Si e përshkroi Profetin kjo grua beduine

September 1, 2024

📋 Një nga përshkrimet më të detajuara që i janë bërë personit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është përshkrimi që i ka bërë një grua beduine e cila quhej Umu Meabed el Hazaije, një grua që nuk ishte bërë akoma muslimane.

🔸 Ajo jetonte në shkretëtirë dhe pikërisht në rrugën që shpie për në Medine. Në kohën kur i dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem emigroi nga Meka në Medine dhe ishte në shoqërinë e Ebu Bekrit dhe Abdullah ibën Urejkit, rrugës ata qëndruan tek çadra e Umu Meabed dhe i kërkuan nëse kishte diçka për t’iu dhënë nga qumështi i bagëtive, ndërkohë që burri i saj kishte dalë me kopenë në kullotë. Por në çadrën e Umu Meabed kishte vetëm një dele të dobët.
🔸 Ata i kërkuan pak qumësht por ajo u tha se nuk posedonte asgjë. Pastaj i këkruan t’i blinin një dele ose hurma, por ajo u tha se nuk kishte asgjë për tu dhënë.
🔸 Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e pa delen e cila ishte tepër e dobët dhe e pyeti për gjendjen e saj. Ajo i tha: Siç e sheh është dele e dobët, dhe kjo gjendje nuk e ka lënë të ishte me pjesën tjetër të kopesë për të kullotur.
🔸 Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha: A më jep leje o Umu Meabed që ta mjel këtë dele? Ajo i tha: Patjetër, nëse gjen diçka tek ajo! Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem filloi ta milte, përmendi Allahun dhe iu lut Atij pastaj i tha: Më sill një enë. Ajo ia solli enën dhe Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e vendosi poshtë deles dhe e moli derisa ena u mbush me qumësht.
🔸 Fillimisht i dha Umu Meabedit e cila piu derisa u ngop. Pastaj e mori enën, e moli delen përsëri dhe kur ena u mbush u dha për të pirë dy shokëve të udhëtimit Ebu Bekrit dhe Abdullah Ibën Urejkit të cilët pinë derisa u ngopën, pastaj piu i dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
🔸 Para se të largohej i dërguari i Allahut e moli delen përsëri dhe e mbushi enën, dhe ia la Umu Meabedit në çadrën e saj.
🔸 Bashkëshorti i Umu Meabedit u kthye me kopenë, dhe kur pa enën e mbushur me qumësht dhe delen me gjinj të fryrë u habit dhe pyeti: çfarë ka ndodhur? Ajo i tha: Tek çadra jonë ka kaluar një njeri i begatë. Ai i tha: Ma përshkruaj atë!

🔸 Le të dëgjojmë së bashku përshkrimin e Umu Meabedit i cili konsiderohet si një nga përshkrimet më elokuente dhe më të detajuar ndaj Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
🔸 Ajo tha: Pashë një burrë me nur të dukshëm. Fytyra e tij ishte e shndritur dhe fizionomia e tij ishte e plotë. Kraharori dhe barku i tij vinin të njëtrajtshëm dhe koka e tij ishte në përputhmëri me trupin.
🔸 Bebëza e syve të tij ishte e zezë dhe pjesa tjetër shumë e bardhë. Qerpikët i kishte të dukshëm (të gjatë) dhe të kthyer. Në zërin e tij kishte forcë të përzier me tingull që nuk ta vriste veshin. Qafa e tij ishte e dukshme (e gjatë) dhe e bardhë, ndërsa mjekra e tij ishte e shpeshtë dhe e bollshme e përzier me pak qime të thinjura.
🔸 Sytë i kishte të rrumbullakët ndërsa qerpikët të zinj (si të kishte përdorur kohl). Vetullat i kishte të gjata dhe të kthyera, të ngjitura që dalloheshin vetëm kur u binte pluhuri.
🔸Kur heshtte mbi të binte qetësia. Kur fliste bëhej madhështor dhe mbështillej nga hijeshia.
🔸 Ai ishte më i bukuri dhe më i dukshmi kur e shihje të vinte nga larg, dhe më i hijshmi kur e shihje nga afër. E folura e tij kishte bukuri (d.m.th. kur fliste nuk mërziteshe nga e folura e tij). I prerë në të folur, nuk fliste fjalë pa kuptim dhe nuk tallej. 🔸 Nuk ishte shumë i gjatë dhe as shumë i shkurtër, por kishte një shtat mesatar (pra trupi i tij ishte mesatar dhe i lidhur).
🔸 Ishte filizi më i dukshëm mes dy filizave (Ebu bekrit dhe Abdullah Ibën Urejkit), ishte më i miri i të treve kur e shihje dhe më i ngrituri në vlera. Ai kishte shokë që nxitonin për t’i përmbushur fjalët e tij kur i urdhëronte, dhe kur fliste heshtnin për t’i dëgjuar porositë që i thonte.
🔸Dukej sikur njerëzit e rrethonin dhe i qëndronin afër. Nuk rrinte i ngrysur dhe nuk kishte gjuhë të pistë.

🔸 Kur i dëgjoi fjalët e saj, burri i Umu Meabedit tha: Vallahi ai është personi që po e përndjekin kurejshët. Nëse më bie që ta takoj, vallahi kam për t’i dhënë besën (për Islam).
🔸 Ky do të ishtë një nga përshkrimet më precize të fizionomisë së Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe moralit të tij, pas atij që kishte bërë Ebu Ja’la, thjeshtri i Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
📚 Kjo ndodhi përmendet tek Hakimi në “El mustedrak” me nr. 4274, dhe e ka saktësuar Dhehebiu në “Et telhijs”. Gjithashtu, e ka transmetuar edhe Taberani në “El xhami el kebir” me nr. 3605.

✍ Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...