Besimi në engjëjt: është besimi në ekzistencën e tyre, besim i sigurtë tek i cili nuk ndërhyjnë luhatjet dhe dyshimet.
Allahu i Lartësuar thotë: “I Dërguari beson në çfarë i është zbritur atij nga Zoti i tij dhe po kështu edhe besimtarët (besojnë bashkë me të). Gjithsecili prej tyre beson në Allahun, në melekët (engjëjt) e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij.” (Bekare: 285)
Kush e mohon ekzistencën e engjëjve konsiderohet i dalë nga feja. Allahu i Lartësuar thotë:
“Dhe kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Fundit, atëherë ai vërtet e ka humbur rrugën tepër larg.” (Nisa: 136)
Ehli Suneti dhe Xhemati (pasuesit e traditës profetike dhe të bashkuarit) besojnë në Engjëjt në përgjithësi dhe në atë për të cilin është saktësuar argumenti në veçanti. Besojnë në ata që i ka përmendur Allahu dhe Profeti i Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem si p.sh: Xhibrili i ngarkuar me përcjelljen e shpalljes, Mikaili përgjegjësi i shiut, Israfili që është ngarkuar me fryrjen në ‘Sur’ (bri), Meleku i vdekjes apo përgjegjësi i marrjes së shpirtrave, Meleku i Zjarrit, Riduani i Xhenetit dhe dy melekët që bëjnë pyetjet në varr, Munker dhe Nekir.
Ehli Suneti dhe Xhemati besojnë në ekzistencën e tyre dhe se ata janë robër të Allahut, të krijuar. I krijoi Allahu nga drita. Ata janë krijesa reale e jo çështje figurative e as forca te fshehta. Ata janë krijesa prej krijesave te Allahut që banojnë në qiell. Engjëjt janë krijim madhështor. Ka prej tyre që kanë dy krahë, e prej tyre që kanë tre e katër e me shumë. Është saktësuar se Xhibrili alejhis selam ka gjashtëqind krahë. Ata janë ushtri prej ushtrive të Allahut. Kanë aftësi të marrin forma të ndryshme dhe të trupëzohen sipas asaj që do Allahu.
Ata janë të afërt tek Allahu e të nderuar. Nuk klasifikohen në meshkuj e femra. Nuk çiftëzohen mes tyre dhe nuk riprodhohen. Melekët nuk hanë dhe nuk pinë. Ushqimi i tyre është ‘tesbihu’ (thënia ‘subhanallah’ = i Patëmeta je o Allah!) e ‘tehlili’ (thënia ‘La ilahe il-lall-llah’ = Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut). Kjo gjë atyre nuk u mërzitet, nuk neglizhojnë në të e as lodhen. Melekët cilësohen me mirësi, bukuri, turp e rregullsi.
Melekët ndryshojnë nga njerëzit, sepse ata janë krijuar për të bërë vepra të mira e për tju larguar gjynaheve (pa zgjedhjen e tyre). I krijoi Allahu për adhurim ndaj Tij dhe zbatim të urdhrave të Tij. Thotë Allahu për ta:
“Dhe thonë: ‘I Gjithëmëshirshmi ka lindur bir.’ Lavdi i qoftë Atij! Ata (të cilët këta i quajnë fëmijët e Tij, si Isai – biri i Merjemes, Uzejri etj) janë vetëm robër të nënshtruar të nderuar. Ata nuk flasin derisa të ketë folur Ai dhe punojnë sipas urdhrave të Tij. Ai (Allahu) di çfarë ka para tyre dhe çfarë ka pas tyre, dhe ata nuk mund të ndërhyjnë përveç se për ata me të cilët Ai është i kënaqur. Dhe prej frikës së Tij ata qëndrojnë me nderim dhe frikë (se mos i ndëshkon).” (Enbija: 26)
Melekët e madhërojnë Allahun ditën dhe natën dhe bëjnë tauaf (rrethrrotullim) në ‘Bejt el-Ma’amur’ ( Shtëpia e populluar, Qabja e banorëve të qiellit) dhe ata kanë frikë prej Allahut.
Melekët janë shumë lloje:
Prej tyre ka përgjegjës për mbajtjen e Arshit, përgjegjës për shpalljen, për malet, Zjarrin (Xhehenemin), Xhenetin. Prej tyre ka përgjegjës për shkruajtjen e veprave të robit, përgjegjës për marrjen e shpirtrave të besimtarëve dhe jobesimtarëve, përgjegjës për marrjen në pyetje të robit në varr.
Ka prej tyre që kërkojnë falje për besimtarët, çojnë salavat (luten) për ta dhe i duan ata. Ka prej tyre që marrin pjesë në mexhliset e dijes, dhe i mbulojnë (nxënësit, kërkuesit e dijes) me krahët e tyre. Ka prej tyre që e shoqërojnë njeriun e nuk i ndahen, e prej tyre që e nxisin njeriun për vepra të mira, e prej tyre që marrin pjesë në xhenazet e të devotshmëve, e prej tyre që luftojnë bashkë me besimtarët e i përforcojnë kundër armiqve të Allahut, e prej tyre që janë përgjegjës për mbrojtjen e të devotshmëve, e tua largojne brengat. Ka prej tyre që jane përgjegjës për dënimin.
Melekët nuk hyjnë në shtëpitë që kanë imazhe me shpirt (piktura e skulptura), në shtëpitë që kanë qen dhe nuk i shoqërojnë kafshët që mbajnë zile (këmborë). Meleket lëndohen dhe bezdisen nga ato gjëra që lëndohen edhe bijtë e Ademit (njerëzit).
Ka thënë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Në shtëpinë që ka foto (piktura e skulptura) nuk hyjnë melekët” {Bukhariu 1999, Muslimi, 2107, Ahmedi 6/246, Maliku 1803.}
Gjithashtu ka thënë sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Nuk hyjnë melekët në një shtëpi që ka qen e as në shtëpinë që ka foto.” {Bukhariu 5605, Muslimi 2106, Tirmidhiu 2804, Ibn Maxheh 3649, Ahmedi 4/30}
Melekët janë të shumtë në numër.
Nuk e di numrin e tyre askush përveç Allahut azze ue xhel-le. Thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe nuk i di ushtritë e Zotit tënd askush përveç Tij, dhe kjo nuk është veçse përkujtim për njerëzit” (Mudethir: 31)
[Shënim i redaktorit: Thotë Profeti – paqja qoftë mbi të: “Nuk ka në shtatë qiejt asnjë vend, as sa të vendosësh këmbën, as një pëllëmbë… veçse në të ka një engjëll që qëndron në këmbë (duke adhuruar Allahun), apo të përkulur në ruku (me shpinën të përkulur) apo të përulur në sexhde” [1] Ndërsa në një hadith tjetër ka ardhur se Xhibrili i ka thënë Muhamedit -paqja qoftë mbi ata të dy: “Kjo është ‘Bejtul ma’mur’ (Qabja e qiellit, në qiellin e shtatë), në të falen çdo ditë 70 mijë melaike (engjëj). Kur dalin prej saj nuk kthehen më aty”[2] Pra çdo ditë hyjnë 70 mijë engjëj të rinj që nuk kanë qenë ndonjëherë aty. Dhe kjo për çdo ditë! Imagjinojeni vet numrin e tyre të jashtëzakonshëm!]
Allahu i ka bërë ata të padukshëm për ne, prandaj nuk mund t’i shohim në formën që janë krijuar. Por ata i janë shfaqur disa prej njerëzve, siç e pa Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem Xhibrilin alejhis selam, në formën në të cilën e ka krijuar Allahu dy herë. Thotë Allahu i Lartmadhëruar:
Dhe shoku juaj (Muhamedi) nuk është i çmendur. Dhe vërtet që ai e pa atë (Xhibrilin) në horizontin e qartë (në drejtim të lindjes). (Tekuir: 22-23)
Përktheu: Anis Agovi
[1] “El mu’xhemul eusat” Taberani, me zinxhir të lidhur, me transmetues të besueshëm.
[2] Muttefekun alejhi. Hadithi i Israsë dhe Mi’raxhit.
Dosje: Tesbih
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve