Tri çështje të rëndësishme, shumë të diskutuara mes dijetarëve, në lidhje me shkurorëzimin e grave.

February 19, 2016

Tri çështje të rëndësishme, shumë të debatuara në mesin e dijetarëve në lidhje me talakun (shkurorëzimin e grave) dhe mendimi i sheikh-ul-Islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë-.
—pjesa e tretë—
Çështja e tretë: Talaku i varur nga bërja e një pune, nëse bëhet ajo punë, a duhet të jepet me patjetër?
Kjo çështje del në pah kur burri i thotë gruas së tij: ti je e ndarë nëse e bën këtë punë psh: nëse shkon te shtëpia e filanes. Dhe nëse gruaja e bën këtë punë, a konsiderohet e ndarë për shkak të thyerjes së kushtit?

Dijetarët e islamit kanë rënë në kundërshtim në lidhje me këtë çështje dhe shkaku i këtij kundërshtimi është se ky lloj talaku a duhet të merret si nedhri (zotimi) që duhet të kryhet patjetër apo të merret si betimi i cili pranon shlyerje.
Nedhr quhet ajo punë e cila nuk është detyrë dhe njeriu kur zotohet për ta bërë, ia bën atë detyrë vetës. Psh si fjala e dikujt që thotë: Nëse Allahu më shëron nga sëmundja, do të ther kurban për të!
Ky kurban pas këtij zotimi kthehet në detyrë ndërkohë që para zotimit nuk ishte i tillë.
Betimi është si psh: Pasha Allahun, nuk do ti flas filanit! Betimi kur njeriu e sheh se mbajtja e tij nuk është në interes të tij, i lejohet atij ta prishë atë me kusht që ta shlyej siç thotë profeti -alejhi selam-: “Kush betohet në për diçka dhe sheh se diçka tjetër është më e mirë atëherë të bëjë atë që është më e mira dhe të shlyej betimin” mutefekun alejhi.

Tani ti kthehemi çështjes tonë rreth gjykimit të atij që i thotë gruas [Ti je e ndarë, nëse shkon te shtëpia e filanes].
Mendimi i parë: Burri e ka detyrë ta japë talakun nëse gruaja nuk i përmbahet kushtit sepse kjo gjë merr gjykimin e nedhrit (zotimit) që duhet patjetër të zbatohet dhe të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve pasues të katër medhhebeve.
Mendimi i dytë: Ky lloj talaku nuk merret parasysh dhe ky është mendimi i Tausit dhe Ikrimes prej Tabiinëve:
Ibn Tausi thotë se babi i tij Tausi (tabiin i madh nxënës i Ibn Abasit i vdekur në vitin 106 H) thoshte: “Betimi në talak nuk është gjë” është pyetur Ibn Tausi: E konsideronte atë betim? Ai është përgjigjur: Nuk e di. E transmeton Abdurrazaku.

Ikrimja (tabiin i madh nxënës i Ibn Abasit i vdekur në vitin 104 H) thoshte: Ai i cili i thotë shërbëtorit të tij: nëse nuk të godas me një qind herë me kamxhik, gruaja ime është e shkurorëzuar. Të mos e godas shërbëtorin dhe as të mos e ndajë gruan se kjo është prej pasimit të hapave të shejtanit. E transmeton Said ibn Daudi siç tregon Ibn Kethiri në tefsirin e tij.
Ky mendim është gjithashtu mendimi i Esh’hebit prej malikive, El-Kaffalit dhe Ebu Said El-Muteuel-lij prej shafive dhe gjithashtu medh’hebi i dhahirive.

Përzgjedhja e sheikh-ul-Islam Ibn Tejmije –Allahu e mëshiroftë-.
Sheikhu-ul-Islam Ibn Tejmije në lidhje me këtë çështje ka zgjedhur se kjo fjalë mund të merret si betim nëse është për qëllim betimi dhe në këtë rast talaku nuk është i domosdoshëm dhe mund të shlyhet siç shlyhet çdo betim, çështje kjo e krahasuar me betimin në lirimin e robëve i cili nuk është i domosdoshëm dhe mund të shlyhet siç ka ardhur nga disa sahabe dhe tabiinë.

Bekr bin Abdullah El-Muzenij thotë se Ebu Rafi’ë (një prej tabiinëve të mëdhenj) i ka treguar: “Zonja ime Lejla bintu El-Axhma më tha një ditë: Çdo shërbëtor i imi është i lirë, çdo pasuri e imja është e dhuruar dhe jam çifute apo e krishtere nëse nuk ndahet gruaja jote! Ai thotë: Ne shkuam te Zejneb bintu Ummi Seleme e cila kur përmendej dikush për dije përmendej emri i saj dhe ajo na tha: A mos ka hyrë në shtëpi Haruti dhe Maruti?! Ajo i tha: O Zejneb, -Allahu më bëftë kurban për ty- unë kam thënë se çdo shërbëtor i imi është i lirë, dhe se jam çifute apo e krishtere! Ajo i tha: Çifute apo e krishtere?! Lëre të qetë burrin me gruan e tij! Ajo (zonja e tij) sikur nuk u bind dhe shkuam te Hafsa (e bija e Omerit dhe gruaja e profetit -alejhi selam-) dhe i tha: O nëna e besimtarëve, -Allahu më bëftë kurban për ty- unë kam thënë se çdo shërbëtor i imi është i lirë, çdo pasuri e imja është e dhuruar dhe jam çifute apo e krishtere…! Ajo i tha: Çifute apo e krishtere?! Lëre të qetë burrin me gruan e tij! Dhe refuzoi ti jepte të drejtë. Pastaj shkova te Abdullah bin Omeri, e mora me vete dhe e çova te ajo (zonja e tij) dhe ajo kur i dëgjoi zërin e njohu dhe i tha: Flijofsha për ty babanë dhe baballarët e mi! Ai i tha: Prej guri, apo prej hekuri apo prej çfarë gjëje je?! Të dha fetva Zejnebja, të dha fetva nëna e besimtarëve dhe ti nuk e pranon fjalën e tyre! Ajo i tha: O Ebu Abdurrahman, -Allahu më bëftë kurban për ty- kam thënë: Çdo shërbëtor i imi është i lirë, çdo pasuri e imja është e dhuruar dhe jam çifute apo e krishtere…! Ai i tha: Çifute apo e krishtere?! Shlyeje betimin tënd dhe lërë të qetë burrin me gruan e tij” e transmeton Abdurrazaku dhe Bejhakiu.

Mendimi se kjo gjë shlyhet si shlyerja e betimeve është edhe mendimi i Tausit i cili thotë për një çështje të ngjashme si betimi për lirimin e robit nga robëria: “Betimi në lirimin e robit nga robëria, apo çdo pasuri e imja është e dhuruar për në rrugë të Allahut janë betime dhe shlyerja e tyre është si shlyerja e betimeve” e transmeton Abdurrazaku.

Shkroi Dr Abdullah Nabolli

Dosje: , ,

Loading...