Dyert e mirësisë (2)

March 25, 2015

E pesta: Ndërtimi i një xhamie.

Xhamitë janë vendet më të dashura tek Allahu, ashtu siç na ka treguar për këtë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i cili thotë: “Vendet më të dashura tek Allahu janë xhamitë.”[1]

Nëse ndërtohet një xhami e në të; falet namazi, lexohet Kurani, përmendet emri i Allahut të Madhëruar, përhapet dituria e dobishme, tubohen muslimanët, e shumë të tjera prej punëve të mira e të lavdëruara, për të gjitha këto do të ketë shpërblim ai që e ndërtoi këtë xhami, dhe nuk do t’i ndërpritet ai shpërblim as pas vdekjes së tij.
Transmetohet në një hadith se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Kush e ndërton një xhami në të cilën përmendet Allahu i Madhëruar, Allahu do t’ia ndërtojë atij një shtëpi në Xhenet.”[2]

E gjashta: Dhurimi i një Mus’hafi (Kurani), lënia vakëf në xhami apo në bibliotekë.

Kjo bëhet duke kontribuar për botimin e Kuranit, apo ta blesh atë dhe ta lësh dhuratë në xhami ose në bibliotekë, apo t’ia dhurosh dikujt i cili e lexon atë.

Çdo herë që të lexohet ai Kuran dhe sa herë që dikush mediton rreth ajeteve të tij dhe ndjek këshillat e tij, shpërblimet për atë i cili e dhuroi atë janë të vazhdueshme, edhe nëse ai ka vdekur prej kohësh dhe është harruar nga njerëzit.

Vëllezër besimtarë!

Ndoshta xhami nuk ndërtojmë dot pasi ka njerëz që përpiqen për dekada me radhë e nuk ndërtojnë dot një shtëpi ku të strehohet ai dhe familja e tij, mirëpo dhurimi i një Kurani apo i një libri të dobishëm nuk kushton shumë.

Blije një Kuran dhe lëre në xhami si vakëf apo dhuratë, pasi kështu do të shpërblehesh sa herë që dikush do ta lexojë atë.

Njeriu përpiqet të gjejë mënyra se si ta shtojë pasurinë e tij me sa më pak lodhje. Pse të mos mendojmë gjithashtu se si të shtojmë sevapet tona, e sidomos në ato vepra të cilat na garantojnë shpërblim dhe nderim edhe pas vdekjes.

E shtata: Të lësh pas vetes fëmijë të edukuar të cilët luten dhe kërkojnë falje për ty pas vdekjes tënde.

Fëmija është amanet nga Allahu për prindërit e tij. Edukimi i mirë i fëmijës është një sfidë e vështirë që kërkon përpjekje të vazhdueshme.

Prindi duhet të bëjë ç’është e mundur që ta edukojë fëmijën në mënyrën më të mirë. Përveç arsimimit të duhur, prindi duhet të përpiqet të kultivojë tek fëmija vlerat e moralit të mirë e fisnik, si dhe ndjenjën e besimit dhe mbikqyrjes së Zotit.

Vetëm në këtë mënyrë ata do të jenë fëmijë të mbarë e respektues ndaj prindërve. Këta janë fëmijët që luten e kërkojnë falje për prindërit e tyre, si kur i kanë gjallë ashtu dhe kur t’u kenë vdekur e të jenë larguar nga kjo botë.

Dije o rob i Allahut se të rrisësh një fëmijë të mirë, të mbarë, të edukuar e të mirë-arsimuar është një fitore e madhe, e cila jo vetëm të zbardh faqen në mesin e njerëzve por bëhet shkak që të shpërblehesh me sevape edhe pas vdekjes.

Hadithe të tjera të ngjashme.

Janë disa hadithe të sakta të cilat janë të ngjashme me hadithin që shpjeguam. Transmetohet nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:

“Prej veprave të mira shpërblimi i të cilave nuk i ndërpritet njeriut edhe pas vdekjes së tij, janë: Lënia pas vetes e diturisë së dobishme të cilën ua ka mësuar njerëzve dhe e ka shpërndarë mes tyre, lënia pas e një fëmije të mbarë, lënia trashëgimi e një Mus’hafi (Kurani), një xhami të cilën e ka ndërtuar, ndërtimi i një banese për dikë i cili ka mbetur mes katër rrugëve, hapja e një kanali që të kalojë uji, si dhe një sadaka (kontribut financiar) të cilën e ka dhënë sa ishte gjallë dhe i shëndetshëm shpërblimin e së cilës e përfiton pasi të ketë ndërruar jetë.”[3]

Ahmedi dhe Taberani transmetojnë se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “T’iu mësosh njerëzve dituri fetare, sa herë që ata punojnë në bazë të asaj diturie ty të vjen shpërblimi. Ose një sadaka (apo vakëf) për të cilën shpërblehet për aq kohë sa vazhdon t’u bëjë dobi njerëzve, si dhe të lësh pas një fëmijë të mbarë i cili lutet dhe kërkon falje për ty pas vdekjes tënde.”[4]

Në Sahihun e imam Muslimit transmetohet nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:

“Kur biri i Ademit (njeriu) vdes i ndërpriten të gjitha veprat, me përjashtim të tri prej tyre: Sadakaja (lëmosha) rrjedhëse, dituria e dobishme dhe fëmija i mirë i cili lutet për të.”[5]

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se me sadakanë rrjedhëse janë për qëllim vakëfet. [6] Këtu bëjnë pjesë të gjitha ato pasuri origjina e të cilave qëndron e bllokuar, ndërsa përfitimet që nxirren prej saj shfrytëzohen në rrugë të Allahut (në çdo gjë që u bën dobi muslimanëve).

Të gjitha veprat e mira të cilat janë përmendur në hadithet e mësipërme bëjnë pjesë te sadakaja rrjedhëse. Në fjalën e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem: “…si dhe ndërtimi i një banese për dikë i cili ka mbetur mes katër rrugëve”, tregohet për rëndësinë e madhe që ka ndërtimi i banesave për të pastrehët.

Këtu përfshihet ndërtimi i konvikteve të nxënësve, ndërtimi i banesave sociale për shtresat në nevojë siç mund të jenë jetimët, vejushat, apo të varfërit të cilët nuk kanë mundësi ekonomike që ta përballojnë ndërtimin apo blerjen e një banese. S’ka dyshim se kjo është ndër veprat më të mira e më fisnike shpërblimi i së cilës është shumë i madh.

Si përfundim mund të përmendim një numër veprash të dobishme, të cilat nëse njeriu i vepron sa është gjallë shpërblimin për to do ta ketë të vazhdueshëm edhe pas vdekjes së tij. Imam Es Sujuti i ka përmbledhur këto vepra të mira në pak strofa, duke thënë:

Kur vdes biri i Ademit

i ndërpritet çdo shpërblim.

Përveç nëse ndonjë ndër dhjetë vepra ka punuar

Sa ishte gjallë në atë botë pa u larguar.

Nëse dituri të dobishme njerëzve u pat mësuar

Apo një fëmijë të mbarë e ka edukuar,

Apo një pemë e ka mbjellë

Apo një xhami e ka ndërtuar.

Apo sadaka rrjedhëse ka vepruar

Apo një Mus’haf e ka dhuruar,

Apo në llogore pat qëndruar armikut pa i’u frikësuar

Apo një pus e ka hapur,e një çezëm ka punuar.

Apo një kanal e ka thelluar e ujin e lumit e ka afruar

Apo një shtëpi për të ngratin e ka ndërtuar,

Për këto vepra të mira që ka vepruar

edhe pse nga bota e punës është larguar,

sevapi i vazhdon pa reshtur e pa i’u pakësuar.

 

Lusim Allahun e Madhëruar të na japë sukses për kryerjen e veprave të mira!

Lusim Allahun të na udhëzojë në rrugën e drejtë!

Atë e lusim të mos na privojë nga shpërblimet dhe të na i çelë dyert e mirësive!

Lutja jonë e fundit është: Paqja, mëshira dhe bekimet e pashtershme qofshin mbi të dërguarin e Allahut Muhamedin, mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij besnikë, si dhe mbi të gjithë ata të cilët ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit!

Autor: Abdurrazak bin Abdulmuhsin el Bedr

Përshtati në gjuhën shqipe: Edmond Ajdini

———————————————————————-

[1] ”Muhtesaru muslim” 241 dhe “El mishkah” 696.

[2] Buhariu dhe Muslimi.

[3] “Sahihu Ibën Maxheh” me nr. 198.

[4] “Sahihu el xhami” me nr. 890.

[5] Muslimi.

[6] Nga ana gjuhësore fjala vakëf (uakf në gjuhën arabe) do të thotë: i ndalur, i bllokuar, i palëvizshëm. “Mekajis el-luga”, “Mu’xhem el-uesit” fq. 1051 etj.

Fetarisht vakëfi është ruajtja e një pasurie dhe shpenzimi i përfitimeve të saj në rrugë të Allahut. “Fikhu es-suneh” 4/330.

Dosje: , ,

Loading...