Falënderimi i qoftë Allahut! Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Profetin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij! Tubimi i sotëm do trajtojë disa vepra të thjeshta (të lehta) por që sjellin shpërblime të mëdha. Këto vepra nuk kërkojnë lodhje të madhe fizike apo ndonjë veprim të madh, por përkundrazi, janë vepra të thjeshta dhe nëse pranohen nga Allahu sjellin shpërblim të bollshëm.
Do të përmend katër ose pesë vepra (në varësi të kohës) që janë të njohura për të gjithë, por disa njerëz mund t’i nënvlerësojnë ose të mos u kushtojnë rëndësi.
Vepra e parë është përcjellja e muezinit (në fjalët e ezanit). Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur flet për shpërblimin e atij që përcjell muezinin, ka thënë se ai që ndjek muezinin dhe përsërit fjalët e tij do të fitojë ndërmjetësimin e tij në ditën e gjykimit. Ibën Haxher el Askalani ka thënë: Në kohët e hershme sahabët dhe pasuesit e tyre e dëgjonin muezinin me vëmendje, ashtu si dëgjonin një lexues të Kuranit. Ndërsa shejh Ibën Bazi ka thënë një fjalë të njohur: “Vetëm ai që është i privuar nga mirësitë e mëdha nuk e përcjell ezanin.” Pra, e privon veten nga një mirësi e madhe që nuk i kushton më shumë se një minutë apo dy për të përcjellë ezanin dhe për të përsëritur fjalët e muezinit.
Vepra e dytë është prej veprave të thjeshta (të lehta) por që sjellin shpërblime të mëdha është të flesh me abdes. Para se të shkosh për të fjetur merr abdes. Pra, fli duke qenë me abdes. Cili është shpërblimi nëse vepron kështu? Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur njeriu bie të flerë me abdes një engjëll qëndron mbi kokën e tij, dhe sa herë që ai rrotullohet gjatë natës djathtas apo majtas engjëlli lutet për të duke thënë: O Allah, falja këtij njeriu sepse ai fjeti duke qenë i pastër.” Lutja e engjëllit është një lutje që ka shumë gjasa të pranohet prandaj mundohu të flesh duke qenë i pastër dhe me abdes. Disa dijetarë interpretues të hadithit kanë thënë se të flesh me abdes i sjell njeriut ëndrra të qeta dhe i mundëson qetësi shpirtërore dhe fizike. Në një hadith të saktë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur të shkosh të shtrihesh për të fjetur merr abdes si për namaz, pastaj shtrihu në anën e djathtë dhe thuaj:
اللهم أسلمتُ نفسي إليك ووجَّهتُ وجهي إليك وفوضتُ أمري إليك وألجأتُ ظهري إليك رهبةً إليك لا ملجأ ولا منجأ منك إلا إليك آمنتُ بكتابك الذي أنزلت وبنبيك الذي أرسلت
“O Allah, ta kam dorëzuar shpirtin Ty, fytyrën time e kam kthyer nga Ti, çështjet e mia t’i kam besuar Ty, shpinën time e kam mbështetur tek Ti nga frika dhe shpresa ndaj Teje. Nuk ka strehim apo shpëtim prej Teje përveçse tek Ti. I kam besuar Librit Tënd që e ke shpallur dhe Profetit Tënd që e ke dërguar.”
Lutje e shkurtër që nëse e thua dhe vdes atë natë vdes duke qenë në natyrën e pastër (Islame), dhe nëse zgjohesh do të zgjohesh në hajër të madh. Kjo është vepra e dytë nga ato vepra të lehta që sjellin shpërblime të mëdha.
Vepra e tretë e cila klasifikohet në atë që kanë thënë dijetarët si njëri nga hadithet me shpërblimin më të madh në Islam, paçka se kërkon përpjekje të vogël. Kur veprohet kjo vepër? Kjo vepër bëhet ditën e xhuma.
Pra njëri nga hadithet me shpërblimin më të madh në Islam paçka se kërkon përpjekje të vogël, veprohet nga muslimani në ditën e xhuma. Cili është ky hadith dhe çfarë shpërblimi përmend? Hadithi gjendet në Musnedin e Imam Ahmedit dhe është përcjellë nga sahabi Eus Ibn Eus, mendohet të jetë Thakafi. Teksti i hadithit nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është ky (le të dëgjojmë veprat që bëhen dhe shpërblimet që jepen për këto vepra). Profeti sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush lahet mirë ditën e xhuma dhe më pas niset herët për të shkuar në xhami, ecën duke mos hipur në ndonjë mjet dhe i afrohet imamit dhe e dëgjon atë pa folur.” Pastrimi, nisja herët, ecja, afrimi te imami dhe dëgjimi me vëmendje. Nëse kryhen të gjitha këto, cili është shpërblimi? “Në çdo hap të tij do të ketë shpërblime sikur ka agjëruar dhe është falur natën për një vit.”
Autor: Abdul Aziz es Sed’han
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Vepra të lehta dhe shpërblime të mëdha
Të Ngjashme
- Në këtë rast nuk duhet të falesh! Udha e Besimtarëve
- Fjalë të ndritura me dritën e sheriatit, arsyes dhe urtësisë Udha e Besimtarëve
- Pesë fazat nëpër të cilat kalon njeriu Udha e Besimtarëve
- Mirësjellja në xhami Udha e Besimtarëve
- Çdo cilësi e lavdërueshme është e rrethuar nga dy cilësi të qortueshme Udha e Besimtarëve