Shami dhe besimtarët e krishterë

Shami dhe besimtarët e krishterë.

(Vijim i temës: Shami është vendi i besimit)

 Të krishterët janë pasuesit e Isait -alejhi selam, profetit të fundit të Beni Israilëve i cili u dërgua tek ata për rregullimin e gjendjes pas përkeqësimit të saj.

Koha pas Sulejmanit -alejhi selam- dhe para dërgimit të Isait -alejhi selam- ishte kohë e errët për Beni Israilët, sepse prej tyre u panë kundërshtime të mëdha.

Në Kuran janë përmendur disa kundërshtime të Beni Israilëve me të cilat ata humbën veçoritë dalluese ku prej tyre janë:

1 – Shkelja e udhëzimeve të Teuratit dhe ndryshimi i tij.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

فَبِمَا نَقْضِهِمْ مِيثَاقَهُمْ لَعَنَّاهُمْ وَجَعَلْنَا قُلُوبَهُمْ قَاسِيَةً يُحَرِّفُونَ الْكَلِمَ عَنْ مَوَاضِعِهِ

“Për shkak të thyerjes së besës së tyre i mallkuam ata dhe ua bëmë zemrat e ngurta, duke ndryshuar fjalët nga vendi i tyre.” Suretu En-Nisa: 155.

Thyerja e besës e përmendur në këtë ajet është shkelja e ligjeve të Teuratit për të cilin ata u kishin dhënë besën profetëve se do t’i përmbaheshin udhëzimeve të tij, ndërsa ndryshimi i fjalëve është ndryshimi i ligjeve të Teuratit.

Ky përshkrim do të thotë se Beni Israilët herë i shkelnin ligjet e Teuratit qartazi e herë i ndryshonin ato për t’a fshehur shkeljen që të duket se në veprat e tyre ka përputhje me ligjet e tij. Kjo është më e keqja në të cilën ata ranë gjatë kohës së fundit të tyre.

2 – Vrasja e profetëve dhe luftimi i besimtarëve të sinqertë.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

إِنَّ الَّذِينَ يَكْفُرُونَ بِآيَاتِ اللَّهِ وَيَقْتُلُونَ النَّبِيِّينَ بِغَيْرِ حَقٍّ وَيَقْتُلُونَ الَّذِينَ يَأْمُرُونَ بِالْقِسْطِ مِنَ النَّاسِ فَبَشِّرْهُمْ بِعَذَابٍ أَلِيمٍ

“Ata të cilët mohojnë ajetet e Allahut, vrasin pa të drejtë profetët dhe vrasin ata që urdhërojnë për në të drejtën prej njerëzve, përgëzoi me një dënim të dhembshëm.” Suretu Ali Imran: 21.

Në librat e tefsirit thuhet: Kur i vinte shpallja ndonjërit prej profetëve të Beni Israilëve, por pa libër, ngrihej për t’i përkujtuar Beni Israilët dhe vritej. Pastaj ngriheshin njerëz prej ndjekësve dhe besimtarëve të tij për t’i përkujtuar ata por vriteshin gjithashtu prej tyre.[1]

Ky përshkrim tregon se Beni Israilët me kalimin e kohës u shndërruan në armiq të profetëve dhe ndjekësve të tyre, madje në kulmin e armiqësisë duke vënë edhe dorë mbi ta dhe mbi besimtarët e sinqertë.

3 – Rreshtimi përkrah idhujtarëve

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

تَرَى كَثِيرًا مِنْهُمْ يَتَوَلَّوْنَ الَّذِينَ كَفَرُوا لَبِئْسَ مَا قَدَّمَتْ لَهُمْ أَنْفُسُهُمْ

“Sheh shumë prej tyre duke u miqësuar me ata të cilët kanë mohuar. Sa punë të keqe bënin ata për vetet e tyre!” Suretu El-Maide: 80.

Ky përshkrim tregon për humbje pushteti nga ana e Beni Israilëve në favor të popujve të tjerë idhujtarë të asaj kohe, dhe ata për të ruajtur ndonjë pozitë të tyren miqësoheshin me kundërshtarët, qoftë kjo edhe në kundërshtim të fesë dhe kundër njerëzve të tyre.

Kjo është gjendja në të cilën përfunduan Beni Israilët para Isait -alejhi selam- duke humbur kështu të gjitha vlerat me të cilat Allahu i Madhëruar i dalloi mes gjithë njerëzve të asaj kohe. Për përmirësimin e kësaj gjendje u dërgua Isai -alejhi selam- i cili konsiderohet një prej profetëve më të mëdhenj të tyre, mirëpo kjo gjë veçse ua shtoi edhe më shumë arrogancën dhe ata tentuan vrasjen e tij siç kishin bërë edhe me të tjerë më para. Isain -alejhi selam- e shpëtoi Allahu i Madhëruar prej kurtheve të tyre, siç thuhet në Kuran:

وَمَكَرُوا وَمَكَرَ اللَّهُ وَاللَّهُ خَيْرُ الْمَاكِرِينَ * إِذْ قَالَ اللَّهُ يَاعِيسَى إِنِّي مُتَوَفِّيكَ وَرَافِعُكَ إِلَيَّ وَمُطَهِّرُكَ مِنَ الَّذِينَ كَفَرُوا وَجَاعِلُ الَّذِينَ اتَّبَعُوكَ فَوْقَ الَّذِينَ كَفَرُوا إِلَى يَوْمِ الْقِيَامَةِ

“Ata kurdisen planet e tyre dhe Allahu kurdisi planin e Tij, mirëpo plani i Allahut ishte më i fortë. Atëherë Allahu i tha: O Isa, Unë do të marr ty dhe do të ngre pranë Meje. Unë do të pastroj nga ata të cilët mohuan dhe do t’i bëj ngre ata që të ndoqën ty mbi ata që mohuan deri në ditën e Kiametit.” Suretu Ali Imran: 54-55.

Beni Israilët me këtë qëndrim ndaj Isait -alejhi selam- kaluan nga rrethi i besimit në rrethin e mohimit, me përjashtim të atyre që ndoqën Isain -alejhi selam- ose thënë ndryshe besimtarët e krishterë, dhe këtu fillon ndarja e tyre nga Beni Israilët.

Përhapja e krishtërimit në Sham.

Isai -alejhi selam- gjatë kohës që ftoi Beni Israilët në rrugën e Allahut, edhe pse thirrja e tij u refuzua nga një pjesë e tyre, ndjekësit e tij të cilët quhen havarinjë[2] i’a dhanë atij besën për përkrahje siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:

فَلَمَّا أَحَسَّ عِيسَى مِنْهُمُ الْكُفْرَ قَالَ مَنْ أَنْصَارِي إِلَى اللَّهِ قَالَ الْحَوَارِيُّونَ نَحْنُ أَنْصَارُ اللَّهِ آمَنَّا بِاللَّهِ وَاشْهَدْ بِأَنَّا مُسْلِمُونَ

“Isai kur pa prej tyre mohimin (prej Beni Israilëve), tha: Kush janë përkrahësit e mi në rrugën e Allahut? Havarinjtë i thanë: Ne jemi përkrahësit e çështjes së Allahut. Ne e besojmë Allahun dhe ti dëshmo për ne se jemi robër të dorëzuar.” Suretu Ali Imran: 52.

Këta havarinjë pas largimit të Isait -alejhi selam- përcollën tek njerëzit Inxhilin, librin e Allahut dhe besimin e Isait -alejhi selam, dhe së bashku me pasuesit e tyre arritën t’a përhapin atë në Sham dhe jashtë tij.

Dijetarët e historisë Islame dhe të tefsirit të Kuranit përmendin në librat e tyre pesë qendra ku u përhap krishtërimi: Kudsi ose ndryshe Jerusalemi i cili është vendi ku jetoi Isai -alejhi selam, Antakija, Aleksandria, Kostandinopoja dhe Roma. Dy nga këto qendra janë pjesë e Shamit: Kudsi dhe Antakija, madje Antakija njihet si qyteti i parë i cili ndoqi besimin e Isait -alejhi selam, ndërsa të tjerat janë jashtë Shamit: Egjipt, Azi e Vogël dhe Evropë.[3]

Rreth të krishterëve të parë nuk dihet shumë, sepse ata ishin të detyruar t’a fshihnin besimin për shkak se përndiqeshin dhe dhunoheshin si nga hebrenjtë ashtu edhe nga romakët idhujtarë që sundonin në atë kohë. Shihet një tendencë për t’u përhapur jashtë Shamit në vende të cilat nuk e kishin trashëgimi njësimin e Allahut siç e kishin Beni Israilët.

Përzierja e krishtërimit me idhujtari.

Në kohën e Isait -alejhi selam- i gjithë pellgu i Mesdheut në të cilin bën pjesë edhe Shami sundohej nga idhujtarët romakë. Për këtë shkak, të gjithë popujt e këtij rajoni ishin idhujtarë me përjashtim të Beni Israilëve në Sham të cilët kishin trashëgimi adhurimin e Allahut Një. Ftesa e këtyre popujve në fenë e drejtë nuk ka qenë detyrë e Isait -alejhi selam- sepse ai ishte i dërguari i Beni Israilëve, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:

وَإِذْ قَالَ عِيسَى ابْنُ مَرْيَمَ يَابَنِي إِسْرَائِيلَ إِنِّي رَسُولُ اللَّهِ إِلَيْكُمْ

Përkujto kur Isai, i biri i Merjemes tha: O bijtë e Israilit! Unë jam i dërguari i Allahut për ju.” Suretu Es-Saf: 6.

Dërgimi i Isait -alejhi selam- vetëm te Beni Israilët është si shembulli i profetëve të tjerë para tij sepse ata të gjithë janë dërguar tek popuj të veçantë, me përjashtim të profetit tonë Muhamedit -alejhi selam- të cilit Allahu i tha:

قُلْ يَاأَيُّهَا النَّاسُ إِنِّي رَسُولُ اللَّهِ إِلَيْكُمْ جَمِيعًا

“Thuaj: O ju njerëz! Unë jam i dërguari i Allahut për të gjithë ju.” Suretu El-Araf: 158.

Kjo deklaratë nuk i është kërkuar tjetërkujt veç Muhamedit -alejhi selam- dhe prandaj ai kur fliste për këtë realitet, thoshte: “Profetët më përpara dërgoheshin secili te populli i tij në veçanti, ndërsa unë jam dërguar tek të gjithë njerëzit në përgjithësi.” E transmeton Buhariu.

Dalja e havarinjve për të ftuar popujt e tjerë përreth duhet të ketë ardhur për shkak të përndjekjes së Beni Israilëve, dhe për t’u larguar përndjekjes së tyre ata u shpërndanë dhe jetuan mes popujve paganë, romakë e grekë gjë që bëri të përhapej krishtërimi. Kjo përhapje në ato vende shumë shpejt do të binte preh e zakoneve pagane që trashëgonin këta popuj. Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Romakët, grekët e popuj të tjerë paganë adhuronin objekte qiellore dhe puta tokësore, dhe Mesihu -alejhi selam- dërgoi të dërguarit e tij për t’i ftuar ata në fenë e Allahut. Disa prej tyre shkuan gjatë jetës së tij në tokë dhe disa të tjerë pas ngritjes së tij në qiell. Të dërguarit e tij i ftuan në fenë e Allahut dhe hyri kush hyri prej tyre në këtë fe. Ata qëndruan kështu për një farë kohe, pastaj shejtani i’a zbukuroi kujt i’a zbukuroi prej tyre ndryshimin e fesë së Mesihut dhe shpikën një fe të përzier: pak nga feja e Allahut dhe e profetëve të Tij, feja e Mesihut -alejhi selam, dhe pak nga feja e paganëve.”[4]

Në historinë e krishtërimit njihet një njeri me emrin Pali i cili qarkullonte fjalë se Isai -alejhi selam- është i biri i Zotit, dhe kjo pati shumë ndikim sidomos në zonat e banuara nga greko-romakët, Azia e Vogël dhe Greqia sepse ato ishin vende të pambrojtura me njësimin e Allahut. Qarkullimi i këtyre ideve në mesin e të krishterëve shkaktoi përçarje të madhe mes pasuesve të Isait -alejhi selam. Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë dukuri thotë:

Kur Allahu i Madhëruar e ngriti Mesiun, Isain -alejhi selam- për në qiell, ndjekësit e tij u përçanë.

Disa prej tyre besuan ashtu siç e kishte dërguar Allahu: rob i Allahut, i dërguar i Tij dhe biri i robëreshës së Tij.

Disa prej tyre e tepruan në lidhje me të dhe e konsideruan birin e Allahut.

Disa prej tyre thanë: Ai ishte Allahu vetë.

Ndërsa disa të tjerë thanë: Ai ishte i treti i të treve.

Allahu i Madhëruar i ka përmendur thëniet e tyre në Kuran dhe i ka hedhur poshtë ato (me përjashtim të të parës).”[5]

Me gjithë këtë përçarje që ndodhi mes pasuesve të Mesihut -alejhi selam, pasuesit e tij të drejtë kanë vazhduar të jenë të shumtë deri në kohën kur sunduesit romakë kaluan në krishtërim në kohën e Kostandinit themeluesit të Kostandinopojës. Kostandini përqafoi versionin e devijuar të fesë së Isait -alejhi selam- dhe me kalimin e tij në krishtërim raporti i besimtarëve të drejtë kundrejt besimtarëve të devijuar ndryshoi. Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë ngjarje thotë:

Afërsisht treqind vjet pas Mesihut -alejhi selam- Kostandini, njëri prej mbretërve të Greqisë (romakëve të Greqisë) përqafoi krishtërimin. Ai më përpara ishte filozof (në fenë e filozofëve paganë të Greqisë) dhe thuhet se e përqafoi këtë fe për syfaqësi apo si hile për t’a prishur atë. Priftërinjtë i vendosën atij rregulla, ligje dhe bidate të shpikura, ndërsa ai u ndërtoi kisha, faltore, manastire të mëdha e të vogla. Në kohën e tij u përhap krishtërimi dhe u njoh me gjithë devijimet, ndryshimet dhe sajesat në kundërshtim të fesë së Mesihut, dhe nuk mbeti më në fenë e drejtë të Mesihut veçse një numër i vogël murgjish të cilët ndërtuan manastire në zona të shkreta dhe të pabanuara për t’u strehuar në to. Atëherë të krishterët zaptuan Shamin, ultësirën e Mesopotamisë dhe vendet romake.”[6]    

Kështu u fut idhujtaria e paganizmi në fenë e Isait -alejhi selam- nëpërmjet romakëve, dhe nuk mbeti feja e drejtë e tij veçse tek një pakicë njerëzish të shpërndarë në Sham dhe jashtë tij.

 Vijueshmëria e besimtarëve të drejtë të krishterë deri në kohën e Muhamedit -alejhi selam.

Profeti -alejhi selam- na ka treguar se një grup i shpëtuar siç ka qenë te Beni Israilët, ka qenë edhe tek të Krishterët kur ka thënë: “Janë përçarë hebrenjtë në shtatëdhjetë e një grupe: një grup do të jetë në Xhenet dhe shtatëdhjetë në Zjarr. Janë përçarë të krishterët në shtatëdhjetë e dy grupe: shtatëdhjetë e një do të jenë Zjarr dhe një në Xhenet…” E transmeton Ibn Maxhe dhe e saktëson shejh Albani.

Shpëtimi i përmendur në këtë hadith lidhet me besimin e drejtë, dhe mbajtësit e tij kanë vazhduar të jenë deri në kohën e profetit Muhamed -alejhi selam. Ja ku po përmendim dy shembuj:

I pari: Murgu Behira.

Behira është një murg i Shamit i cili e ka parë profetin Muhamed -alejhi selam- qysh në moshë të vogël para se t’i vinte profetësia, dhe e ka dalluar atë se do të jetë profeti i ardhshëm dhe i shumëpritur i njerëzimit.

Ebu Musa El-Esharij -radiallahu anhu- tregon: “Ebu Talibi u nis njëherë për në Sham bashkë me Profetin -alejhi selam-dhe disa fisnikë të Kurejshëve. Kur kaluan nga murgu (i asaj zone), ata zbritën pranë tij dhe filluan të lirojnë devetë. Murgu i cili më përpara as nuk dilte dhe as nuk fliste, doli drejt tyre ndërkohë që ata po zgjidhnin devetë, hyri dhe e kapi profetin -alejhi selam- për dore dhe tha: Ky është zotëria i botëve! Ky është i dërguari i Zotit të botëve! Këtë do t’a dërgojë Allahu rahmet për botët!

Disa nga fisnikët kurejshitë i thanë atij: Nga e di ti këtë gjë?

Murgu u tha: Kur u ngjitët në kodër, nuk mbeti pemë dhe gur veçse ra në sexhde dhe ato nuk bien në sexhde veçse për ndonjë profet. Pastaj unë e njoh atë me vulën e profetësisë poshtë shpatullave si formë molle.” E transmeton Ibn Ebij Shejbe dhe Tirmidhiu, dhe e saktëson shejh Albani.

I dyti: Priftërinjtë me të cilët është takuar Selman El-Farisij -radiallahu anhu.

Selmani -radiallahu anhu- ka lindur në Persi dhe është prej atyre njerëzve të cilët para dërgimit të profetit -alejhi selam- ishin në kërkim të fesë së drejtë. Ai tregon se një herë në Persi kishte parë të krishterët duke u falur në faltoret e tyre dhe e pëlqeu atë veprim. Ai i pyeti se ku e ka origjinën feja e tyre, dhe ata i thanë se e ka në Sham. Ai pasi e mësoi origjinën e kësaj feje u largua nga Persia në ndjekje të gjurmëve të saj dhe kështu arriti në Sham. Ai tregon se në Sham gjeti një prift për të cilin thotë: “Nuk kam parë njeri që i fal pesë vaktet të jetë më i mirë se ai, as më shumë asket se ai në Dynja dhe as më i dhënë se ai pas Ahiretit.”

Pastaj Selmani tregon se prifti para se të vdiste i tregoi për një tjetër si ai në Mosil, pastaj ky për një tjetër në Nasibin, pastaj ky për një tjetër në Amurije (të gjitha këto qendra të asaj kohe jashtë Shamit)[7], pastaj ky i fundit i thotë: “O bir! Pasha Allahun, nuk di njeri tjetër të ketë mbetur si ne që të shkosh tek ata, por është afruar koha e një profeti i cili do të dërgohet me fenë e Ibrahimit. Ai ka për të dalë nga toka arabe dhe ka për të emigruar për në një vend mes dy gurishteve të zeza në të cilën ka palma. Ai ka disa shenja të dallueshme: pranon dhuratën, nuk ha prej sadakasë, dhe mes dy shpatullave ka vulën e profetësisë.” E transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson shejh Albani.

Nga këto përshkrime rezulton:

1 – Mes të krishterëve ka pasur besimtarë të drejtë në Sham dhe jashtë tij deri në kohën e profetit Muhamed -alejhi selam.

2 – Këta besimtarë të drejtë pasues të Isait -alejhi selam- dinin detaje të hollësishme rreth profetit Muhamed -alejhi selam. Ata e dinin; prej kujt rrjedh, vendin ku do të shfaqej, vendin ku do të emigronte, karakterin e tij dhe shenjat e tij fizike.

3 – Numri i këtyre besimtarëve në kohën e dërgimit të profetit Muhamed -alejhi selam- ka qenë i pakët, dhe kjo për shkak se mes Isait -alejhi selam- dhe Muhamedit janë gjashtëqind vjet. Treqind prej tyre janë pas kalimit të romakëve në krishtërim, ata të cilët e përzien fenë e tij me idhujtari.

Si përfundim Shami është gjithashtu vendi i besimtarëve të krishterë pas mohimit të Beni Israilëve. Ata kanë vazhduar të jenë atje deri në kohën e shfaqjes së profetit Muhamed -alejhi selam- dhe umetit të tij.

 

Shkroi: Dr Abdullah Nabolli

 

[1] Shih ‘Tefsir Muxhahid: 1/250’.

[2] Fjala Havarinj është si fjala Ensar dhe do të thotë përkrahësit e Profetit. Me të parën janë quajtur përkrahësit e profetit Isa -alejhi selam- ndërsa me të dytën përkrahësit e profetit Muhamed -alejhi selam-.

[3] Shih ‘Tefsir Ibn Kethir’ të sures Jasin: 6/573.

[4] Shih librin e autorit me titull ‘El-Xheuab Es-Sahih’: 1/344.

[5] Shih ‘Tefsir Ibn Kethir’ të sures Ali Imran: 2/48.

[6] Shih ‘Tefsir Ibn Kethir’ të sures Junus: 4/295.

[7] Këto qendra janë disa qytete të njohura të asaj kohe: Mosili është në Irak, Amurija është në Azinë e vogël pra Tuqia sot, ndërsa Nasibini mes të dyjave dhe që sot gjithashtu i përket Turqisë.