Vdekja e profetit Muhamed -alejhi selam-

Shenja e tretë e afrimit të orës së fundit të dynjasë.

Vdekja e profetit Muhamed -alejhi selam-

Thamë më lart se dërgimi i profetit të fundit, Muhamedit -alejhi selam- është shenjë e afrimit të orës së fundit të dynjasë. Atëherë, edhe largimi i tij nga kjo botë është akoma më tepër shenjë e afrimit të kësaj ore.

Muhamedi -alejhi selam-, garanci nga dënimi për mbarë botën.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

وَمَا كَانَ اللَّهُ لِيُعَذِّبَهُمْ وَأَنْتَ فِيهِمْ وَمَا كَانَ اللَّهُ مُعَذِّبَهُمْ وَهُمْ يَسْتَغْفِرُونَ

Allahu nuk ka për t’i dënuar ata kur të jesh në mesin e tyre, dhe Allahu nuk ka për t’i dënuar kur janë duke i kërkuar falje atij.[1]

Ibn Abasi -radiallahu anhu- në lidhje me këtë ajet thotë: “Ata (sahabët) kishin dy garanci: profetin e Allahut dhe istigfarin (të kërkuarit falje Allahut). Iku profeti -alejhi selam- dhe mbeti istigfari.[2]

Këto dy garanci Profeti -alejhi selam- i ka përdorur kur ndodhi një herë eklipsi i diellit në kohën e tij dhe u frikësua se mos ishte ora e fundit e dynjasë, siç tregon Ebu Musa El-Esharij -radiallahu anhu-: “Kur ndodhi eklipsi i diellit, profeti -alejhi selam- u ngrit i shtangur nga frika se mos ishte ora e fundit e dynjasë. Shkoi për në xhami dhe fali një namaz me më të gjatin qëndrim, më të gjatën ruku dhe më të gjatën sexhde që kam parë ndonjëherë prej tij.[3]

Gjatë këtij namazi në sexhde ai është lutur me këto fjalë:

“O zot, a nuk më ke premtuar se nuk do t’i dënosh ata përderisa unë jam në mesin e tyre?! O zot, a nuk më ke premtuar se nuk do t’i dënosh përderisa janë duke kërkuar falje?!”[4]

Pra, profeti Muhamed -alejhi selam- ishte garanci për mos-dënimin e umetit të tij përderisa ai të jetë në mesin e tyre. Atëherë, prezenca e tij në këtë botë ishte gjithashtu garanci për mbarë botën ndaj orës së fundit të dynjasë, sepse ora e fundit është katastrofë e përgjithshme e cila prek çdokënd prej njerëzve.

Kjo garanci është shprehur edhe në një hadith tjetër, siç tregon Ebu Musa El-Es’hari -radiallahu anhu- ku thotë: “E falëm me Profetin -alejhi selam- namazin e Akshamit dhe pastaj thamë: Sikur të uleshim derisa të falim me të namazin e jacisë! Ne u ulëm dhe erdhi Profeti -alejhi selam- dhe na tha: Nuk keni lëvizur nga vendi? I thamë: O i dërguar i Allahut, ne falëm me ty akshamin dhe thamë të ulemi derisa të falim me të jacinë. Ai na tha: Ju lumtë, ose; mirë keni bërë! Pastaj ngriti kokën nga qielli -dhe ai shpesh e ngrinte kokën nga qielli- dhe tha: Yjet janë garanci për qiellin, dhe kur të ikin yjet i vjen qiellit afati i tij i premtuar. Unë jam garanci për shokët e mi, dhe kur të iki unë u vjen shokëve të mi afati i premtuar. Shokët e mi janë garanci për umetin tim, dhe kur të ikin shokët e mi i vjen umetit tim afati i premtuar.”[5]

Vdekja e profetit Muhamed -alejhi selam-.

Profeti Muhamed -alejhi selam- jetoi në këtë botë 63 vite. 40 vitet e para prej tyre i ka jetuar para profetësisë dhe 23 vitet e fundit i ka jetuar në profetësi. Këto vite ndahen në dy periudha: periudha e Mekës me 13 vjet dhe periudha e hixhretit (e emigrimit) në Medine me 10 vjet, siç tregon Ibn Abasi -radiallahu anhu-: “Është dërguar Profeti -alejhi selam- në moshën dyzet vjeçare. Ka qëndruar në Meke trembëdhjetë vjet, pastaj është urdhëruar për hixhret (emigrim) për në Medine dhe ka qëndruar atje për dhjetë vjet, dhe ka vdekur në moshën gjashtëdhjetë e tre vjeçare.[6]

Allahu i Madhëruar i kishte bërë profetit Muhamed -alejhi selam- një shenjë të cilën kur t’a shihte të përgatitej për botën tjetër me madhërim dhe istigfar. Kjo shenjë është përmendur në suren En-Nasr ku Allahu i madhëruar thotë:

إِذَا جَاءَ نَصْرُ اللَّهِ وَالْفَتْحُ * وَرَأَيْتَ النَّاسَ يَدْخُلُونَ فِي دِينِ اللَّهِ أَفْوَاجًا * فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَاسْتَغْفِرْهُ إِنَّهُ كَانَ تَوَّابًا

Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi.* Dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupe-grupe. * Atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje prej Tij, se Ai vërtet është Pranues i madh i pendimeve.[7]

Komentuesit e Kuranit thonë: Shenja e përmendur në këto ajete është çlirimi i Mekës dhe ardhja e fiseve arabe grupe-grupe për të hyrë në Islam.

Kjo sure mendohet t’i ketë zbritur Profetit -alejhi selam- pas marrëveshjes së Hudejbijes, sepse Profeti -alejhi selam- pas kësaj ngjarjeje është përgëzuar me çlirimin e Mekës.

Kjo shenjë do të realizohej dy vjet më vonë nga zbritja e ajeteve, në vitin e tetë të hixhretit, vit në të cilin ndodhi çlirimi i Mekës. Pastaj ajo do të vazhdonte të plotësohej me fillimin e pranimit të Islamit nga fiset arabe për të arritur kulmin e saj në vitin e nëntë të hixhretit, vit i cili njihet si viti i delegacioneve të fiseve që vinin dhe deklaronin Islamin.

Amr bin Seleme El-Xhermij -radiallahu anhu- tregon: “Njerëzit prisnin çlirimin e Mekës për të deklaruar Islamin e tyre dhe thonin: Lëreni atë me popullin e tij. Nëse do të fitojë mbi ta atëherë ai është profeti i vërtetë. Kështu, kur ajo u çlirua çdo  fis shpejtoi për të deklaruar Islamin e tij. Vinte burri dhe thoshte: O i dërguar i Allahut, unë jam përfaqësuesi i filan fisi, erdha tek ti për të të përcjellë lajmin e Islamit të tyre.”[8]

Pastaj në vitin e dhjetë të hixhretit Profeti -alejhi selam- urdhërohet për haxh, e vetmja shtyllë që i kishte mbetur pa kryer nga Islami. Gjatë këtij haxhi lajmërohet edhe për një shenjë tjetër të afrimit të exhelit të tij që është plotësimi i fesë, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:

الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْإِسْلَامَ دِينًا

Sot ua përsosa fenë tuaj, e plotësova mirësinë Time ndaj jush, dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.[9]

Ky ajet i ka zbritur Profetit -alejhi selam- siç tregon Omeri -radiallahu anhu- gjatë haxhit të tij ditën e Arafatit, i cili ka qenë në vitin e dhjetë të hixhretit. Një ditë më pas, konkretisht ditën e Kurbanit të atij haxhi, Profeti -alejhi selam- i njoftoi njerëzit se ndoshta nuk do të bëjë haxh tjetër veç tij, siç tregon Xhabiri -radiallahu anhu-: “E kam parë Profetin -alejhi selam- ditën e Kurbanit mbi deve duke gjuajtur gurët dhe duke thënë: Merrni prej meje rregullat e haxhit, sepse unë nuk e di nëse do të bëj haxh tjetër pas tij.”[10]

Që pas këtyre momenteve Profeti -alejhi selam- filloi të shtojë më tepër përpjekjen për t’u përgatitur për botën tjetër, siç thotë Aishja -radiallahu anha-:

Profeti -alejhi selam- para se të vdiste i thoshte shpesh fjalët: Subhanake ue bihamdik, estegfiruke ue etubu ilejke (I lartësuar qofsh o Zot në lavdinë Tënde! Prej Teje kërkoj falje dhe tek Ti pendohem). E pyeta: ç’janë këto fjalë që i ke shtuar dhe i thua? Ai më tha: Më është caktuar një shenjë në umetin tim të cilën kur t’a shoh t’i them ato (dhe lexoi suren): Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi…[11]

Tre muaj pas ajeteve të plotësimit të fesë vdiq Profeti -alejhi selam- dhe sipas lajmeve të përcjella, ajo ka ndodhur ditën e hënë më 12 Rabiul-Euel.[12] Duke qenë se historia e Profetit -alejhi selam- pas emigrimit të tij llogaritet sipas hixhretit dhe muaji i parë është muaji Muharrem, atëherë ai ka vdekur më 12 Rabiul-Euel të vitit 11 të hixhretit[13], muaj ky në të cilin ai plotësoi 10 vjet të plota nga hixhreti i tij.

Shejhul-Islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë: “Nuk ka kundërshtim mes dijetarëve se Profeti -alejhi selam- ka vdekur në muajin Rabiul-Euel, muaj i cili është muaji i lindjes së tij dhe muaji i emigrimit të tij. Ai ka vdekur ditën e hënë, ditë në të cilën edhe ka lindur edhe i ka zbritur shpallja.”[14]

Vdekja e profetit Muhamed -alejhi selam- dhe ora e fundit e dynjasë.

Auf bin Malik -radiallahu anhu- tregon: “Shkova tek Profeti -alejhi selam- në kohën e betejës së Tebukut dhe ai ishte nën një çadër prej lëkure, dhe më tha: Numëro gjashtë shenja para orës së fundit: vdekja ime….” Auf bin Malik thotë: “Unë u preva fare dhe qava derisa Profeti -alejhi selam- u detyrua të më qetësonte.[15]

Vdekja e Profetit -alejhi selam- në lidhje me orën e fundit të dynjasë ka dy domethënie:

E para: Pakësimi i mirësisë, sepse Profeti -alejhi selam- ishte edhe burimi i dijes së saktë edhe modeli më i mirë i zbatimit të saj në jetën e përditshme. Këtë gjë e ka kuptuar mjaft mirë një prej sahabëve të nderuar dhe prijësi i këtij umeti pas Profetit -alejhi selam- Omeri -radiallahu anhu-. Kur ka dëgjuar zbritjen e ajeteve të plotësimit të fesë thuhet se ka thënë: “Feja ishte duke u përsosur dhe tani që u përsos do të pakësohet, sepse çdo gjë që përsoset më vonë pakësohet.[16]

E dyta: Zëvendësimi i së mirës me të keqen në varësi të pakësimit të së mirës, siç i këshillonte Enes bin Maliku -radiallahu anhu- njerëzit në kohën e tij në lidhje me sprovat dhe u thoshte: “Bëni durim, sepse nuk ka për të ardhur ndonjë kohë veçse ajo pas saj është më e keqe se ajo para saj, derisa t’a takoni Zotin tuaj.[17]

Prandaj Profeti -alejhi selam- e ka quajtur vdekjen e tij si fatkeqësinë më të madhe të këtij umeti, siç ka ardhur në hadith: “Kur t’i ndodhë ndonjërit prej jush ndonjë fatkeqësi le t’a kujtojë fatkeqësinë e tij në lidhje me mua, sepse ajo është fatkeqësia më e madhe.”[18]

Imam Kurtubiu në tefsirin e tij thotë: “Të vërtetën ka thënë Pro feti -alejhi selam- sepse fatkeqësia e humbjes së tij është më e madhe se çdo fatkeqësi tjetër që mund të prekë muslimanin pas tij. U ndërpre shpallja dhe vdiq profeti, dhe ky ishte fillimi i shfaqjes së të keqes… Prej shenjave ishte gjithashtu ndërprerja e së mirës dhe fillimi i pakësimit të saj.[19]

Koha para orës së fundit të dynjasë është cilësuar si koha e ndryshimeve dhe çrregullimeve të mëdha në fenë dhe jetën e njerëzve, ndryshime dhe çrregullime të cilat nuk mund të fillonin nëse mirësia dhe garancia siç u tha më lart do të ishte mes tyre. Ndryshimi i parë që bota të marrë udhën nga ora e fundit e saj ishte largimi i Profetit të fundit Muhamedit -alejhi selam-.

Dr. Abdullah Nabolli

————————————–

[1] Suretu El-Enfal: 33.

[2] E transmeton Ibn Ebi Hatim me zinxhir të saktë.

[3] E transmeton Buhariu.

[4] E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheih Albani.

[5] E transmeton Muslimi.

[6] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[7] Suretu En-Nasr: 1-3.

[8] E transmeton Buhariu, Ahmedi, Nesaiu etj.

[9] Suratu El-Maide: 3.

[10] E transmeton Muslimi.

[11] E transmeton Muslimi.

[12] Shih librin “El-Fusul min Sirat Er-Resul” të Ibn Kethirit: 220.

[13] Data 12 Rabiul-Euel 11 sipas Hixhretit përkon me vitin 632 sipas kalendarit kristian.

[14] Shih librin e autorit me titull “Hukuk Ali El-Bejt”: 50.

[15] E transmeton Buhariu, Ahmedi, Ibn Maxhe etj.

[16] E transmeton imam Taberiu me zinxhir të dobët por mendohet se ajo ka bazë të saktë, sepse është transmetuar edhe një thënie tjetër e tij e përafërt me të në musnedin e imam Ahmedit si dhe fjala profetike: “Islami ka filluar si i huaj dhe do të kthehet si i huaj siç ka filluar.” E transmeton Muslimi.

[17] E transmeton Buhariu.

[18] E transmeton Darimiu e të tjerë, dhe e saktëson shejh Albani.

[19] Shih ‘Tefsir Et-Kurtubij’: 2/176.