Shpjegimi i hadithit: “Islami ndërtohet mbi pesë shtylla” – Pjesa e katërt

October 12, 2017

Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë) ka tënë: “…. mbi kryerjen e namazit” e nuk thotë “ue en tusali“, sepse nuk është për qëllim thjesht ekzistenca e namazit por është për qëllim që ai (namazi) të kryhet në formën e vërtetë me shtyllat, vaxhibet dhe kushtet e tij, duke i shoqëruar ato me sinqeritetin vetëm për Allahun e Lartësuar. Këto patjetër që duhen të plotësohen.

Ndërsa kush e kryen namazin thjesht si formë me ruku dhe sexhde por pa u qetësuar në të, apo e fal jashtë kohës së tij pa pasur arsye, apo e lë namazin me xhemat (nuk falet me xhemat në xhami), personi i tillë nuk e ka kryer namazin. Kjo ose duke mos e falur në formën e duhur, e në këtë rast namazi i tij është i pavlefshëm, ose nuk e perfeksionon faljen e tij duke e lënë faljen me xhemat në xhami, ose e fal jashtë kohës së tij pa pasur arsye.

Ai që e vonon namazin derisa t’i kalojë koha pa pasur arsye, namazi i tij është i pavlefshëm ngase ai nuk ka falur atë namaz për të cilin ka urdhëruar Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: “Faleni namazin të plotë, sepse namazi për besimtarët është detyrim në kohë të caktuar.[1]” En-Nisa: 103.

Allahu nuk e pranon namazin e falur në ndonjë kohë tjetër përveç kohës që Ai ka paracaktuar për faljen e tij. Prandaj, nëse e vonon namazin derisa t’i dalë koha, ti nuk je falur ashtu siç të ka urdhëruar Allahu por je falur sipas tekave (dëshirave) të tua.

Përjashto rastin kur je i arsyetuar për shkak të gjumit të rëndë, apo të harresës që mund të të ndodhë, apo je prej atyre që Allahu ua ka lejuar bashkimin e namazeve. Dhe kështu e vonon namazin për të bashkuar mes namazit të drekës me ikindinë ose mes namazit të akshamit dhe jacisë. Këto janë raste ku nuk përbën problem dhe namazi yt është i saktë sepse ti je i arsyetuar.

Ndërsa lënia e xhematit (mos falja e namazit me xhemat në xhami) pa arsye apo vonimi i namazit nga koha e tij pa arsye, bën që personi të llogaritet si braktisës i namazit. Nuk është për qëllim me “braktisjen e namazit” lënia e tij, por me “braktisjen e namazit” është për qëllim humbja e kohës (duke e falur jashtë kohës së tij).

Allahu i Lartësuar thotë: “Pas atyre erdhën brezni që e braktisën faljen e namazit.” Merjem: 59. D.m.th. e nxirrnin (vononin) nga koha e tij e paracaktuar. Me argumentin e fjalës së Allahut të Madhëruar në një ajet tjetër ku thotë: “Mjerë për ata, të cilët kur falen janë të pakujdesshëm për namazet.” El-Maun: 4-5.

Këtë namaz (të falur jashtë kohës së vet) Allahu nuk e pranon dhe ai konsiderohet namaz i humbur (braktisur). Ndërsa kush e lë namazin në tërësi (nuk falet) ai konsiderohet jobesimtar, sepse ai ka shkatërruar një prej shtyllave të islamit. Madje ka shkatërruar shtyllën e dytë që vjen pas dy dëshmive. Namazi është shtylla e fesë Islame siç ka ardhur në një hadith.[2]

Ka prej njerëzve që i falin të gjitha namazet në një kohë të vetme, duke thënë: “Ai që i pranon namazet të ndara (secilin namaz në kohën e vet) i pranon ato dhe të bashkuara (të gjitha në një kohë).”

Kjo fjalë është e kotë -Allahu na ruajtë- dhe është tallje me fenë e Allahut të Lartësuar.

 

Vijon…

“El-Minhatu er-Rabbanijjeh fi sherh El-Erbein en-Neueuijjeh.”

Përktheu: Unejs Sheme

————————————————

[1] Namazi ka kohë të caktuar fillimi dhe mbarimi brenda së cilës ai është detyrim që të kryhet. Secili prej pesë namazeve të ditë-natës ka kohën dhe rregullat e veta, të cilat janë të sqaruara në detaje në librat e fikhut.

[2] Hadithi është: “Kreu i çdo çështjeje është Islami, shtylla e tij është namazi, dhe kulmi i tij është xhihadi në rrugën e Allahut.”

Loading...