Tefsiri i ajetit: “Le të zgjasë një litar në qiell!”

October 24, 2020

I Lartësuari ka thënë: “Kush mendon se Allahu nuk do t’a ndihmojë atë (Muhamedin) në këtë jetë dhe në tjetrën, atëherë le të zgjasë një litar në qiell, pastaj le t’a presë dhe të shikojë a i’a largoi mllefin ky kurth i tij?” (Haxh: 15)

Komentimi më i bukur i atyre që kanë folur rreth këtij ajeti është ai që ka bërë dijetari i madh i Kuranit, shejh Muhamed el Emin esh Shenkijti – Allahu e mëshiroftë – i cili thotë në “Eduaul bejan”:

Në këtë ajet fisnik ka disa mënyra të njohura komentimi në mesin e dijetarëve, dhe për disa prej tyre dëshmon Kurani.

I pari: Kush mendon prej pabesimtarëve të cilët e kanë zili Profetin – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – se Allahu nuk do t’a ndihmojë atë, le të zgjasë një litar në qiell në atë që ka mbi krye në shtëpinë e tij (le të zgjasë një litar në tavanin e shtëpisë së tij). Arabët çdo gjë që kanë sipër kokave të tyre e quajnë “qiell”, siç kanë thënë:
“Mund të quhet qiell çdo gjë e lartë,
por vlerat të diellit dhe hënës janë!”

Pra le të lidhë një litar në trarin e çatisë pastaj t’a presë atë, të mbytet me litar e ta lidhë rreth qafës së tij derisa të vdesë. U quajt mbytja prerje (sh.p. kur tha “le ta presë”), sepse mbytja e ndërpret frymëmarrjen.
E pasi të vetmbytet le të shikojë a i’a largoi ky kurth mllefin që ndiente. Le të shikojë a ia largon ky veprim i tij mllefin që ka ndaj fitores që Allahu i dhuroi Profetit të tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – në këtë botë dhe në botën tjetër.
Kuptimi i kësaj është: Kjo gjë nuk i’a largon urrejtësit dhe ziliqarit urrejtjen dhe mllefin që ndien ndaj fitores së Allahut për Profetin e tij.
Zemahsheri thotë:”Ky veprim u quajt kurth figurativisht sepse nuk ka mundësi të bëjë më tepër se aq, ose në formë talljeje sepse ai me këtë nuk i ngriti kurth atij që e ka zili, por i bëri gropën vetes dhe ra në të.”

Allahu i Madhëruar u thotë atyre që kanë zili Muhamedin – sal lall llahu alejhi ue selem – dhe presin që t’i bien fatkeqësi, dhe mendojnë se Zoti i tij nuk do t’a ndihmojë: Vdisni me mllefin tuaj, sepse Ai do t’a ndihmojë patjetër atë edhe pse kjo s’ju pëlqen juve.
Ata që kanë thënë kështu janë: Muxhahidi, Katade, Ikrime, Ata, Ebul Xheuza etj. siç përcolli Ibn Kethiri. Ky është komentimi më i saktë për mua.
Ajeti që dëshmon për këtë është: “E kur largohen prej jush kafshojnë gishtat nga inati, thuaju: Vdisni me mllefin tuaj!”

I dyti: Kush mendon se Allahu nuk do t’a ndihmojë Profetin e Tij – sal lall llahu alejhi ue selem – në këtë botë dhe në tjetrën, në një kohë që atij i vjen ndihma prej qiellit, atëherë le të zgjasë një litar dhe të ngjitet me të në qiell. T’a presë shpalljen prej qiellit dhe t’a pengojë fitoren prej tij – sal lall llahu alejhi ue sel lem.
Kuptimi është: Edhe nëse atë e zemëron fitorja e Allahut ndaj Profetit të Tij, ai nuk mund të ngjitet në qiell dhe as t’a pengojë zbritjen e shpalljes dhe të fitores ndaj tij sado të përpiqet me fuqinë që ka dhe të ngrejë kurthe për këtë.

Këtë kuptim e përforcon fjala e Allahut të Lartësuar: “A mos u takon atyre mbretëria e qiejve dhe e tokës e çka mes tyre? Le të ngjiten me mjetet e tyre (deri në qiell e të komandojnë). Ata janë një prej ushtrive të grupacioneve, e ajo është e mundur.” (Sad: 10-11)
(Sh.p.: Këtu Allahu i Madhëruar i tregon një pjesë të së fshehtës, dhe konkretisht mposhtjen e Kurejshëve në luftën e Bedrit. Kjo profeci i është shpallur që kur ai – paqja dhe lavdërimi qofshin mbi të – jetonte akoma në Meke.)

Ndihma e Allahut ndaj tij  në jetën e kësaj bote – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – realizohet nëpërmjet lartësimit të fjalës së tij,  mposhtjes së armiqve të tij dhe lartësimit të fesë së tij. Ndërsa në botën tjetër duke ia ngritur gradat dhe duke u hakmarrë ndaj atyre që e përgënjeshtruan, siç thotë i Lartësuari: “Ne do t’i ndihmojmë të Dërguarit tanë dhe ata që besuan në jetën e kësaj bote dhe ditën kur do të ngrihen dëshmitarët.”

Muhammed el Emin esh Shenkijti (Allahu e mëshiroftë).

*Poshtëshënim:
Kurejshët u habitën: “A i zbriti atij shpallja në mesin tonë?” pra atij dhe jo neve!? Si ka mundësi që i zbriti shpallja Muhamedit në një kohë që ai nuk është më fisniku prej nesh? Allahu i Madhëruar u thotë: “A mos i posedojnë ata depot e mëshirës së Zotit tënd, të Plotfuqishmit, Dhuruesit të madh? Apo mos i kanë ata mbretërinë e qiejve e të tokës? Atëherë le të përpiqen me mjetet që kanë.”
A mos e kanë në dorë ata mëshirën e Zotit dhe përcaktojnë se kush zgjidhet Profet, në një kohë që Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu e di më së miri se ku e vendos shpalljen (dërgesën) e Tij.” Mbretëria e qiejve dhe e tokës nuk është në dorën e tyre, e nëse e pretendojnë një gjë të tillë le të ngjiten në portat e qiellit.

Loading...