëherë ta marrë për bazë atë dhe të plotësojë çfarë mbetet dhe sexhdet në këtë rast i ka pas selamit.

Ndryshimi i këtij rasti nga rasti i lartpërmendur është se këtu njeriu anon nga njëra anë e dyshimit më shumë se tjetra, kurse në rastin tjetër dyshimi në të dyja anët e tij ishte i barabartë sa nuk arriti dot të anojë nga njëra anë më shumë se tjetra.

Shkroi Dr Abdullah Nebolli

 

Loading...