Veçoria e dytë: Shami është tokë e bekuar

Veçoria e dytë: Shami është tokë e bekuar.

Vijon….

Fjala [Sham] është një emër i njohur i përmendur në fjalët e Profetit – alejhi selam – dhe në librat e historisë, i cili vazhdon të përmendet deri në ditët e sotme.

El Istakhrij dhe Ibn Haukal, dy gjeografë shumë të njohur në historinë Islame, thonë: “Shami, në perëndim të tij është deti i romakëve (sot deti Mesdhe), ndërsa në lindje kufiri i tij është nga Ejla (sot gjiri i Akabesë në Jordani) deri në lumin Eufrat, pastaj nga Eufrati deri te vendet e romakëve (sot Turqia). Në veri të tij janë vendet e romakëve (sot Turqia) kurse në jug të tij është Egjipti dhe shkretëtira ku kanë humbur Beni Israilët. Kufiri më i largët nga ana e Egjiptit është Rafehu”. Kurse një gjeograf tjetër i njohur që quhet Jakut El-Hameuij thotë: “Kufijtë e Shamit janë: Gjatësia nga lumi i Eufratit deri në Arish (qytet bregdetar i Egjiptit që edhe sot njihet me të njëjtin emër) në afërsi të Egjiptit, ndërsa gjerësia nga dy malet e Tajit (sot qyteti Hail në Arabinë Saudite) deri te deti i romakëve (sot deti Mesdhe).”

Pra, Shami sot përbëhet nga: Siria, Palestina, Libani, Jordania, pjesa veriperëndimore e Arabisë Saudite deri në Hail, një pjesë e Irakut e cila është brenda lumit Eufrat dhe një pjesë e vogël e Turqisë në kufi me Sirinë.

Fjala [e bekuar] në arabisht herë vjen si emër [Mubarek] dhe herë vjen si folje [Bareke], dhe rrënja e tyre është fjala [El-Bereke] që do të thotë mirësi e shumtë dhe e vazhdueshme, siç thekson Ibn El-Kajim – Allahu e mëshiroftë.

Sheihul Islam Ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë – thotë: Begatia e këtij vendi (Shamit) është përmendur në pesë ajete në Kur’an.
Ajeti i parë: “Ne ua trashëguam popullit që dhunohej (Beni Israilëve) tokën nga lindja në perëndim, atë të cilën e kemi bekuar. Kështu u plotësua premtimi i mirë i Zotit tënd për Beni Israilët për shkak të durimit të tyre.” Suretu El-Araf: 137.

Sheikhul-Islam Ibn Tejmije thotë: Dihet se Beni Israilët trashëguan Shamin nga lindja në perëndim pas mbytjes së Faraonit në det.

Ajeti i dytë: “I lartësuar qoftë Allahu i Cili e nisi robin e tij në udhëtim natën, nga xhamia e shenjtë (Qabeja) për në xhaminë e Aksasë rreth së cilës kemi hedhur begatinë Tonë.” Suretu El-Isra: 1.

Sheihul Islam Ibn Tejmije thotë: Rreth saj është Shami.
Imam Taberiu në komentin e ajetit thotë: “E bekoi në jetesë, ushqime, të mbjella dhe fruta.”

Ajeti i tretë: “Ne e shpëtuam atë (Ibrahimin) dhe Lutin për në tokën e bekuar për të gjithë njerëzit.” Suretu El-Enbija: 71.
Sheihul Islam Ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë – thotë: Dihet se Allahu i Madhëruar e shpëtoi Ibrahimin së bashku me Lutin për në tokën e Shamit, nga lugina e Mesopotamisë dhe lumit të Eufratit.

Ajeti i katërt: “Ne i’a nënshtruam Sulejmanit erën e fortë e cila frynte me urdhërin e tij për në tokën të cilën e kemi bekuar.” Suretu El-Enbija: 81.

Sheihul Islam Ibn Tejmije – Allahu e mëshiroftë – thotë: Ajo frynte për në tokën e Shamit në të cilën ishte mbretëria e Sulejmanit.
Ajeti i pestë: “Ne bëmë mes tyre (popullit të Sebes) dhe mes fshatrave të cilat i kemi bekuar, fshatra të tjera të afërta në distanca të përcaktuara.” Suretu Sebe: 18.

Sheihul Islam Ibn Tejmije thotë: Ato janë fshatra të vjetra mes Jemenit, vendbanimit të Sebesë, dhe fundit të Shamit siç e kanë përmendur dijetarët.
Ibn Kethiri tregon se komentuesit e njohur të Kuranit si: Muxhahidi, El-Hasen El-Basrij, Said bin El-Xhubejr, Zejd bin Eslem etj. thonin:
Fshatrat e bekuar janë fshatrat e Shamit, sepse ata ecnin nga Jemeni për në Sham mes fshatrave të banuara të afërta me njëri-tjetrin.

Sheihul Islam Ibn Tejmije më pas e përmbledh fjalën e tij dhe thotë: Këto janë pesë ajete në të cilat Allahu ka përmendur tokën e Shamit: Hixhreti i Ibrahimit – alejhi selam – për në të, udhëtimi i profetit Muhamed – alejhi selam – për tek ajo, zhvendosja e Beni Israilëve për në të, mbretëria e Sulejmanit në të dhe udhëtimi i popullit të Sebesë për tek ajo ku e përshkruan atë si tokë të bekuar.