Veçoria e gjashtë: Shami është streha e besimtarëve 

October 28, 2021

Veçoria e gjashtë: Shami është streha e besimtarëve.

Shami, siç u tha edhe te veçoria e dytë, është bërë strehë për besimtarët që nga koha e Ibrahimit kur ai mori rrugën e hixhretit për hir të besimit, i detyruar nga qëndrimi që mbajti ndaj tij populli idhujtar.

Fjala Hixhret e cila në gjuhën tonë përkon me fjalën emigrim apo mërgim sipas përdorimit të saj në citatet fetare, do të thotë: Lënia e një vendi me besim të shfrenuar të përzier me shirk dhe kufër, kur shfaqja e besimit të drejtë në atë vend bëhet e pamundur për në një vend tjetër ku adhurimi i Allahut është i mundshëm dhe pa frikë nga askush.

Këtë veprim sipas këtij përshkrimi për herë të parë në historinë e njerëzimit e ka bërë Ibrahimi -alejhi selam- siç thonë dijetarët e historisë dhe komentuesit e Kuranit si Ibn Xhurejxhi dhe Mukatili (të cilët kanë vdekur në vitin 150 H) Allahu i mëshiroftë: Ibrahimi është i pari i njerëzve që ka bërë hixhret për hir të Allahut.[1]

Për këtë arsye Ibrahimi -alejhi selam- konsiderohet epokë e re në historinë e njerëzimit, sepse praktika e Allahut të Madhëruar me popujt me dërgimin e tij ka ndryshuar. Ndërkohë që para Ibrahimit kush përgënjeshtronte profetët dhe i armiqësonte ata dënohej me shfarosje. Me dërgimin e Ibrahimit Allahu ligjësoi hixhretin për t’u shpërngulur për hir të besimit, me qëllim që jeta me besimin të ngulet diku tjetër.

Më pas çështja e hixhretit u përforcua akoma më tepër kur u ligjësua lufta për mbrojtjen e së vërtetës, dhe kjo ka ndodhur me zbritjen e Teuratit. Ebu Said El-Khudrij -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Nuk ka shkatërruar Allahu i Madhëruar ndonjë popull, brez, bashkësi, dhe as ndonjë fshat me dënim nga qielli që kur Ai zbriti në tokë Teuratin, më përjashtim të banorëve të atij fshati të cilët u shndërruan në majmunë dhe derra. A nuk e keni parë fjalën e Allahut të Madhëruar kur thotë: “Ne i dhamë Musait librin pasi i shkatërruam brezat e parë si argument, udhëzim dhe mëshirë, me qëllim që ata të kujtohen.” (Suretu Kasas: 43) E transmeton Hakimi dhe e saktëson shejh Albani.

Domethënia e këtij hadithi është se me zbritjen e Teuratit zbritën edhe udhëzime për luftimin e armiqve.[2] Kur besimtarët nuk e kanë të mundshme luftën për mbrojtjen e besimit ata duhet të emigrojnë për në një vend tjetër, dhe për këtë Profeti -alejhi selam- thotë: “Nuk ka për t’u ndërprerë hixhreti përderisa të ketë armik që luftohet.” E transmeton Ahmedi dhe Nesaiu, dhe e saktëson shejh Albani.

Ligjësimi i hixhretit për besimtarët në kohën e Ibrahimit -alejhi selam- ka bërë që ata të ndjekin shembullin e tij sa herë të gjenden në situata të ngjashme me situatën e tij. Hixhreti është veprim i përsëritur nga Beni Israilët në kohën e Musait -alejhi selam- kur ata u dhunuan nga Faraoni i Egjiptit për shkak të besimit të tyre, dhe u detyruan të shpërnguleshin nga Egjipti për në të njëjtin vend ku u vendos edhe Ibrahimi -alejhi selam-  i cili është Shami. Ky veprim u përsërit gjithashtu edhe nga umeti ynë në fillimet e tij, si dhe nga vetë Profeti Muhamed -alejhi selam- kur emigroi për shkak të besimit së bashku me shokët e tij nga Meka për në Medine.

Gjykimi i hixhretit në umetin tonë

Allahu i Madhëruar në vazhdim të traditës së Ibrahimit -alejhi selam- për emigrim kur besimtari luftohet në besimin e tij dhe nuk e ka të mundshme mbrojtjen, e nxit edhe këtë ymet për emigrim duke u thënë:

أَلَمْ تَكُنْ أَرْضُ اللَّهِ وَاسِعَةً فَتُهَاجِرُوا فِيهَا

A nuk ishte toka e Allahut e gjerë që ju të bënit hixhret në të?!”

Që do të thotë se besimtari nuk ka pse të qëndrojë preh e sprovave të armiqve të Allahut, përderisa toka e Tij është e gjerë dhe me mundësi të tjera banimi.

Pastaj u thotë:

إِلَّا الْمُسْتَضْعَفِينَ مِنَ الرِّجَالِ وَالنِّسَاءِ وَالْوِلْدَانِ لَا يَسْتَطِيعُونَ حِيلَةً وَلَا يَهْتَدُونَ سَبِيلًا

“Me përjashtim të të dobtëve prej burrave, grave dhe fëmijëve të cilët nuk kanë as fuqi e as mundësi t’a marrin atë rrugë.”

Imam Ibn El-Xheuzij -Allahu e mëshiroftë- duke folur për llojet e besimtarëve në lidhje me këtë veprim, citon: “Njerëzit në lidhje me hixhretin janë tre llojesh.

I pari: Ai i cili e ka detyrë hixhretin. Ky është ai që nuk mundet t’a shfaqë Islamin në atë vend i cili është në luftë me myslimanët nga frika për jetën e tij, dhe e ka të mundshëm hixhretin. Këtij i bëhet detyrë të largohet për shkak të fjalës së Allahut: “A nuk ishte toka e Allahut e gjerë që ju të bënit hixhret në të?!”

I dyti: Ai i cili nuk e ka detyrë hixhretin por e ka të pëlqyeshëm. Ky është ai që ka mundësi t’a shfaqë fenë e tij në atë vend që është në luftë me myslimanët.

I treti: Ai i cili nuk e ka të pëlqyeshëm hixhretin. Ky është ai që është i dobët, as nuk mundet t’a shfaqë fenë e tij dhe as të lëvizë si p.sh.; i moshuari, i sëmuri etj. Këta persona nuk e kanë të pëlqyeshëm hixhretin për shkak të vështirësisë.”[3]

Allahu i Madhëruar u premton sukses atyre që e kanë marrë rrugën e hixhretit për hir të Tij, siç u tha edhe për Ibrahimin në veçorinë e dytë ku thotë:

وَمَنْ يُهَاجِرْ فِي سَبِيلِ اللَّهِ يَجِدْ فِي الْأَرْضِ مُرَاغَمًا كَثِيرًا وَسَعَةً

“Ai  i cili bën hixhret për hir të Allahut ka për të gjetur në Tokë strehë dhe begati.” Madje, jo vetëm kaq, por edhe shpërblim të madh në ahiret qoftë edhe vetëm për rrugën e marrë kur i bëhet pengesë exheli për realizimin e plotë të tij. Në Kuran thuhet:

وَمَنْ يَخْرُجْ مِنْ بَيْتِهِ مُهَاجِرًا إِلَى اللَّهِ وَرَسُولِهِ ثُمَّ يُدْرِكْهُ الْمَوْتُ فَقَدْ وَقَعَ أَجْرُهُ عَلَى اللَّهِ وَكَانَ اللَّهُ غَفُورًا رَحِيمًا

“Ai që del nga shtëpia e tij për hixhret në rrugën e Allahut dhe të profetit të Tij dhe pastaj i vjen vdekja, shpërblimi i tij ka mbërritur tek Allahu dhe Allahu është Falës dhe Mëshirues i Madh.” (Suretu En-Nisa: 97-100)

Pra, hixhreti është porosi prej Allahut të Madhëruar për këtë umet për ruajtjen e besimit kur ata luftohen në besimin e tyre. Allahu i Madhëruar u mundëson mërgimtarëve për hir të Tij strehë e begati, dhe u garanton atyre shpërblim të madh.

Hadithi i hixhretit të besimtarëve për në Sham.

Abdullah bin Amr bin El-As -radiallahu anhu- tregon se Profeti -alejhi selam- ka thënë: “Do të ketë hixhret pas hixhreti. Njerëzit më të mirë të tokës do të jenë ata që preferojnë vendin e hixhretit të Ibrahimit (Shamin). Atëherë do të mbesin në tokë njerëzit më të këqij të cilët i refuzon vendi i tyre, i urren Allahu dhe i grumbullon zjarri me majmunët dhe derrat.”E transmeton Ebu Daudi, Hakimi, Abdurrazaku, Ahmedi etj. dhe e saktëson shejh Albani.

Ky hadith përmban disa dobi në lidhje me temën tonë. Prej tyre janë:

1- Hixhreti do të vazhdojë si dukuri deri në kohën e fundit, sepse Profeti -alejhi selam- në hadith thotë: “Do të ketë hixhret pas hixhreti”, dhe pastaj përmend ngjarje të kohës së fundit. Me këtë përmbajtje është edhe një hadith tjetër i Profetit -alejhi selam- i cili thotë: “Nuk ka për t’u ndërprerë hixhreti derisa të ndërpritet teubja (pendimi), dhe nuk ndërpritet teubja derisa dielli të lindë nga perëndimi.” E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi, dhe e saktëson shejh Albani.

2- Vazhdimi i hixhretit do të thotë se mospajtimi i të vërtetës me të kotën do të vazhdojë, sepse hixhreti lind si rezultat i këtij mospajtimi.

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

 وَلَوِ اتَّبَعَ الْحَقُّ أَهْوَاءَهُمْ لَفَسَدَتِ السَّمَاوَاتُ وَالْأَرْضُ وَمَنْ فِيهِنَّ

“Nëse e vërteta do të kishte ndjekur dëshirat e tyre, do të ishin prishur qiejt dhe toka dhe çfarë mbajnë ato.” (Suretu El-Muminun: 71)

3- Hixhreti i përmendur në hadith i takon këtij ymeti, sepse ky ymet janë ata që përfaqësojnë të vërtetën e cila nuk pajtohet me të kotën.

4- Shami do të vazhdojë të jetë streha e besimtarëve siç ishte në kohën e Ibrahimit -alejhi selam- dhe të atyre që erdhën pas tij, sepse në hadith përmendet vendi i hixhretit të tij i cili është Shami. Kjo gjë ka qenë e njohur edhe ndër selefët e parë dhe prandaj Katade -Allahu e mëshiroftë- citon: “Thuhet se Shami është direku i shtëpisë së hixhretit.[4] Domethënë vendi që do të mbajë peshën me të madhe të hixhretit.

5- Shami do vazhdojë në Islam deri në fund të dynjasë përderisa ata që zgjedhin Shamin për emigrim janë njerëzit më të mirë. Të mirët e zgjedhin atë për shkak të fesë pasi ai është vend i mbrojtur, është direku i Islamit dhe vendi i grupit të përkrahur.

6- Ata që emigrojnë në Sham duke ndjekur shembullin e Ibrahimit -alejhi selam- janë si ai në merita dhe në pozita, përderisa hadithi e përmend Shamin duke i’a bashkangjitur atë emrit të tij.

7- Ngjashmëria e këtij umeti me Ibrahimin -alejhi selam- në veprimet e veçanta të tij, do të thotë se ky ymet e ka përfshirë të gjithë fenë e trashëguar prej tij. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë:

إِنَّ أَوْلَى النَّاسِ بِإِبْرَاهِيمَ لَلَّذِينَ اتَّبَعُوهُ وَهَذَا النَّبِيُّ وَالَّذِينَ آمَنُوا وَاللَّهُ وَلِيُّ الْمُؤْمِنِينَ

“Pa dyshim, njerëzit më të afërt me Ibrahimin janë ata të cilët e pasuan atë dhe ky Profet me besimtarët (e tij). Allahu është kujdestari i besimtarëve.” (Suretu Ali Imran: 68)

Dy ngjarje nga hixhreti i disa besimtarëve të këtij umeti për në Sham.

Sheihul islam Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- dhe familja e tij janë prej atyre besimtarëve që e kanë marrë rrugën e hixhretit për në Sham, pas sulmeve barbare të mongolëve në vitin 668 H. Për shkak të sulmeve të tyre ata u shpërngulën nga Harrani i cili sot bie në Turqi, por që atëherë banohej nga arabë, për në Damask të Shamit. Pas përmendjes së hadithit të mësipërm, ai citon:

Në këtë hadith ka përgëzim të madh për familjet tona të cilat bënë hixhret nga Harrani dhe nga vende të tjera për në vendin e hixhretit të Ibrahimit, duke ndjekur fenë e Ibrahimit dhe mësimet e profetit tonë Muhamed -salallahu alejhi ue selam. Hixhreti i tyre është si hixhreti i shokëve të profetit të Allahut Muhamedit (alejhi selam) edhe pse pas kohës së tyre, sepse hixhreti është për atje ku është profeti dhe gjurmët e tij. Vendi i hixhretit të Ibrahimit për ne është si vendi i hixhretit të profetit tonë, sepse hixhreti për tek vendi i hixhretit të profetit tonë është ndërprerë pas çlirimit të Mekës.[5]

Të njëjtën gjë e shpreh edhe sheih Albani -Allahu e mëshiroftë- për hixhretin e babait të tij në vitin 1923 sipas kalenderit kristian[6], pas përmendjes së të njëjtit hadith, dhe thotë:

Me këtë rast dua të shpjegoj diçka për historinë dhe për falënderimin e babait tim -Allahu e mëshiroftë. Hadithi është përgëzim i madh për ne, familja e babait tim i cili bëri hixhret me ne nga vendi i tij Shkodra kryeqyteti i atëhershëm i Shqipërisë, dhe u largua për shkak të fesë nga revolucioni i Ahmed Zogut të cilit Allahu i’a devijoi zemrën duke vepruar me myslimanët e Shqipërisë siç veproi Ataturku me turqit.[7]

Me mirësinë dhe mëshirën e Allahut për shkak të këtij emigrimi në Damask të Shamit arrita mirësi të cilën nuk mund t’ia kthej Zotit me falënderim, edhe sikur të jetoj sa Nuhu (alejhi selam) ….[8]

 

Shkroi Dr. Abdullah Nabolli

————————————-

[1] Shih ‘Tefsir Et-Taberij’: 20/26, dhe ‘Tefsir Mukatil’: 3/613.

[2] Nga Kurani, hadithi dhe librat e historisë dihet se Musait -alejhi selam- i’u kërkua çlirimi i Bejtul-Makdis. Josha bin Nun e çliroi Bejtul-Makdisin me luftë. Taluti me Daudin dhe Sulejmanin -alejhim selam- po ashtu kanë luftuar në rrugë të Allahut në kohë të ndryshme.

[3] Shih librin e autorit me titull ‘Zad El-Mesir’: 1/445.

[4] E transmeton imam Taberiu me zinxhir të saktë.

[5] Shih librin ‘Mexhmu El-Fetaua’: 27/509.

[6] Kjo datë është e bazuar në fjalët e Shejhut -Allahu e mëshiroftë- i cili tregon se ka lindur në Shkodër në vitin 1914, dhe mosha e tij kur ka mbërritur në Damask ka qenë 9 vjeç që do të thotë se emigrimi i tij ka ndodhur në vitin 1923. Shih kasetën me titull ‘Terxhemet Esh-Shejkh El-Albani’ me nr: 205.

[7] Shejhu -Allahu e mëshiroftë- me këto fjalë ka për qëllim oksidentalizmin, apo animin nga kultura perëndimore për të cilën është njohur mbreti Zog në kohën e tij. Më vonë ky anim i tij e shtyu atë kur u bë mbret të nxjerrë disa ligje që kufizonin lirinë fetare të myslimanëve, si p.sh. ndalimi i ferexhesë për gratë myslimane të cilat në atë kohë nuk dilnin pa të.

[8] Shih librin ‘Silsilet-ul-Ehadith Es-Sahiha’: 7/615.

Loading...