Sekti i pretenduesve si “Ndjekësit i Kuranit”

December 6, 2013

Pyetje: “Ekziston një xhemat të cilët e emërtojnë veten e tyre “El Kuranijun”(“Ndjekësit e Kuranit”). Këta nuk marrin (nuk punojnë) me asgjë tjetër pos vetëm me Kuran. A gjykohet se ata janë kufarë?”

Shejhu i nderuar Salih el Feuzani (Allahu e ruajtë!) përgjigjet:
Po, nuk ka dyshim në kufrin e tyre. Ata janë gënjeshtarë në atë që thonë se “nuk punojmë vetëm se me Kuran”. Por Kurani na ka urdhëruar që ta pasojmë të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. E prej pasimit të të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, është dhe të punuarit me Sunetin e tij.[1]

Kështu sepse Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit në mënyrë që të mëshiroheni.”[2]

Po ashtu thotë: “E nëse i bindeni atij do të jeni të udhëzuar.”[3]

Gjithashtu ka thënë: “Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit.”[4]

I Madhëruari thotë: “Atë çka ju jep i Dërguari merreni, e nga ajo që ai ju ndalon, largohuni prej saj.”[5]

Kurani përmban gjëra të përgjithshme që nuk i shpjegon vetëm se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në Sunetin e tij. Allahu i Lartmadhëruar ka përmendur në Kuran namazin dhe faljen e tij. Por, a na ka sqaruar neve numrin e rekateve të namazit të drekës, ikindisë, akshamit, jacisë dhe të sabahut?

A na ka sqaruar Kurani këtë gjë? Kjo është sqaruar në Sunetin e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në fjalën e tij, që thotë: “Faluni ashtu siç më shihni mua duke u falur.”[6]

Po ashtu, në Kuran përmendet zekati dhe urdhri për dhënien e tij. Por, a e ka sqaruar Kurani nisabin e zekatit dhe sasinë që merret prej pasurive, nga e cila nxirret zekati? Të gjithë këtë e ka sqaruar i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Pra, Suneti është sqaruesi (treguesi) i Kuranit. Prandaj (nisur nga kjo), ai që nuk punon me Sunet, nuk ka punuar as me Kuran.

Po ashtu, ka disa gjëra që nuk përmenden në Kuran, por me to ka ardhur Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe në to gjithashtu ka urdhëruar, si: ndalimi i martesës së një burri me gruan dhe njëkohësisht (nën një kurorë) edhe me tezen e saj, po ashtu martesa e një burri me gruan dhe njëkohësisht (nën një kurorë) edhe me hallën e saj.

Kjo nuk përmendet në Kuran. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem bashkimin e një burri me një grua dhe po ashtu edhe me hallën e saj apo tezen e saj,[7] e ka shtuar (sqarimin) në Sunetin e tij. Prandaj është detyrë për ne të punuarit me Sunet, siç është (detyrë) të punuarit me Kuran. “Atë çka ju jep i Dërguari merreni, e nga ajo që ai ju ndalon, largohuni prej saj.”

Për El Kuranijunët ka treguar Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i cili nuk flet nga vetja, duke thënë: “Nuk është e largët koha kur personi i ngopur dhe i ulur në kolltukun e tij të thotë: “Mes nesh dhe jush është Libri i Allahut, çfarë gjejmë në të hallall, konsiderojmë hallall dhe çfarë gjejmë në të haram, e konsiderojmë haram…”

Pastaj, ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Mua më është dhënë Kurani e më është dhënë edhe njëherë sa ai.”[8]

Pra, Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na ka lajmëruar në lidhje me ta (El Kuranijunët) dhe na ka paralajmëruar prej tyre.”

Burimi: “Mësime nga shpjegimi i librit “Zhvlerësuesit e Islamit”

Fusnotat:

[1] Ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “U kam lënë dy gjëra, për sa kohë të kapeni pas tyre, nuk do humbisni: Librin e Allahut dhe sunetin e të Dërguarit të Tij.” Në “Mishkatul Mesabih” (1/66/187). Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Të kapurit pas Litarit të Allahut bëhet duke punuar me sunetin, i cili është sqarues i Kuranit Fisnik.” [Sh.p.]

[2][2] Al Imran, 132.

[3] En Nur, 54.

[4] En Nisa, 59.

[5] El Hashr, 7.

[6] Buhariu (631) nga hadithi i Malik bin El Huvejrith (radijAllahu anhu!).

[7] I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sle-lem) ka thënë: “Nuk lejohet bashkimi (në martesë) i një gruaje dhe hallës së saj, apo i një gruaje dhe tezes së saj.” Buhariu, kapitulli i martesës, tema: “Nuk bashkohet në martesë gruaja dhe halla e saj”, me nr. (5109). Gjithashtu e transmeton Muslimi në kapitullin me të njejtin titull, tema: “Moslejueshmëria e bashkimit në martesë midis gruas dhe hallës së saj”, me nr. (1408). [Sh.p.]

[8] Imam Ahmedi (17174 dhe 17194), Ebu Daudi (4604), Tirmidhiu (2664) dhe Ibën Maxhe (12).

Loading...