Transmetohet nga Ebu Hurjera (radijAllahu anhu) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i përgëzonte shokët e tij me rastin e ardhjes së Ramazanit, duke thënë: “Ju ka ardhur muaji i Ramazanit, muaji i begatë në të cilin Allahu e ka bërë obligim agjërimin e tij. Në këtë muaj hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyert e zjarrit të xhehenemit, ndërsa shejtanët prangosen. Në të gjendet një natë e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga mirësia e saj, ai është privuar shumë (nga çdo mirësi).” Hadithin e ka saktësuar shejh Albani në “Sahihu et-Tergib” vëll.1.
Hafidh Ibën Rexhebi tregon se disa dijetarë kanë thënë: Ky hadith është baza për urimin që njerëzit i bëjnë njëri-tjetrit me ardhjen e muajit të Ramazanit. E si mos të përgëzohet besimtari me hapjen e dyerve të Xhenetit? Si mos të përgëzohet mëkatari me mbylljen e dyerve të zjarrit? Si mos të përgëzohet njeriu i mençur me kohën në të cilën prangosen shejtanët? “Letaiful-Mearif”.
Shejh Mesh’hur Al Selman thotë: Nga ky hadith dijetarët kanë nxjerrë argumentin për lejimin e urimit me ardhjen e Ramazanit. Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ka thënë: “Ju ka ardhur muaji i Ramazanit”, gjë nga e cila përftohet lejimi i urimit. Ishte imam Ahmedi që nuk fillonte i pari me urim, por nëse e uronin ai ua kthente urimin.
Shkëputur nga ligjërata; “Si duhet ta presim Ramazanin?”
Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme
Dosje: Besimi
Të Ngjashme
- Sinqeriteti në Tregti Dr. Behar Hyseni
- Namazi i Personit të Vetëm pas Safit Dr. Fatmir Strumi
- Paralajmërimi nga ndjekja e të metave të njerëzve dhe cënimi i privatësisë së tyre Dr. Behar Hyseni
- Drejtësia – Themeli i qëndrueshmërisë së shoqërisë Shehul-Islam Ibn Tejmije
- Zullumi – rrënuesi i popujve dhe shoqërive Dr. Fatmir Strumi