Vetëm tek Allahu kërkoni furnizim dhe vetëm Atë adhuroni

January 13, 2020

Vetëm tek Allahu kërkoni furnizim dhe vetëm Atë adhuroni

Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, ata që ju i adhuroni në vend të Allahut nuk kanë pushtet t’u furnizojnë, andaj vetëm tek Allahu kërkoni rrisk. Adhuroni e falënderoni vetëm Atë sepse tek Ai do të ktheheni.” El-Ankebut: 17.

Në këtë ajet Allahu i Madhëruar i urdhëron robërit e Tij që t’a kërkojnë furnizimin vetëm tek Ai dhe te askush prej atyre që adhurohen padrejtësisht përveç Tij. Ngase, siç thotë i Madhëruari: “Vërtet, ata që ju i adhuroni në vend të Allahut janë vetëm idhuj.[1] Pra nuk posedojnë asgjë dhe janë të pafuqishëm.

I Lartësuari thotë: “O njerëz, është sjellë një shembull andaj dëgjojeni atë: Idhujt që ju i adhuroni në vend të Allahut nuk mund të krijojnë as edhe një mizë edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk do të mund t’ia marrin. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi) por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli).”[2]

Dobitë që përfitohen nga ajeti:

E para: Baza e fesë së të dërguarve – nga i pari deri tek i fundit – është teuhidi. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne e dërguam Nuhun te populli i tij dhe ai u tha: O populli im, adhuroni Allahun! Ju nuk keni të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Tij.[3] Kjo ka qenë thirrja e të Dërguarit të parë në momentin kur në tokë u shfaq shirku.

Profeti Hud (alejhi selam) i tha popullit të vet: “Adhuroni Allahun sepse ju nuk keni të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Tij!”

Profeti Salih (alejhi selam) i tha popullit të vet: “Adhuroni Allahun sepse ju nuk keni të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Tij!”

Profeti Shuajb (alejhi selam) i tha popullit të vet: “Adhuroni Allahun sepse ju nuk keni të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Tij!”

E dyta: Kotësia e adhurimit të idhujve.

E treta: Vetëm tek Allahut duhet të kërkohet furnizimi.

E katërta: Obligueshmëria e adhurimit të Allahut. Pra, vetëm Ai meriton të adhurohet me të drejtë dhe askush tjetër.

E pesta: Obligueshmëria e falënderimit ndaj Allahut. Falënderimi bëhet me zemër, me gjuhë dhe me gjymtyrë.

E gjashta: Pohimi i ringjalljes dhe shpërblimit sipas veprës që njeriu ka punuar në dynja.

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme

———————————————-

[1] El-Ankebut: 17.

[2] El-Haxh: 73.

[3] El-Mu’minun: 23.

Loading...