1- Abdullah Ibën Umeri radiAllahu anhuma tregon: Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e takoi Zejdin në fund të luginës Baldah përpara se t’i vinte shpallja hyjnore. Pejgamberit salAllahu alejhi ve sel-lem i sollën ushqim por ai nuk pranoi të hante prej tij. Pastaj ja ofruan Zejdit i cili tha: Unë nuk ha asgjë nga ajo që therni në Nusub-in[1] tuaj në emër të idhujve. Unë ha vetëm mishin e atyre kafshëve mbi të cilat është përmendur emri i Allahut kur janë therur.
Zejdi fliste keq për atë se si kurejshët e kishin bërë zakon të bënin kurban kafshët e tyre, dhe gjithnjë thoshte: Allahu e ka krijuar delen dhe Ai i ka dërguar ujin nga qielli, dhe Ai e ka rritur barin për të nga toka. Megjithatë ju e bëni atë kurban në emër të tjetërkujt dhe jo në emër të Allahut.
Ai thoshte kështu, sepse nuk e pranonte një veprim të tillë dhe e quante si diçka të urryer. E përcjell Buhariu me nr. 3286.
2- Ibën Umeri radiAllahu anhuma tregon: Zejdi shkoi në Sham (kështu quhej e gjithë hapësira që sot përfshin Sirinë, Libanin, Palestinën dhe Jordaninë pasi atëherë ishte një vend i vetëm) për të kërkuar një fe bindëse dhe të vërtetë për ta ndjekur. Ai takoi një dijetar hebre dhe e pyeti për fenë e tyre. Zejdi i tha: Kam ndërmend të përqafoj fenë tuaj prandaj më trego diçka rreth saj. Hebreu iu përgjigj: Nuk do ta përqafosh fenë tonë pa marrë pjesën tënde nga zemërimi i Allahut (do ta përqafosh fenë tonë por do të marrësh pjesën tënde nga zemërimi i Allahut). Zejdi i tha: Unë pikërisht nga zemërimi i Allahut po mundohem të largohem dhe nuk do të mbaja pjesë prej këtij mallkimi përderisa mundem ta shmang. A mund të më tregosh për ndonjë fe tjetër? Ai i tha: Nuk di ndonjë fe tjetër përveç el- hanijf (besimit të pastër në një Zot duke iu nënshtruar vullnetit te Tij). Zejdi e pyeti: Ç’ është el-hanijf? Ai iu përgjigj: El-hanijf është feja e pejgamberit Ibrahim alejhi selam. Ai nuk ishte as çifut dhe as i krishterë dhe nuk adhuronte tjetër përveç Allahut, Një të Vetëm.
Zejdi u largua prej tij dhe takoi një dijetar të krishterë duke i thënë të njëjtën gjë (si hebreut). I krishteri i tha: Nuk do ta përqafosh fenë tonë pa marrë pjesën tënde nga zemërimi i Allahut (do ta përqafosh fenë tonë por do të marrësh pjesën tënde nga zemërimi i Allahut). Zejdi i tha: Unë pikërisht nga zemërimi i Allahut po mundohem të largohem dhe nuk do të mbaja pjesë prej këtij mallkimi përderisa mundem ta shmang. A mund të më tregosh për ndonjë fe tjetër? Ai i tha: Nuk di ndonjë fe tjetër përveç el-hanijf (besimit të pastër në një Zot duke iu nënshtruar vullnetit të Tij). Zejdi e pyeti: Ç’ është el-hanijf? Ai iu përgjigj: El-hanijf është feja e pejgamberit Ibrahim alejhi selam. Ai nuk ishte as çifut dhe as i krishterë dhe nuk adhuronte tjetër përveç Allahut, Një të Vetëm.
Kur Zejdi dëgjoi fjalët e tyre për fenë e Ibrahimit u largua nga ai vend, dhe kur doli prej tij ngriti duart dhe tha: O Allah! Të bëj Ty Dëshmitarin tim se unë jam në fenë e Ibrahimit. Esma bint Ebi Bekr radiAllahu anhuma thotë: E kam parë Zejdin duke qënduar i mbështetur me shpinë pas Qabes e duke thënë: O Kurejsh! (Betohem) Për Allahun! Asnjëri prej jush nuk është në fenë e Ibrahimit përveç meje.
Ajo shtoi: Ai (Zejdi) gjithmonë mbronte jetën e vajzave të vogla (të mos i varrosnin të gjalla). Nëse dikush donte ta mbyste vajzën e tij, ai i thoshte babait të vajzës: Mos e mbyt atë pasi do ta ushqej unë për ty. Kështu ai e merrte atë, dhe kur rritej tamam shkonte dhe i thoshte babait të vajzës: Nëse dëshiron tani do ta kthej, dhe nëse do unë do ta ushqej përsëri për ty.
E përcjell Buhariu me nr. 3828.
—————————————————
[1] Nusub: vend i veçantë, altar guri në vende të caktuara, në varreza etj. mbi të cilat bëheshin kurbane në kohë të caktuara. Sipas rasteve bëheshin në emër të idhujve, perëndive, shenjtorëve, varreve etj. me qëllim që t’i nderonin, apo në pritje të ndihmës dhe përfitimit prej tyre.
Dosje: Kurbani
Të Ngjashme
- Iblisi (shejtani) në Origjinë është Xhind apo Engjëll? Udha e Besimtarëve
- Cilat janë gjërat që Allahu i mësoi Ademit? Udha e Besimtarëve
- A e keni lexuar ndonjëherë këtë hadith madhështor? Udha e Besimtarëve
- Veçoria e tetë: Shami është vendi i xhamisë së begatë Aksa Udha e Besimtarëve
- Veçoria e shtatë: Shami është vendi i grumbullimit në dynja dhe në ahiret Udha e Besimtarëve