Vazhdimësia në kryerjen e veprave të mira

Vazhdimësia në kryerjen e veprave të mira

Transmetohet nga Abdullah bin Amër bin El-Asi (radijAllahu anhume) se i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “O Abdullah! Mos u bëj si filani i cili falej natën dhe pastaj e la atë (namazin e natës).” Mutefekun alejhi.

Nga konteksti i fjalës së tij: “dhe e la atë (namazin e natës)”, kuptohet se ai e ka lënë pa patur ndonjë arsye. Nëse do të ishte (lënia e namazit të natës) me arsye, atëherë nuk do kritikohej për lënien e tij.

Dobitë që përfitohen nga hadithi:

E para: Hadithi është argument për qortimin e ndërprerjes së adhurimit pas fillimit të tij.

E dyta: Hadithi është argument për vlerën e vazhdimësisë në kryerjen e veprave të mira. Prej këtyre mirësive:

– Është më e dashur tek Allahu i Lartësuar, siç ka thënë Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Vepra më e dashur tek Allahu është ajo që është e vazhdueshme edhe nëse është e pakët.” Mutefekun alejhi.

– Është prej udhëzimit të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Transmetohet nga Aishja (radijAllahu anha) se kur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) vepronte një vepër, ai ishte i qëndrueshëm (vazhdueshëm) në kryerjen e saj. (Shënon Muslimi)

– Është shkak për të fituar dashurinë e Allahut të Lartësuar, siç ka ardhur në hadithin Kudsij ku Allahu i Madhëruar thotë: “…do të vazhdojë robi Im të më afrohet me nafile (vepra vullnetare) derisa Unë t’a dua atë.

– Është shkak për të shpëtuar nga vështirësitë. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Ruaje Allahun të të ruajë ty. Ruaje Allahun dhe Atë do t’a gjesh para teje (do të mbrojë dhe do të ndihmojë).

– Kush është i vazhdueshëm në kryerjen e veprave të mira dhe pastaj shkëputet për shkak të sëmundjes apo të udhëtimit, Allahu i Lartësuar do t’ia shkruajë shpërblimin e asaj vepre. Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Kur robi sëmuret apo udhëton, atij i shkruhet shpërblimi i veprës që vepronte kur s’është udhëtar dhe është i shëndetshëm.” Shënon Buhariu.

Hafidh Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Kjo përsa i përket atij që vepron një vepër të mirë dhe pastaj pengohet nga kryerja e saj (për ndonjë arsye), dhe në nijetin e tij – nëse s’do ketë ndonjë pengesë – është vazhdimësia e saj.”

E treta: Lejimi i përmendjes së dikujt (jo me emër) për shkak të ndonjë mangësie, kur me të synohet tërheqja e vërejtjes nga vepra e tij.

E katërta: Kërkohet nga thirrësi që gjatë ndalimit nga e keqja mos të përmendë (me emra) individë të caktuar. Shejh Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) thotë: Lënia e përmendjes së emrit të personit përmban dy dobi:

Dobia e parë: Është mbulim për personin.

Dobia e dytë: Ndoshta në të ardhmen gjendja e personit ndryshon (dhe bëhet njeri vepërmirë) dhe s’e meriton më atë gjykim, ngase zemrat janë në duart e Allahut të Lartësuar.

E pesta: Këshillimi për të vërtetën dhe bërja durim në të.

E gjashta: Kujdesi i Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në këshillimin e shokëve të tij.

E shtata: Vlera e namazit të natës.

E teta: Kujdesi i Abdullah bin Amrit (radijAllahu anhu) ndaj të mirës.

E nënta: Luftimi i nefsit për të qenë i vazhdueshëm në adhurim dhe në kryerjen e veprave të mira. Shejhul islam Ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) thotë:[1] “Thuhet se shpirtrat janë tri llojesh:

1- En-Nefsul-emare bis-su: Është për qëllim shpirti i cili kaplohet me pasimin e epsheve dhe mëkateve.[2]

2- En-Nefsul-leuameh:[3] Është ai shpirt që bën mëkate dhe pendohet. Pra prej tij buron e mira dhe e keqja, por nëse ai bën diçka të keqe pendohet. Quhet “El-Leuameh” ngase ai e qorton njeriun për mëkatin.

3- En-Nefsul-mutmeineh:[4] Është ai shpirt që e do të mirën dhe veprat e mira dhe e dëshiron atë, dhe urren të keqen dhe e lufton atë. Kështu që ai është i veshur me moral të lartë dhe aftësi. Këto janë cilësitë dhe situatat për të njëjtën gjë, si dhe shpirti që ka secili është vetëm një.”

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme

————————————————-

[1] “Mexhmual Fetaua” (9/294).

[2] Allahu i Madhëruar thotë: “Unë nuk e shfajësoj veten sepse shpirti (i njeriut) është fort i prirur për të keqen, përveç atij që e mëshiron Zoti im. Me të vërtetë, Zoti im është Falës dhe Mëshirëplotë.” Jusuf: 53.

[3] Shpirti qortues. Allahu i Madhëruar thotë: “Betohem në shpirtin qortues!” El Kijameh: 2.

[4] Shpirti i qetësuar. Allahu thotë: “O ti shpirt i qetësuar! Kthehu tek Zoti yt duke qenë i kënaqur me Atë dhe Ai i kënaqur me ty!” Insan: 2.