Vizita e varreve dhe kërkimi i ndihmës nga i varrosuri – 1 –

March 18, 2011

Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit

(Teksti i pyetjes që iu drejtua Shejkhut të Islamit)

Shejkhul-Islam Ahmed ibën Tejmijjeh (Allahu e mëshiroftë), u pyet për atë person që viziton varret dhe kërkon ndihmë nga i varrosuri. Këtë e bën ngaqë ai vetë është i sëmurë, ose i është sëmurë kali apo deveja e tij. Ai kërkon largimin e sëmundjes që ata kanë dhe thotë: “O zotëria im! Unë jam në fqinjësinë tënde dhe jam nën mbrojtjen tënde. Filani më ka bërë padrejtësi, filani donte të më dëmtonte.” Ai thotë se i varrosuri është ndërmjetës midis tij dhe Allahut të Lartmadhëruar. Gjithashtu, çfarë thoni për atë që zotohet se do të investojë për xhamitë, për qoshet dhe teqetë (vendet në të cilat qëndrojnë shehlerët dhe dervishlerët), për shehlerët (qofshin të gjallë apo të vdekur) me anë të të hollave, deveve, deleve, qirinjve, vajit, etj.? Ose thotë: Nëse djali im shpëton, zotohem se kam për t’i dhënë shehut këtë dhe këtë? Gjithashtu, çfarë thoni për atë person që i drejtohet për ndihmë shehut të vet, duke kërkuar prej tij që t’ia bëjë zemrën të qëndrueshme nga një ngjarje e caktuar?

Po për një tjetër, që shkon tek shehu i tij, duke patur për qëllim varrin dhe vendos fytyrën mbi të, fërkon varrin me duar dhe më pas fshin me to fytyrën e tij, e të tjera veprime të ngjashme me këto? Po për një tjetër, që shkon tek ai për një nevojë që ka dhe thotë: O filan! Me bereqetin tënd. Ose thotë: M’u plotësua nevoja që kisha me bereqetin e Allahut dhe bereqetin e shehut! Po për atë që mendon se i varrosuri dëgjon dhe kështu vjen tek varri, zbulohet dhe vendos kokën para shehut, i përulur në tokë (në formën e sexhdes)? Po për një tjetër që thotë: Ndodhet një “El-Kutb”, “El-Gauth”, “El-Xhami’” në këtë ekzistencë? Shpresojmë të na japësh përgjigje të detajuar për këtë çështje.

(Fillimi i përgjigjes)

Ibën Tejmijjeh (Allahu e mëshiroftë) u përgjigj:

Gjithë falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e gjithë botëve. Feja me të cilën Allahu dërgoi të dërguarit dhe zbriti librat e Tij, është adhurimi i Allahut Një të Vetëm, pa asnjë shok dhe ortak. Kërkimi i ndihmës prej Tij, të mbështeturit tek Ai dhe të lutet vetëm Ai për sjelljen e dobive dhe largimin e dëmeve. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “1- Shpallja e Librit (Kur’anit) është nga Allahu, i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues. 2- Vërtetë që Ne të kemi zbritur ty (Muham-med) Libër me të vërtetën dhe adhuroje Allahun duke plotësuar detyrat e fesë së Tij me sinqeritet vetëm për hir të Tij. 3- A nuk është për Allahun feja e vërtetë (adhurimi, përkushtimi, nënshtrimi). Dhe ata që zgjedhin për mbrojtës e ndihmues të tjerë në vend të Tij (thonë): Ne nuk i adhurojmë ata vetëm që të mund të na afrojnë tek Allahu. Padyshim që Allahu do të gjykojë midis tyre në lidhje me atë për çfarë dyshuan.” [Ez-Zumer: 1-3] I Lartmadhëruari përsëri thotë: “Dhe vërtetë që xhamitë janë për Allahun (të Vetëm), kështu që mos lutni asnjë tjetër bashkë me Allahun.” [El-Xhin 18] Gjithashtu thotë: “Thuaj: Zoti im më ka urdhëruar drejtësi dhe t’i drejtohemi vetëm Atij (të adhurojmë vetëm Allahun duke u kthyer nga kibla gjatë faljeve) në çdo xhami që të jemi duke u falur, duke  iu lutur vetëm Atij, duke e shprehur fenë tuaj zemërhapur dhe me përkushtim ndaj Tij.” [Al-A’raf: 29] Allahu i Lartësuar thotë: “56- Thuaju (o Muham-med): Thërrisni ata përveç Atij (Allahut) të cilët juve ua merr mendja (për zota si: melekët, pejgamberët kushdo qofshin, Isai, Uzeiri, idhuj etj.). Ata nuk kanë fuqi për ta larguar të keqen prej jush, dhe as për ta kaluar atë prej jush tek dikush tjetër. 57- Ata të cilëve u thërrasin (si Isai -biri i Merjemes-, Uzeiri, melekët etj.) vetë duan (për veten e tyre) mënyrë e rrugë të drejtë afrimi tek Zoti i tyre (Allahu). Secili prej tyre do të donte të ishte më i afërti dhe ata (Isai, Uzeiri, melekët, etj.) vetë shpresojnë mëshirën e Tij dhe i frikësohen ndëshkimit  të Tij. Vërtetë që ndëshkimit të Zotit tënd është për t’iu pasur frikë.” [El-Isra: 56-57]

Disa nga selefët (të parët tanë) kanë thënë: Disa njerëz thërrisnin dhe lutnin Mesihun, Uzeirin dhe melekët. Allahu i Madhëruar tha: “Ata të cilët ju i lutni janë robërit e Mi, ashtu sikurse edhe ju jeni robërit e Mi. Ata shpresojnë mëshirën Time, ashtu sikurse edhe ju shpresoni mëshirën Time. Ata kanë frikë ndëshkimin Tim, ashtu sikurse edhe ju keni frikë ndëshkimin Tim dhe ata afrohen tek Unë, ashtu sikurse edhe ju afroheni tek Unë.” Përderisa kjo është gjendja e atyre që thërrasin e lusin pejgamberët dhe melekët, atëherë vallë si është gjendja e atyre që janë më poshtë tyre (në gradë)?!

Allahu i Lartmadhëruar thotë: “A mos mendojnë ata që nuk besojnë se ata mund të marrin robërit e Mi (të dërguarit e Mi, Isain birin e Merjemes, Uzeirin, melekë, shenjtorë etj.) si eulija (zota, mbrojtës, ndihmues) përveç Meje? Vërtet që Ne kemi përgatitur xhehenemin për vendpritjen e pabesimtarëve.” [El-Kehf: 102] Gjithashtu thotë: “Thuaj (o Muham-med këtyre politeistëve dhe  paganëve): Thirruni atyre të cilët ju i pohoni (se janë zota) në vend të Allahut (Një). Ata nuk kanë as sa pesha e një grimce (sa një milingonë), qoftë në qiej e qoftë në tokë, e as nuk kanë aspak pjesë në ndonjërin prej tyre (në qiej ose në tokë) dhe nuk ka asnjë mbrojtës për ta tek Ai nga mesi i tyre. Ndërmjetësimi tek Ai nuk ka dobi përveçse për atë për të cilin Ai lejon.” [Sebe’: 22-23]

Allahu i Lartësuar tregoi qartë, se kush lutet përveç Allahut prej të gjitha krijesave, qofshin prej melekëve, njerëzve e të tjerë, ata që të gjithë pa përjashtim nuk kanë as sa pesha e një grimceje në sundimin e Tij. Gjithashtu, Ai nuk ka asnjë ortak në sundimin e Tij, madje Ai i Lartësuari, është i Vetmi Sundimtar, Atij i takon falënderimi dhe lavdërimi, Ai është i Plotfuqishmi për çdo gjë. Ai nuk ka ndonjë ndihmëtar që ta ndihmojë ashtu siç ka një mbret këshilltarët dhe përkrahësit e Tij. Ndërmjetësuesit nuk mund të ndërhyjnë për askënd tek Allahu, veçse për atë me të cilin Ai është i kënaqur. Pra duket qartë, se me sa përmendëm janë të mohuara të gjitha mënyrat që të çojnë në shirk.

Ai që ata lutin përveç Allahut, është sundimtar ose nuk është sundimtar. Nëse nuk është sundimtar atëherë është ortak, ose nuk është ortak. Nëse nuk është ortak, atëherë është ndihmëtar ose kërkues.

Tri llojet e sipërpërmendura, sundimi, ortakëria dhe ndihma janë të mohuara, kurse përsa i përket të katërtës, ajo ndodh vetëm pas lejes  së Allahut. Siç thotë Allahu i Lartësuar: “E kush është Ai që mund të ndërmjetësojë tek Ai përveçse me lejen e Tij.” [El-Bekare: 255] Gjithashtu thotë: “Dhe ka shumë melekë në qiej, ndërmjetësimi i të cilëve nuk vlen, vetëm pasi Allahu të ketë dhënë lejen për atë që Ai do dhe dëshiron.” [En-Nexhm: 26] Po ashtu thotë: “A kanë marrë të tjerë si ndërmjetësues në vend të Allahut? Thuaj: Edhe sikur ata të mos kenë fuqi mbi asgjë dhe që të mos mendojnë? Thuaj: Allahut i takon ndërmjetësimi, Atij i përket sundimi i qiejve dhe tokës.” [Ez-Zumer: 43-44] Gjithashtu thotë: “Allahu është Ai i Cili ka krijuar qiejt dhe tokën dhe gjithçka që ndodhet midis tyre, në gjashtë ditë. Pastaj Ai u ngrit dhe qëndroi mbi Arsh (në fronin e tij madhështor,  ashtu si i takon madhështisë së Tij). Ju o njerëz nuk keni askënd tjetër veç Tij si mbrojtës dhe as ndërmjetësues. A nuk do të përkujtoni (e të këshilloni) pra?” [Es-Sexhde: 4] Po ashtu thotë: Këshillojua (Kur’anin) atyre që kanë frikë se do të mblidhen tek Zoti i tyre kur nuk do të ketë as mbrojtës për ta e as ndërmjetësues përveç Atij (Allahut), me qëllim që ata ta kenë frikë Allahun dhe të plotësojnë detyrat ndaj Tij (duke u përmbajtur nga ndalesat e duke kryer detyrimet e urdhëruara).” [En-Aam: 51] Dhe thotë: “79- Nuk është e mundur për askënd të cilit Allahu i ka dhënë Librin, Hukmin (gjykimin, urtësinë dhe dijen e plotë të fesë) dhe pejgamberinë që t’u thotë njerëzve: “Bëhuni adhuruesit e mi në vend të Allahut. Përkundrazi (ai duhet t’u thotë): Jini Rabbanijjinë (njerëz të ditur fetar që zbatojnë çfarë dinë dhe ftojnë të tjerët), sepse ju po u mësoni Librin dhe po e studioni atë. 80- As nuk do t’ju urdhëronte të merrnit melekët ose pejgamberët për zota. A mos vallë do t’ju urdhëronte të mohonit pasi ju t’i ishit nënshtruar Allahut (muslimanë)?” [Al-Imran: 79-80]

Përderisa Ai ka gjykuar se kush merr për zota melekët dhe pejgamberët është pabesimtar, atëherë si do të jetë gjendja e atij që merr për zota ata të cilët janë më të ulët në gradë, si shehlerët etj.?!

Tani do ta shtjellojmë më tepër këtë çështje duke thënë: Në rast se kërkesa e robit është prej gjërave të cilat nuk mund t’i plotësojë askush tjetër përveç Allahut, si p.sh. të kërkojë shërimin e të sëmurit, qoftë prej njerëzve apo kafshëve, shlyerjen e borxhit pa patur ndonjë burim të caktuar, shëndetin e familjes së tij, largimin e fatkeqësisë qoftë në këtë botë apo në botën tjetër, triumfin ndaj armikut, udhëzimin e zemrës, faljen e gjynahut, hyrjen në Xhennet, shpëtimin nga zjarri, mësimin e diturisë dhe Kur’anit, rregullimin e zemrës, përmirësimin e moralit, pastrimin e vetes, etj., atëherë që të gjitha këto në formë të prerë, nuk lejohet të kërkohen prej askujt tjetër përveç Allahut të Lartmadhëruar. Pra, nuk lejohet në asnjë mënyrë t’i thotë melekut, pejgamberit apo shehut (qoftë i gjallë apo i vdekur): -Më fal gjynahun, më ndihmo ndaj armikut, më shëro të sëmurin, më jep shëndet mua, familjes dhe kafshës sime- etj. . Kush i kërkon këto nga ndonjë krijesë (kushdo qoftë), ai është mushrik, që i ka bërë Allahut shok në adhurim. Ky lloj shirku që ai bëri, është si shirku i mushrikëve të cilët adhurojnë melekët, pejgamberët dhe statujat, të cilat i përshkruajnë në formën e pamjeve të tyre. Po ashtu është si lutja që i bëjnë të krishterët Mesihut dhe nënës së tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Kujto dhe kur Allahu do të thotë (ditën e ringjalljes): O Isa, biri i Merjemes! A mos u the ti njerëzve: Më adhuroni mua dhe nënën time si dy zota përkrah Allahut?” [El-Maide: 116] Po ashtu thotë: “Ata (çifutët dhe të krishterët) morën rabinët dhe murgjit e tyre si perëndi të tyren në vend të Allahut, (morën për zot të tyre) edhe Mesihun, birin e Merjemes, ndërkohë që ata qenë urdhëruar të mos adhurojnë askënd tjetër, por vetëm një Zot, nuk ka zot tjetër përveç Tij (që e meriton adhurimin). I Lartësuar është Ai nga të pasurit shokë që ata ia mveshin Atij.” [Et-Teube: 31]

Ndërsa, përsa u përket gjërave që ka mundësi t’i plotësojë robi, është e lejuar t’i kërkohet dikujt në disa raste dhe është e ndaluar në disa të tjera. Allahu i Lartësuar  thotë: “Kështu që kur të kesh mbaruar (punën, detyrën tënde) ngrihu dhe qëndro në adhurim të Allahut (duke kryer falje). Dhe (vetëm) tek Zoti yt ktheji (të gjitha qëllimet, shpresat dhe) lutjet.” [Esh-Sherh: 7-8]

Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) e porositi Ibën Abasin duke i thënë: “Nëse kërkon (diçka), kërko prej Allahut dhe nëse kërkon ndihmë, kërko prej Allahut.” Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) porositi disa prej shokëve të tij duke u thënë, që të mos u kërkojnë asgjë njerëzve. Aq sa ka patur prej tyre ndonjë, që i binte shkopi nga dora (ndërkohë që ishte mbi kafshë), dhe nuk i thoshte askujt, ma jep atë. Po ashtu, është fiksuar në dy Sahihët (në Sahihun e Imam Bukhariut dhe Sahihun e Imam Muslimit) se Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Shtatëdhjetë mijë (njerëz) prej Umetit (popullit) tim do të hyjnë në Xhennet pa llogari. Ata që nuk kërkojnë rukje (leximi i diçkaje prej Kur’anit për të sëmurin), ata që nuk përdorin djegien me zjarr për shërimin e sëmundjeve, ata që nuk përdorin shenjat e ogurit dhe që tek Zoti i tyre mbështeten.” Fjala El-istirka (që ka ardhur në fillim të hadithit) do të thotë: Kërkimi i rukjes, që është prej llojeve të lutjes. Megjithatë, është transmetuar se Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Për çdo person, që lutet për vëllanë e tij në fshehtësi me ndonjë lutje, Allahu ngarkon një melek me përgjegjësi, që sa herë ai të lutet për vëllanë e tij, meleku thotë: Edhe për ty njëlloj si ai.”

Prej lutjeve që ka aprovuar Sheriati, është edhe lutja e një personi që mungon, për një të papranishëm. Prandaj, pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka urdhëruar që të bëhet salavati për të dhe që ne të kërkojmë Uesilen (një gradë e veçantë) për të. Gjithashtu na ka njoftuar se do të kemi shpërblim nëse e bëjmë këtë lutje për të. Ai thotë: “Kur ta dëgjoni muezinin, përsëriteni atë që ai thotë, dhe më pas bëni salavate për mua, sepse kush bën një salavat për mua, Allahu bën dhjetë për të. Pastaj kërkoni për mua Uesilen. Ajo është një gradë në Xhennet, që s’mund ta ketë vetëm se një rob prej robërve të Allahut, dhe shpresoj që të jem unë ai rob. Kush kërkon Uesilen për mua, i lejohet Shefati (ndërmjetësimi) im Ditën e Kijametit.”

Prej mënyrave që ka aprovuar Sheriati, është fakti që muslimani ta kërkojë lutjen nga dikush që është mbi gradën e tij dhe nga dikush që është poshtë gradës së tij. Kërkimi i lutjes është transmetuar nga dikush që është më lart ose më poshtë në gradë se kërkuesi, sepse Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) kur përcolli Umerin për në Umre i tha: “Mos na harro në lutjet e tua o vëlla.” Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) kur na urdhëroi të bëjmë salavat dhe të kërkojmë Uesilen për të, na njoftoi se kush bën një salavat për të, Allahu ka për t’i bërë atij për shkak të atij salavati dhjetë salavate. Po ashtu na njoftoi se kush kërkon për të Uesilen, atij i lejohet  ndërmjetësimi i pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) Ditën e Kijametit. Pra kërkimi i asaj gjëje prej nesh është në dobinë tonë, dhe padyshim që ka dallim të theksuar midis atij që kërkon diçka nga dikush që i kthehet dobia atij, dhe midis atij që kërkon nga dikush që të plotësojë vetëm nevojën e vet. Është fiksuar në “Sahih” (Sahihun e Imam Muslimit), se Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) i përmendi Umerit Uejsenil-Karnij[1] dhe i tha: “Nëse ke mundësi që ai të kërkoj falje për ty bëje!” Në dy Sahihët, është transmetuar se ka patur diçka midis Ebu Bekrit dhe Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me ta), dhe Ebu Bekri i tha Umerit: “Kërko falje për mua”. Mirëpo në hadith thuhet se Ebu Bekri u zemërua me Umerin. Gjithashtu është transmetuar se disa njerëz kërkonin rukje dhe pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) u lexonte atyre.

Në dy Sahihët është fiksuar, se njerëzit kur i goditi thatësira, kërkuan nga pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) që të kërkoj shi për ta. Ai e luti Allahun për ta dhe u furnizuan me shi.

Po ashtu është transmetuar në dy Sahihët, se Umer Ibën Khatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të) kërkoi shi me anë të Abasit. Ai e luti Allahun duke thënë: “O Allah! Ne kur na godiste thatësira ndërmjetësoheshim tek Ty me anë të Pejgamberit tonë dhe e dërgoje shiun. Ndërsa tani ndërmjetësohemi tek Ty me anë të xhaxhait të Pejgamberit tonë, na e zbrit shiun” Dhe më pas u zbriste shiu.

Ka ardhur në Sunen (të Ebu Daudit), se një nga banorët e shkretëtirës i tha Pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të): Njerëzit po vuajnë, fëmijët janë të uritur dhe po shkatërrohet pasuria, prandaj lute Allahun për ne. Ne po ndërmjetësohemi me Allahun tek ty dhe me ty tek Allahu. I Dërguari i Allahut madhëroi dhe lartësoi Allahun, aq sa  kjo u dallua qartë në fytyrat e shokëve të tij dhe tha: “Mjerë për ty?! Askush nuk mund të ndërmjetësohet me Allahun tek ndonjë nga krijesat e Tij. Pozita e Allahut është më e madhe se kjo gjë.”

Ai e aprovoi fjalën e tij: “Ne po ndërmjetësohemi me ty tek Allahu.” Ndërsa fjalën: “Ne ndërmjetësohemi me Allahun tek ty.”, e mohoi, sepse ndërmjetësuesi kërkon prej atij tek i cili bën ndërmjetësim, dhe robi i kërkon Zotit të tij dhe kërkon ndërmjetësim tek Ai. Ndërsa Allahu i Lartësuar nuk kërkon prej robit dhe nuk kërkon ndërmjetësim tek ai.


[1] Ai është Uejs ibën Amir  el-Karnij El-Muradij., zahid i njohur. Ka jetuar në kohën e pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), por nuk e ka parë atë (nuk është takuar me të). Pejgamberi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) pati informuar për të, para ardhjes së tij (para se të vinte në Medine). Ka transmetuar hadithe nga Umeri dhe Aliu. Ka marrë pjesë në luftën e Sif-fijnit me Aliun dhe ka qenë nga muslimanët më të zgjedhur. E ka pranuar Islamin gjatë jetës së pejgamberit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), por e ka penguar mirësia (përkujdesja) ndaj nënës së tij që të takohej me pejgamberin (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).

Përshtati në gjuhën shqipe, Bledar Ali

Dosje:

Loading...