Disa baza të sunetit dhe të akides

May 6, 2009

Ka thënë Abdurrahman ibën Ebi Hatim: “Kam pyetur babain tim dhe Ebu Zur’an, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, për medhhebin e Ehli Sunetit në bazat e fesë dhe se çfarë mendimi kanë pasur dijetarët para tyre të çdo ane qofshin ata, dhe se cila është akidja e tyre?

Mu përgjigjën: “Dijetarët e të gjitha anëve; të Hixhazit, Irakut, Egjiptit, Shamit e të Jemenit i kemi gjetur me këtë akide; ata besojnë se[1] :

1. Besimi është fjalë dhe punë, shtohet (rritet) dhe pakësohet (ulet).[2]

2. Kurani është fjala e Allahut e pa krijuar në asnjë aspekt.[3]

3. Kaderi (caktimi), i miri dhe i keqi është nga Allahu i Madhëruar.[4]

4. Më i miri i këtij umeti pas Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem është Ebu Bekër es Sidiku, pastaj Umer ibën Hatabi, pastaj Uthman ibën Afani, pastaj Ali ibën ebi Talibi radijAllahu anhum.

Ata janë halifët (prijësat) e drejtë dhe të udhëzuar.

5. Dëshmojmë për dhjetë të përgëzuarit me Xhenet ashtu siç ka dëshmuar për ta i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve selem, dhe fjala e tij është e vërtetë.[5]

6. Biem rahmet mbi të gjithë sahabët e Profetit sal-lAllahu alejhi ue selem dhe mbi familjen e Tij, dhe nuk flasim për atë që ka ndodhur mes tyre.[6]

7. Besojmë se Allahu i Madhëruar është i ndarë nga krijesat ashtu siç e ka cilësuar Vetveten në librin e Tij dhe në sunetin e Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem. E dëshmojmë këtë pa caktuar mënyrën se si. Ai ka përfshirë gjithçka me dijen e Tij. Nuk është si Ai asgjë, dhe Ai është Dëgjuesi e Shikuesi i gjithçkaje.[7]

8. Allahu i Madhëruar shikohet në ahiret. Do ta shikojnë Atë banorët e Xhenetit me sytë e tyre dhe do dëgjojnë fjalët e Tij ashtu siç Ai dëshiron.[8]

9. Xheneti dhe xhehenemi janë hak (të vërtetë). Ata të dy janë të krijuar dhe nuk do të zhduken kurrë. Xheneti është shpërblim për të dashurit e Allahut dhe të bindurit ndaj Tij, ndërsa zjarri është dënim për kundërshtarët, përveç atyre që do t’i mëshirojë Allahu i Madhëruar.[9]

10. Sirati (ura mbi xhehenem) është hak (e vërtetë).

11. Peshorja e cila ka dy anë (krahë) e që do të peshohen me të veprat e robërve, të mirat dhe të këqijat, është hak.

12. Haudi (liqeni) me të cilin do të nderohet Profeti ynë sal-lAllahu alejhi ve selem është hak.

13. Shefati (ndërmjetësimi) është hak.

14. Dalja e disa njerëzve njësuesa nga zjarri me ndërmjetësim është hak.

15. Dënimi i varrit është hak. Munkeri dhe Nekiri janë hak. Kiramul Katibunët janë hak.[10]

16. Ringjallja pas vdekjes është hak.

17. Gjynahqarët që kanë bërë gjynahe të mëdha do të jenë në mëshirën e Allahut të Madhëruar, prandaj nuk bëjmë qafir ndokënd prej muslimanëve për shkak të gjynaheve, ndërsa të fshehtat e tyre ja lemë Allahut të Lartësuar.[11]

18. Kryejmë xhihadin dhe haxhin me të parët e muslimanëve në çdo kohë, dhe nuk kemi mendimin e daljes kundër prijësave. E dëgjojmë dhe i bindemi atij që Allahu na i ka bërë të parë tonin, dhe nuk heqim dorë nga bindja ndaj tyre.

19. Pasojmë sunetin dhe xhematin dhe largohemi nga kundërshtimet, kundërvëniet dhe përçarjet.

20. Xhihadi ka ekzistuar që kur Allahu dërgoi të Dërguarin e Tij sal-lAllahu alejhi ve selem, dhe do të ekzistojë deri në ditën e kijametit. Ai kryhet me prijësat e muslimanëve dhe nuk e zhvlerëson asgjë.

21. Kështu edhe haxhi, dhe pagesa e zekatit për bagëtitë tek prijësat e muslimanëve.

22. Njerëzit janë besimtarë në gjykimet ndaj tyre dhe në çështjen e trashëgimisë, dhe nuk e dimë se çfarë janë ata tek Allahu i Madhëruar.[12]

23. Nëse dikush thotë: “Unë jam besimtar i vërtetë”, – atëherë ai është bidatçi.

24. Nëse dikush thotë: “Unë tek Allahu konsiderohem besimtar”, – atëherë  ai është prej gënjeshtarëve.

25. Ndërsa kush thotë: “Unë besoj Allahun”, – ky është i saktë.

26. Murxhiat janë bidatçinj të humbur.[13]

27. Kaderitë janë bidatçinj të humbur. Prej tyre ka që thonë se Allahu nuk e di diçka para se të ndodhë, të tillët janë qafira.

28. Xhehmijet janë qafira.[14]

29. Rrafidat (shijat) kanë refuzuar Islamin.[15]

30. Hauarixhët janë të devijuar.[16]

31. Kush pretendon se Kurani është i krijuar ai është mohues ndaj Allahut të Madhëruar. Kufri i tij është që e nxjerr atë nga Islami, madje i tillë është edhe kushdo që dyshon në kufrin e tij nëse është njeri që kupton.

32. Kush dyshon në fjalët e Allahut duke mos dhënë gjykim e duke thënë: “Nuk e di se si është i krijuar apo i pakrijuar!” – atëherë ai është Xhehmij.[17]

33. Nëse dikush e bën këtë gjë për shkak të injorancës, atëherë ai mësohet. Ai mund të quhet bidatçi por jo qafir.

34. Kush thotë: “Shqiptimi im i Kuranit është i krijuar”, – është Xhehmij. Kështu është edhe ai që thotë; “Kurani sipas shqiptimit tim është i krijuar”.

35. Ka thënë Ebu Muhamedi: Kam dëgjuar babain tim duke thënë: “Shenjë e bidatçinjve është sharja që ata bëjnë kundër pasuesve të sunetit.” [18]

36. Shenjë e zindikëve është shpifja që bëjnë kundër ehli sunetit, duke thënë se ata janë “të tepërt” (pa vlerë). Me këtë ata kanë për qëllim zhvlerësimin e transmetimeve.

37. Shenjë e xhehmijve është se ata e etiketojnë ehli sunetin si mushebiheh (përngjasues të cilësive të Allahut me të krijesave) dhe të paformuar.

38. Shenjë e kaderijeve është etiketimi i tyre ndaj ehli sunetit si muxhbireh (që besojnë se njeriu është i detyruar të zbatojë gjëra të caktuara pa pasur fuqi dhe dëshirë për të zgjedhur vetë).

39. Shenjë e murxhijve është se ehli sunetin e quajnë kundërshtar dhe të mangët.[19]

40. Shenjë e rrafidave është etiketimi i tyre ndaj ehli sunetit si nasibeh (urrejtës të familjes së Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem).

41. Nuk meritojnë ehli suneti veçse një emërtim, ndërsa këto etiketime nuk u mvishen atyre.

42. Na ka treguar Ebu Muhamedi se ka dëgjuar të atin dhe Ebu Zur’an që urdhëronin për braktisjen e bidatçinjve, dhe në këtë pikë nuk ishin aspak tolerantë.

43. Ata e urrenin përpilimin e librave duke u mbështetur vetëm në mendim dhe pa u mbështetur mbi argumente dhe transmetime.

44. Ata e ndalonin shoqërimin me Ehli Kelamin (filozofët) dhe me leximin e librave të tyre, dhe thoshin: Nuk shpëton kurrë ai që merret me filozofi.

45. Ka thënë Ebu Muhamedi: Ky është edhe besimi im.

46. Ka thënë Ebu Ali ibën Habeshil Mukri: Ky është edhe besimi im.

47. Ka thënë shejhu ynë Ibën el Mudhafer: Ky është edhe besimi im.

48. Ka thënë autori (El-Lalekai): Ky është edhe besimi im. [20]

 

Autor: Ebu Zur’a dhe Ebu Hatim er-Rrazij. 


[1] Këto çështje që do të përmendë janë akidja e Ehli Sunetit, prandaj kush i kundërshton ato ka devijuar nga Ehli Suneti për aq sa ka kundërshtuar.

[2] Besimi është pranimi me bindje dhe nënshtrim. Ai është: pranimi i zemrës, fjala e gjuhës dhe puna e zemrës, e gjuhës dhe e gjymtyrëve.

Besimi shtohet, dhe ç’do gjë që pranon të shtohet pranon edhe të pakësohet.

Ata që thonë se kufri bëhet vetëm duke përgënjeshtruar kanë hyrë në fjalën e Xhehmijve-Murxhi.

[3] Si ai që është në Kuran edhe ai që lexojnë lexuesit, edhe ai që zbriti me të Xhibrili alejhi selam pasi dëgjoi fjalët e Zotit të Madhëruar.

[4] Kjo nuk do të thotë që ne mund të tregohemi të paedukatë me Allahun e Lartësuar nëse na bien fatkeqësi. Le të bëjmë si Ibrahimi alejhi selam që tha: “Dhe kur unë sëmurem, Ai më shëron.”

Argumentimi me caktimin për gjynahet që bën është prej bazave të kufrit. Këtë e ka përmendur Allahu në Kuran ku thotë: “Do të thonë ata që bënë shirk: Sikur të donte Allahu ne nuk do të kishim bërë shirk e as prindërit tanë…” | El Enam: 148.

[5] Kështu dëshmojmë për këdo që ka dëshmuar për të Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem me Xhenet.

Dhjetë të përgëzuarit me Xhenet janë: “Katër halifet e drejtë, Seid ibën Zejd, Sa’d ibën ebi Uekas, Abdurrahman ibën Auf, Talha ibën Ubejdilah, Ebu Ubejde Amir ibën Xherrah, Zubejr ibën el Auam.”

[6] Kërkojmë falje për ta dhe për gjithë besimtarët: “Zoti ynë, na fal neve dhe fali vëllezërit tanë të cilët na paraprinë në besim!”

Urrejtja e tyre do të thotë përgënjeshtrim i dëshmisë së Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem  ndaj tyre me Xhenet. Ka thënë Ebu Zur’a: “Nëse shikon dikë që nënvlerëson sahabët e Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem, dije se ai është zindik. Kjo për shkak se i Dërguari i Allahut tek ne është hak (i vërtetë) dhe Kurani është hak, dhe këtë Kuran dhe Sunetin na i kanë transmetuar sahabët e Profetit sal-lAllahu alejhi ve selem. Ata duan të na akuzojnë dëshmitarët tanë për të zhvlerësuar Kuranin dhe Sunetin, prandaj akuzimi i tyre është më parësor dhe ata janë zindika.”

Pastaj, a nuk është ky veprim gijbe?!!

[7] I veçuar dhe i ndarë nga krijesat, pra Ai i Madhëruari nuk ndodhet në ç’do vend! Selefët  i  kanë pohuar shprehjet “I ndarë” dhe “Vetvete”.

[8] Prandaj, kush e mohon këtë në dynja do t’i bëhet haram në ahiret.

[9] Pra janë të krijuara tani. Në këto fjalë pohohet se gjynahu i madh nuk e bën qafir vepruesin e tij.

[10] Dënimi i varrit është theksuar me argument të prerë (muteuatir). Argumenti është nga Kurani: “Ju bashkangjit familjes së Faraonit dënimi i keq, zjarri, tek i cili pozohen para tij në mëngjes e në mbrëmje. Ndërsa ditën që do të ndodhë kijameti (do të thuhet): Futini familjen e Faraonit në dënimin më të dhembshëm!” | El Gafir: 45-46. Dhe hadithet që dëshmojnë për këtë janë të shumta dhe të padiskutueshme.

Munkeri dhe Nekiri janë përmendur nga Profeti sal-lAllahu alejhi ve selem në fjalën e Tij: “Kur varroset njeriu i vijnë dy engjëj të zinj në të blujtë, njëri quhet Munker dhe tjetri Nekir.” Transmeton Tirmidhiu dhe hadithi është hasen.

[11] Kjo çështje ka shumë lidhje me shefatin, sepse mohimi i shefatit është rrjedhojë e bërjes qafira të atyre që bëjnë gjynahe të mëdha dhe që nuk pendohen prej tyre.

[12] Ky është rregull i Islamit, prandaj të akuzuarit e vetvetes të shtyn për punë të mira, ndërsa akuzimi i të tjerëve është fjalë që nuk buron nga dija dhe nuk jep fryte e nuk shpërblehet. Ajo çon në mosmirënjohje ndaj njerëzve dhe në përçmimin e tyre në sytë e akuzuesit.

[13] Murxhiat janë ai grup që thonë se besimi është pranimi me zemër dhe shqiptimi me gjuhë, ndërsa punët nuk kanë lidhje me të. Ka dhe ekstremistë të tyre që thonë se besimi është vetëm pranim me zemër.

[14] Në disa thënie të tyre bashkohen me ta edhe Mu’tezilitë, si në çështjen e Kuranit që thonë se është i krijuar dhe jo fjalë e Zotit, ashtu dhe në disa bidate të tjera.

[15] Ata në kohën tonë quhen Shija. Janë batinije (që fshehin besimin e tyre të vërtetë) dhe si qëllim të tyre kanë shkatërrimin e Islamit nga brenda. Më të këqinjtë e tyre janë dy grupet e humbura; Druzët dhe Nusajrijet.

[16] Adhurimi i tyre është i shumtë dhe ata janë zbatues të mëdhenj të rregullave të Islamit. Adhurimi i tyre është i ndërtuar mbi injorancë dhe nxitim, ose mbi kënaqjen me vetveten dhe nënçmimin e të tjerëve, madje nganjëherë mbi të gjitha këto!

[17] Fjala e këtyre njerëzve që dyshojnë është e njëjtë me atë të atyre që thonë se është i krijuar, sepse rrugët që të çojnë në një vepër marrin gjykimin e vet veprës.

[18] Ashtu siç sot shejtani i mashtron disa muslimanë të shajnë ehli sunetin me qëllim që të largojnë njerëzit prej tyre, ashtu siç bëjnë duke folur kundër imamëve të spikatur të hadithit në këtë kohë e në kohët e mëparshme, duke thënë se ata nuk e duan Profetin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ose se ata nuk e marrin në konsideratë fare Kuranin! Sa e keqe është kjo fjalë që del nga gojët e tyre, dhe ata nuk thonë veçse shpifje!

[19] Kjo për shkak se ehli suneti thonë se besimi shtohet dhe pakësohet.

Dosje: , ,

Loading...