Tri Gradët e Zilisë dhe Shërimi nga Secila prej tyre

December 12, 2022

Shikoni sesi Allahu e kufizon të keqen e ziliqarit me kushtin “Kur ai ka zili”, sepse një njeri mund të ketë zili por e fsheh atë. Kështu nuk është i dëmshëm në asnjë mënyrë, qoftë me zemër, qoftë me gjuhë apo me dorë. Madje tek dikush mund të ekzistojë në zemrën e tij zili, e megjithatë ai sillet ndaj vëllait musliman në një mënyrë që e kënaq Allahun. Asnjë zemër nuk mund t’i shpëtojë kësaj zilie përveç atij që e ka ruajtur Allahu.

Hasan El-Basriut i kanë thënë: A mund të jetë një besimtar ziliqar? Ai u përgjigj: Sa shpejt i harruat vëllezërit e Jusufit!

Mirëpo besimtari nuk lejon që kjo zili të ndikojë në zemrën e tij dhe nuk e ndjek dëshirën e nefsit në shenjë bindje, frike dhe turpi prej Allahut. Ai nuk ja lejon vetes të urrejë shenjat e mirësive të Allahut mbi robërit e Tij sepse beson se një sjellje e tillë është në kundërshtim me urdhrat dhe atë që do Allahu. Prandaj ai lufton me veten e tij dhe e nënshtron atë duke bërë lutje për personin që ka zili, si dhe duke i kërkuar Allahut t’i shtojë mirësitë e Tij mbi të. Ndryshe nga ajo që mund të arrijë me zilinë e tij duke shijuar pasojat që vijnë nga lëndimi me zemër, gjuhë apo gjymtyrë. Ky pra është lloji i qortuar i zilisë, dëshira që të largohen mirësitë e Allahut nga njeriu.

Zilia ka tre shkallë dhe kjo është njëra prej tyre. Shkalla e dytë e zilisë është të mos dëshirojë që një person të jetë në mirësi nga Allahu, pra e urren që Allahu t’i sjellë robit të Tij ndonjë mirësi. Ziliqari dëshiron që një person i tillë të mbetet në gjendjen e tij të varfër, të dobët, injorante, me zemër të shpërndarë nga Allahu dhe të ketë mungesë feje. Ky ziliqar dëshiron që kjo gjendje të vazhdojë dhe ky njeri të jetojë në pamundësi dhe i dëmtuar. Kjo zili është për diçka të caktuar. Ndërsa e para është zili për diçka të realizuar por në të dyja rastet ai quhet ziliqar, armik i mirësive të Allahut dhe armik i robërve të Tij. Ai është i përbuzur nga Allahu dhe nga të gjithë njerëzit. Ai nuk mund të udhëheqë kurrë dhe nuk i shprehet ngushëllim për këtë, sepse njerëzit nuk vendosin mbi vete njerëz që nuk ua duan të mirën, ndërsa armikun e mirësive të Zotit me zgjedhjen e tyre nuk e lënë kurrë t’i udhëheqë përpos kur detyrohen me forcë. Ata e konsiderojnë këtë sprovë dhe fatkeqësi me të cilën Allahu i ka sprovuar, pra ata e urrejnë ziliqarin dhe ai i urren ata.

Shkalla e tretë e zilisë është ajo që quhet “gibtah”, d.m.th. të duash të kesh njësoj si ai që ke zili duke shpresuar të jesh në situatën e tij fatlume, pa dashur t’i hiqen atij mirësitë e Allahut. Nuk ka gjë të keqe të jesh ziliqar i këtij lloji dhe njeriu nuk qortohet për këtë, sepse kjo është e ngjashme me konkurrencën (garimin).[1]

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Për këtë le të garojnë ata që duan të garojnë.”[2]

Në një hadith të saktë përcillet se Pejgamberi salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk ka zili përveçse në dy gjëra: Një personi të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai e shpenzon atë në rrugë të drejtë, dhe një person të cilit Allahu i ka dhënë urtësi (dituri fetare) dhe ai gjykon me të në përputhje me rrethanat dhe ua mëson atë të tjerëve.[3]

Ky është një shembull i zilisë së lavdëruar ku njeriu shpirt madh që i do vlerat dhe ngjasimin me njerëzit e mirë e nxit veten të jetë në grumbullin e tyre, pse jo edhe të jetë në krye të këtyre veprave të mira dhe jo të vijë i fundit.

Kjo ambicie sjell tek ai garimin dhe rendjen pas vlerave, duke e dashur tjetrin dhe duke shpresuar jetëgjatësinë e mirësive të Allahut për të. Ky lloj i zilisë nuk përfshihet në asnjë formë tek ky ajet i sures El-Felek.

Surja El-Felek është ilaçi më i dobishëm për kurimin e zilisë. Ajo përfshin mbështetjen në Allahun dhe strehimin tek Ai kundër të keqes së ziliqarit të mirësive, sepse po mbështetet tek Ai që është Mbrojtësi dhe Ndihmësi i shkëlqyer. Duket sikur njeriu lutet duke thënë: O Ti që më mundësove prej mirësive të Tua duke m’i dhuruar ato! Unë po strehohem tek Ti nga e keqja e atij që kërkon që këto mirësi t’i rrëmbesh dhe t’i largosh prej meje.

Allahu i mjafton atij që i mbështetet dhe do ta mbrojë atë që strehohet tek Ai, sepse Ai e qetëson frikën e atij që frikësohet dhe i jep forcë atij që tek Ai strehohet. Ai është më i Miri përkrahës dhe më i Miri ndihmues. Kushdo që i afrohet dhe kërkon ndihmën e Tij, mbështetet tek Ai dhe të gjithë qënien e tij e vendos para Tij, Ai ka për ta ndihmuar, ka për ta ruajtur dhe ka për ta mbrojtur.

Kush i frikësohet Allahut dhe ruhet prej Tij, Ai do t’i japë siguri nga ajo që ka frikë duke i mundësuar çdo gjë që i sjell dobi. “Atij që i frikësohet Allahut Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi), dhe do t’i japë rrisk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai.”[4]

Askush nuk duhet të nxitohet për të marrë mbështetjen e Allahut, furnizimin apo shëndetin që Ai i jep, sepse: “Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” Ajo nuk shpejtohet por as nuk vonohet.

Ai që nuk i frikësohet Allahut ka për ta frikësuar prej çdo sendi. Kushdo që është trembur nga dikush tjetër veç Allahut, këtë e ka bërë për shkak të mangësisë së frikës që ka prej Allahut. Në librin e Tij Allahu i Lartësuar thotë: “Kur dëshiron të lexosh Kuranin kërko mbrojtjen e Allahut kundër djallit të mallkuar, sepse në të vërtetë djalli nuk ka kurrfarë pushteti mbi ata që besojnë dhe mbështeten tek Zoti i tyre. Pushteti i djallit është vetëm mbi ata që i binden atij dhe adhurojnë zota të tjerë veç Allahut.”[5]

Gjithashtu ka thënë: “Vetëm djalli i frikëson ithtarët e vet. Mos u frikësoni atyre por frikësohuni prej Meje nëse jeni besimtarë!”[6] Kjo do të thotë se është shejtani ai që u frikëson përmes përkrahësve të tij, duke i bërë ata të duken të fuqishëm në mendjet tuaja. Prandaj mos kini frikë prej tyre por kini frikë vetëm Allahun, sepse Unë ju mjaftoj kundrejt atyre.

“Bedaiul Fevaid” i Ibën Kajim el Xhevzije.

Përktheu: Fatjon Isufi

———————————————————

[1] Le t’i frikësohen Allahut ziliqarët dhe le të jetë zilia e tyre gibtah (lakmi), në mënyrë që të mos bëhen djaj në formë njerëzish duke përdorur shikimet e tyre të liga, zemrat e tyre të zeza dhe smirën e tyre dashakeqe.

[2] Suretu el Mutafifin: 26.

[3] E përcjell Buhariu (1/153), dhe Muslimi me nr. 816 nga Ibën Mesudi. Në këtë temë përcillet edhe nga Ibën Umeri dhe Ebu Hurejra. Shiko patjetër sqarimin e Hafidh ibën Haxherit për këtë hadith në “Fet’h el Bari”.

[4] Suretu Talak: 2-3.

[5] Suretu en Nahl: 98-100.

[6] Suretu Al Imran: 175.

Dosje: ,

Loading...