📋 Shkeljet që ndodhin gjatë marjes së abdesit:
1. Shqiptimi i nijetit me zë gjatë marjes së abdesit: Ky veprim është në kundërshtim me Sunetin e Profetit ﷺ.
Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Profeti nuk e shqiptonte me zë në fillim të abdesit frazën ‘Po bëj nijet për të larguar papastërtinë’ apo ‘për të më mundësuar faljen’, këtë nuk e vepronte asnjëherë, as ai vetë, as ndonjë nga shokët e tij. Nuk është transmetuar prej tij asnjë shkronjë në këtë drejtim, as me zinxhir të saktë, as të dobët.”
2. Një tjetër veprim në kundërshtim me Sunetin: Lutja gjatë larjes së pjesëve të trupit në abdes, siç bëjnë disa kur lajnë dorën e djathtë e thonë: “O Allah, ma jep librin tim në dorën time të djathtë”, ose kur lajnë fytyrën dhe thonë: “O Allah, zbardhe fytyrën time atë ditë kur zbardhen fytyrat”, e të ngjashme.
Imam Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Nuk është vërtetuar që ai (Profeti) të ketë thënë ndonjë gjë gjatë marrjes së abdesit, përveç bismilahit. Të gjitha hadithet që flasin për dhikre të tjera gjatë abdesit janë të sajuara dhe të shpikura. Profeti ﷺ nuk ka thënë asgjë nga ato, nuk ia ka mësuar umetit të tij dhe nuk është vërtetuar prej tij veçse: bismilahi në fillim dhe kjo lutje në fund: أشهد أن لا إله إلا الله وحده لا شرك له وأشهد أن محمداً عبده ورسوله اللهم اجعلني من التوابين واجعلني من المتطهرين
“Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, i vetëm dhe pa ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij. O Allah, më bëj nga ata që pendohen dhe më bëj nga ata që pastrohen.”
Në një hadith tjetër që transmeton Nesaiu, thuhet se pas abdesit thuhet gjithashtu:
سبحانك اللهم وبحمدك أشهد أن لا إله إلا أنت أستغفرك وأتوب إليك . .
“Subhaneke Allahumme ve bihamdik, eshhedu en la ilahe il-la ente, estagfiruke ve etubu ilejk”
(“I Lartësuar je Ti, o Allah, dhe lavdërimi është për Ty; dëshmoj se s’ka të adhuruar me të drejtë veç Teje; Ty të kërkoj falje dhe tek Ti pendohem.
3- Prej shkeljeve gjatë pastrimit ritual është edhe: shpërdorimi i ujit gjatë marjes së abdesit.
Buhariu përcjell nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ka thënë:
“Profeti (paqja qoftë mbi të) e bënte larjen e plotë (guslin) me një sa‘ (masë uji 2.6 deri në 3 litra) deri në pesë mud (sasia e ujit që mbushet me dy grushta të plotë të një njeriu mesatar) dhe merrte abdes me një mud.”
Imam Buhariu (Allahu e mëshiroftë) në fillim të kapitullit të abdesit në Sahihun e tij thotë:
“Dijetarët e kanë urryer shpërdorimin e ujit dhe tejkalimin e asaj që ka vepruar Profeti ﷺ.”
4. Një tjetër shkelje është: mosplotësimi i abdesit (mospërmbushja e plotë e tij).
“Isbâg” do të thotë plotësim.
Në librin Fet’h el Bari thuhet: “Isbigu” do të thotë: Plotësoni (abdesin).
Buhariu në Sahihun e tij përcjell nga Muhamed bin Zijadi, i cili ka thënë:
“E kam dëgjuar Ebu Hurejrën, kur kalonte pranë nesh – dhe njerëzit merrnin abdes nga një enë – u thoshte:
‘Plotësoni abdesin, sepse Ebu Kasimi (Profeti ﷺ) ka thënë: Mjerë për thembrat prej zjarrit (të xhehenemit)!’”
Po ashtu Halid bin Mi‘dan përcjell nga njëra prej grave të Profetit ﷺ, se i Dërguari i Allahut pa një burrë duke u falur, dhe në pjesën e pasme të këmbës së tij kishte një copëz të vogël (afërsisht sa madhësia e një monedhe) që nuk ishte lagur me ujë.
Profeti ﷺ e urdhëroi ta përsëriste abdesin. (Ahmedi dhe Ebu Daudi).
Në transmetimin e Ebu Daudit : “Ai e urdhëroi ta përsëriste edhe namazin.”
Ethremi thotë: E pyeta Ahmedin: “A është i mirë ky zinxhir transmetimi?”
Ai u përgjigj: “Po, është i mirë.”
Hadithin e kanë transmetuar gjithashtu Ebu Daudi dhe Hakimi.
Imam Sheukani (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Ky hadith tregon se është obligim përsëritja e abdesit që nga fillimi, për atë që ka lënë pa larë një pjesë të trupit të tij, edhe nëse është pjesë kaq e vogël.”
✍ Dr. Abdul Aziz Sed’han
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: abdesi, pastrimi ritual
Të Ngjashme
- Si mund të jetë namazi ndihmë për njeriun? Udha e Besimtarëve
- Namazi me xhemat Udha e Besimtarëve
- Kush e fal namazin e sabahut është nën mbrojtjen e Allahut Udha e Besimtarëve
- Vlera e faljes së namazit vullnetar në shtëpi Udha e Besimtarëve
- Dobitë e dhikrit të mëngjesit dhe të mbrëmjes Udha e Besimtarëve