Vlera e dhënies së iftarit për agjëruesin

April 18, 2022

Vlera e dhënies së iftarit për agjëruesin.

Transmetohet nga Zejd ibn Halid el-Xhuheni se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush i jep iftar një agjëruesi do të ketë një shpërblim të ngjashëm me të tijin, pa i zvogëluar aspak shpërblimin agjëruesit (që i dha iftarin).”

Transmeton Tirmidhiu 807, dhe Ibn Maxheh 1746. I klasifikuar si sahih nga Ibn Hibani 8/216 dhe nga Albani në Sahih el-Xhami 6415.

Shejhul-Islam Ibn Tejmije ka thënë: “Ajo që nënkuptohet me dhënien e iftarit është t’i japësh atij aq sa të ngopet.” El-Ihtijarat, fq. 194.

Selefët ishin të prirur për të siguruar ushqim për të tjerët dhe ata besonin se kjo ishte një nga veprat më të mira.

Njëri prej selefëve ka thënë: Të ftoj dhjetë nga shokët e mi dhe t’i ushqej me ushqimin që u pëlqen, është më e dashur për mua sesa të liroj dhjetë skllevër nga djemtë e Ismailit nga robëria.

Shumë prej selefëve hiqnin dorë nga iftari i tyre për t’ua dhënë të tjerëve, si; Abdullah ibn Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të), Daud et-Ta’i, Malik ibn Dinar dhe Ahmed ibn Hanbel.

Ibn Umeri e prishte iftarin vetëm me jetimët, të varfërit dhe nevojtarët.

Në mesin e selefëve kishte nga ata që u ofronin ushqim vëllezërve të tyre gjatë agjërimit dhe uleshin dhe u shërbenin, si shembulli i Hasenit dhe Ibn Mubarekut.

Ebu Sivar el-Adevi ka thënë: Burrat e fisit Beni Adij faleshin në këtë xhami dhe asnjëri prej tyre nuk e prishte iftarin i vetëm. Nëse gjenin dikë që t’u bashkohej ata hanin me të, përndryshe merrnin ushqimin e tyre në xhami dhe hanin me njerëzit.

Prej ibadetit të sigurimit të ushqimit për njerëzit burojnë edhe shumë ibadete të tjera, si shtimi i dashurisë dhe miqësisë ndaj atyre që u jepet ushqimi, i cili është mjet për të hyrë në xhenet. Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Nuk do të hyni në Xhenet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të doni njëri-tjetrin.” Muslimi 54.

Gjithashtu, ky veprim sjell praktikën e të ndenjurit me njerëz të mirë dhe llogaritjen e shpërblimit, duke i ndihmuar ata në kryejen e ibadeteve për të cilat marin forcë duke ngrënë ushqimin e tij.

 

Përktheu: Fatjon Isufi

Loading...