Lutja kur çel iftarin

May 31, 2017

Ka një lutje që muslimani duhet ta bëjë çdo ditë në momentet e përfundimit të agjërimit, dhe ajo është tek duaja profetike: “Shkoi etja, u lagën venat, dhe mbeti shpërblimi në dashtë Allahu.”[1]
Kjo dua na mëson disa gjëra:

E para: “Pas vështirësisë vjen lehtësimi.” [Suretu esh Sherh: 5] Pas agjërimit vjen çelja.

“Fitorja është me durimin.”[2] Shpirti e mundi trupin, ëngjëllorja shtazoren, dhe pas mundit vjen shpërblimi.

E dyta: Kujto largimin tënd nga kjo botë. Sado të shumta të jenë mundimet e kësaj bote, sado vështirësi të ketë, ato dikur largohen dhe mbarojnë së bashku me jetën tënde. Ajo që mbetet është puna jote, qoftë e mirë apo e keqe. Vuajtjet harrohen, etja kalon, trupit i rikthehet gjallëria dhe mbetet vetëm shpërblimi tek Allahu.
“…ajo që gjendet tek Allahu është më e mirë për ju, sikur ta dinit! Ajo që është tek ju zhduket, ndërsa ajo që është tek Allahu mbetet, dhe Ne do t’i shpërblejmë ata që duruan sipas veprës më të mirë që kanë bërë.” [Suretu en Nahl: 95-96]
“Pasuria dhe fëmijët tuaj janë stoli të jetës së kësaj bote, por veprat e mira që mbeten janë më të mira tek Zoti yt dhe janë shpresa më e mirë.”
[Kehf: 46]

Kjo botë do të kalojë, por mundi yt në të për hir të Allahut nuk harrohet por do të shpërblehesh për të. Atë ditë kur të takohesh me Zotin tënd do të gëzohesh ashtu siç u gëzove në çastet e çeljes së iftarit. Aty do të harrosh jo një brengë, por gjithë brengat e dynjasë. Njësoj si ai njeriu më i raskapitur në dynja, por që në Ahiret është prej banorëve të Xhenetit. Futet vetëm një çast në të dhe nxirret, e pastaj pyetet: O robi im, a ke parë ndonjëherë vështirësi në jetën tënde? Thotë: Jo o Zot, pasha Madhërinë Tënde! Kurrë s’kam parë ndonjë të keqe në jetë![3]  – I harroi të gjitha hallet e dynjasë me një çast në Xhenet.

E treta: Mirësitë nuk arrihen pa mundim. Suksesi kërkon përpjekje dhe sakrifica. Xheneti, vendi i lumturisë dhe përjetësisë, është i rrethuar me vështirësi. Allahu lehtëson dhe i jep sukses atij që përpiqet për të me sinqeritet dhe vullnet. “Prandaj duro, sepse përfundimi i mirë është për të devotshmit.” [Suretu Hud: 49]

Allahu na dhëntë sukses për vepra të mira dhe na i pranoftë ato me bujarinë e Tij të madhe!

 

Shkroi: Emin Bilali

————————————————–

[1] “Sahih sunen Ebi Daud” 2066.

[2] Shiko “40 hadithet e Imam Neueuij”.

[3] Muslimi, 2809.

Dosje: ,

Loading...