Xhumaja në një vend ku nuk ka myslimanë.

July 13, 2016

Xhumaja në një vend ku nuk ka myslimanë.

Dikush pyet: Një vëlla që banon në një nga ishujt e Greqisë dhe nuk njeh besimtarë të tjerë, çfarë mund të bëjë në lidhje me xhumanë? A mund ta falë atë me nënën dhe motrën e tij?

Përgjigja: Këto janë probleme të pashmangshme që lindin nga banimi në një vend jomysliman dhe në të tilla raste njeriu duhet të interesohet se ndoshta ka myslimanë dhe ai nuk e di dhe ndoshta ka edhe vende ku falet xhumaje por ezani nuk thirret jashtë se është i ndaluar e nëse nuk gjen siç thotë ky vëlla atëherë për ti dhënë përgjigje atij duhet të dimë se çkushte duhen plotësuar për të falur xhumanë?

Sheikhu ynë i nderuar Muhamed Nasirudin El-Albani -Allahu e mëshiroftë- thoshte: Nuk di nga kurani dhe syneti kusht për faljen e xhumasë veçse xhematin (dmth: të ketë një numër besimtarësh me të cilët nëse falesh me ta në çfarë do namazi qoftë ai konsiderohet namaz me xhemat) dhe nuk është kusht xhamia dhe kjo përfitohet nga ajeti i kuranit: “O ju që keni besuar, kur të thirret për në namaz ditën e xhumasë, shpejtoni për në përkujtimin e Allahut dhe lëreni tregtinë….” suretu El-Xhumuah: 9.
Nga ky ajet kuptohet kushtëzimi i xhematit dhe nuk kuptohet kushtëzimi i xhamisë prandaj dhe lejohet kur njeriu nuk dëgjon ezan, ta bëjë vetë atë dhe ta falë xhumanë me ata njerëz që ka afër me të cilët nëse falë me ta çfarëdo namazi qoftë ai konsiderohen namaz me xhemat.
Ibn El-Mundhir (dijetari i madh dhe i njohur i fikhut dhe i khilafit i vdekur në vitin 319H) thotë: “Na është transmetuar nga Ibn Omeri -radiallahu anhu- se i shihte banorët pranë burimeve mes Mekës dhe Medinës duke falur xhumanë dhe nuk u thoshte atyre gjë dhe është transmetuar edhe nga Umer bin Abdulazizi -Allahu e mëshiroftë- (prijësi i drejtë i myslimanëve i vdekur në vitin 101H) se i porosiste banorët e burimeve për këtë gjë”. Shih librin El-Ishraf.

Tani nuk mbetet tjetër veçse çështja se sa duhet të jetë numri i njerëzve me të cilët mund të bëhet xhemat?
Nga ajeti i lartpërmendur kuptohet se dikush duhet të thërrasë ezanin dhe dikush duhet të mbajë hytben dhe të prijë gjithashtu në namaz. Kjo gjë i ka bërë disa dijetarë të thonë se numri më i vogël që ta mundëson faljen e xhumasë është dy veta dhe ky është mendimi i imam Sheukanit -Allahu e mëshiroftë-. Shih librin Neil El-Eutar.
Këtë mendim e ka hedhur para Sheukanit Ibrahim En-Nekhaij i cili thoshte: Nëse është edhe një tjetër me imamin, falin të dy së bashku xhumanë me hutbe dhe dy rekate namaz.
Ky mendim është gjithashtu mendimi i El-Hasen bin Haj (dijetar i madhe i Kufes dhe adhurues i përkushtuar i vdekur në vitin 169H), Ebu Sulejman (Daud Edh-Dhahirij dijetar i madh i vdekur në vitin 270H) dhe mendimi i zgjedhur nga Ibn Hazmi -Allahu e mëshiroftë- (dijetari i madh i Andalozisë i vdekur në vitin 456H). Shih librin El-Muhal-la.

Një çështje tjetër e nevojshme për vëllain që pyet: A mund ta thërrasë për të ezanin një femër?

Kjo pyetje mund të lind tani sepse ky vëlla thotë se nuk ka njeri tjetër veç motrës dhe nënës dhe në lidhje me këtë çështje nuk i jap dot përgjigje sepse ezani i grave për gratë është i lejuar dhe për burrat e huaj nuk lejohet ndërsa për burrat që nuk janë të huaj nuk kam dëgjuar ndonjëherë një gjë të tillë. Prandaj i them që ezanin mund tia mësoni qoftë edhe një fëmije mashkull dhe ta bëjë ai ezanin e nëse nuk gjendet atëherë ezani nuk është kusht për pranimin e namazit dhe as xhumasë dhe Allahu e di më së miri.

Dr Abdullah Nabolli

Loading...