Sindroma e popullit të Shebës (Seb’e)

August 25, 2024

Njeriu nganjëherë lodhet, mërzitet dhe ndien monotoni e mërzi edhe në rrethana të mirëqenies, sigurisë dhe qetësisë.
E gjithë kjo është pjesë e dobësisë dhe natyrës së njeriut, dhe kjo është arsyeja pse Zoti i përjashtoi engjëjt nga kjo gjendje duke thënë:

فَإِنِ ٱسۡتَكۡبَرُوا۟ فَٱلَّذِینَ عِندَ رَبِّكَ یُسَبِّحُونَ لَهُۥ بِٱلَّیۡلِ وَٱلنَّهَارِ وَهُمۡ لَا یَسۡـَٔمُونَ ۩﴾

“Por nëse ata bëhen mendjemëdhenj, ata që janë pranë Zotit tënd (engjëjt) e madhërojnë Atë ditë e natë dhe nuk mërziten.” | Fussilet: 38.

Profeti Muhamed sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e ndaloi teprimin pasi kjo sjell lodhje dhe mërzi (monotoni). Në “Sahih el Buhari” transmetohet nga Aishja se: “Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem hyri tek ajo dhe pa një grua tjetër. Ai pyeti: Kush është kjo? – Ajo u përgjigj: Kjo është filania, e njohur për adhurimet e saj. Ai tha: Mjaft! Merrni aq sa mund të përballoni, sepse Zoti nuk velet (lodhet) derisa të lodheni ju.”

Mënyra më e dashur për të (Profetin) në praktikimin e fesë ishte ajo që praktikohej në vazhdimësi.

Mërzia është pjesë e dobësisë dhe është hisja jonë në këtë botë të ngarkuar me vështirësi dhe sprova. Mërzia e sulmon njeriun pavarësisht nëse është mes begative dhe problemeve të pakta. Problemi nuk qëndron te mërzia në vetvete, por tek reagimi ynë ndaj saj.

Në Shebë kur i kaploi mërzia, ata ranë në një gabim dhe devijim të madh. Në vend që të shpëtonin nga monotonia duke kujtuar begatitë e Zotit dhe të rifreskonin gëzimin dhe jetën e tyre duke falënderuar Zotin për to, ata menduan se vet begatitë ishin shkaku i fatkeqësisë së tyre. Zoti na tregon për ta:

فَقَالُوا۟ رَبَّنَا بَـٰعِدۡ بَیۡنَ أَسۡفَارِنَا وَظَلَمُوۤا۟ أَنفُسَهُمۡ فَجَعَلۡنَـٰهُمۡ أَحَادِیثَ وَمَزَّقۡنَـٰهُمۡ كُلَّ مُمَزَّقٍۚ إِنَّ فِی ذَ ٰ⁠لِكَ لَـَٔایَـٰتࣲ لِّكُلِّ صَبَّارࣲ شَكُورࣲ﴾ [سبأ ١٩]

“Atëherë ata thanë: O Zoti ynë, na i largo udhëtimet tona. Ata i bënê padrejtësi vetes së tyre. Ne i bëmë ata tregime dhe i shpërndamë gjithandej. Me të vërtetë, në këtë ka shenja për çdo të durueshëm dhe falënderues.” | Seb’e: 19.

Afërsia mes fshatrave ishte një begati e madhe sikur të kishin logjikë dhe syçeltësi. Por ata e bënë begatinë shkak për mërzinë dhe monotoninë e tyre, dhe kërkuan nga Zoti që ta largonte atë begati prej tyre.

“Me të vërtetë, në këtë ka shenja për çdo të durueshëm dhe falënderues.”

Ilaçi i mërzisë është durimi dhe falënderimi.

Kujdes!

Kur të ndiesh mërzi përballoje me durim ashtu si çdo sprovë tjetër, dhe thuaj: O Zot, kërkoj mbrojtjen Tënde nga humbja e begatisë Tënde.

Mërzia jote buron nga brendia jote. Shejtani të sjell monotoninë nga begatia që ta mohosh atë dhe ta humbësh përgjithmonë. Trajtoje mërzinë me falënderim, me bindje dhe rifreskim të ndjenjës për këto begati.

Ki kujdes që begatitë e tua të mos bëhen thjesht tregime dhe rrënoja me pak mbetje nga e kaluara!

 

✍ Dr. Abdullah bin Belkasim

Dosje:

Loading...