Veçoria e katërt: Xhamia e begatë e Aksas

May 20, 2021

Veçoria e katërt: Xhamia e begatë e Aksas.
Në Sham gjendet xhamia e begatë e Aksas ose siç njihet ndryshe Bejtul-Makdis. Kjo xhami ndodhet në Palestinë në qytetin e vjetër Ilija ose ndryshe El-Kuds si i thonë myslimanët, ose Jeruzalem siç njihet nga bota e krishtere.
Emrat e xhamisë së Aksas dhe kuptimet e tyre.
Xhamia e Aksas si thamë më lart njihet me disa emra, ku tre më të njohurit janë:
– El-Mesxhid El-Aksa që do të thotë “Xhamia më e largët”, sepse ajo në lidhje me Mekën është më e largëta.
Me këtë emër është përmendur dhe në Kuran ku Allahu i Madhëruar thotë: “I Lartësuar qoftë Allahu i Cili e nisi robin e tij në udhëtim natën, nga xhamia e shenjtë (Qabja) për në xhaminë e Aksas, rreth së cilës kemi hedhur begatinë Tonë.” Suretu El-Isra: 1.
Bejtul-Makdis që do të thotë “Shtëpia e Pastërtisë”, dhe është quajtur me këtë emër sepse është vendi ku njeriu pastrohet nga gjynahet, – siç thonë komentuesit e haditheve.
Me këtë emër është përmendur shpesh herë si në fjalët e Profetit – alejhi selam – ashtu dhe në fjalët e sahabëve, tabiinëve etj.
Xhabir bin Abdilah – radiallahu anhu – tregon se e ka dëgjuar Profetin – alejhi selam – duke thënë: “Kur Kurejshët më përgënjeshtruan (udhëtimin brenda natës për në xhaminë e Aksas), shkova te Hixhri (një vend bosh në formën e një gjysmë rrethi përbri Qabes) dhe Allahu ma zbuloi Bejtul-Makdisin dhe unë fillova t’ju tregoj rreth saj.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
El-Bera bin El-Azib – radiallahu anhu – tregon: “Jemi falur me Profetin – alejhi selam – në drejtim të Bejtul-Makdis gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë muaj, pastaj u urdhëruam të kthehemi në drejtim të Qabes.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Mesxhid Ilija që do të thotë “Xhamia e qytetit të Ilijasë”, sepse thamë se Jeruzalemi njihet edhe me këtë emër. Ose Ilija është vetë xhamia sepse fjala Ilija nga hebraishtja do të thotë “Shtëpia e Allahut” siç thonë dijetarët e gjuhës arabe, dhe sipas këtij mendimi kuptimi i emrit është “Xhamia e Shtëpisë së Allahut”.
Edhe ky emër mendohet të jetë përmendur nga Profeti – alejhi selam – në hadithin e ndalimit të udhëtimit veçse për në tre xhamitë e begata, sepse në një prej transmetimeve të këtij hadithi Ebu Hurejra – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhi selam – ka thënë: “Udhëtohet për në tre xhami: Xhamia e Qabes, xhamia ime dhe xhamia e Ilijasë.” E transmeton Muslimi.
Mirëpo ka mundësi që hadithi të jetë përcjellë vetëm me kuptim, d.m.th. transmetuesi ka përdorur fjalët e tij për të përcjellë hadithin dhe ai i bie të jetë nga transmetuesit. Megjithatë, ky emërtim ka qenë i njohur tek sahabët dhe tabiinët sepse ka ardhur edhe në hadithe të tjera.
Vijon………………………
Dr. Abdullah Nabolli
Loading...