Gjykimi i Islamit për fotografitë

Falënderimet i takojnë Allahut. Atë e lavdërojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Te Allahu mbështetemi të na mbrojë prej të këqijave të shpirtrave tanë dhe prej të keqes së veprave tona të liga. Kë e udhëzon Allahu askush nuk mund ta humbë dhe kë e humbet Allahu askush nuk mund ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut, të Vetëm dhe pa ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.

Kuptimi i fjalës ‘surah’ në gjuhën arabe.

‘Surah’ (صورة)  në gjuhën arabe do të thotë: figurë, pamje; ndërsa ‘tes’uir’ (تصوير) do të thotë: t’i japësh formë dhe pamje një objekti. Siç thotë Allahu në kuran: “Ai (Allahu) është Ai i Cili ju formon ju në mitrat e nënave si të dojë” [Suretu Ali Imran: 6] që do të thotë: Ju bën krijesa me formë dhe pamje.

Ndalimi i bërjes së figurave dhe pamjeve (Tes’uirit).
Ky ndalim është marrë prej katër gjërave:

1- Profeti – alejhis selam – njofton se ata dënohen Ditën e Kiametit.
Abdullah Ibn Mesudi tregon se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Njerëzit që kanë dënimin më të ashpër Ditën e Kiametit janë ata që bëjnë figura” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Dënimi i këtyre njerëzve siç shihet nga hadithi do të jetë më i ashpri Ditën e Kiametit dhe nuk barazohen me ta veçse tre kategori njerëzish, siç ka ardhur në një hadith tjetër ku Abdullah ibn Mesudi thotë se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Dënimin më të ashpër Ditën e Kiametit do ta ketë një burrë që është vrarë prej një Profeti, një burrë që ka vrarë një Profet, një njeri  që u prin njerëzve për në humbje dhe një bërës figurash” E transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson sheikh Albani.

Ky hadith është përcjellë nga Aisha – Allahu qoftë i kënaqur me të – me një përmbajtje tjetër të përafërt ku tregon se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Dënimin më të ashpër në Ditën e Kiametit do ta kenë ata të cilën bëjnë gjëra të ngjashme me krijesat e Allahut”. E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Nga tregimi i Aishës – radiallahu anha – është nxjerrë se shkaku i këtij dënimi për bërësit e figurave është: përngjasimi me Allahun, sepse ata duke bërë gjëra të ngjashme me krijesat e Allahut përngjajnë vetet e tyre me Të, prandaj dhe Allahu i demaskon ata Ditën e Kiametit duke u kërkuar bërësve të figurave tu japin shpirt krijesave të tyre. Siç tregon Ibn Umeri – radiallahu anhu – se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Ata të cilët i bëjnë këto figura do të dënohen Ditën e Kiametit dhe do tu thuhet: ‘Jepuni shpirt atyre që keni krijuar!’ ”. E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

2- Melaiket nuk futen në një shtëpi që ka figura.

Ebu Talha El-Ensarij – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Melaiket nuk futen në një shtëpi që ka qen dhe figurë” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Aisha – radiallahu anha – tregon se Xhibrili – alejhis selam – i kishte caktuar Profetit – alejhis selam – një orë për tu takuar me të dhe kur erdhi ajo orë Xhibrili nuk erdhi. Profeti – alejhis selam – kishte një shkop në dorë dhe e hodhi atë pastaj tha: “Allahu nuk e thyen  premtimin dhe as i Dërguari i Tij (Xhibrili)” Pastaj hedh vështrimin dhe sheh një këlysh qeni poshtë krevatit të tij dhe thotë: “O Aishe, që kur ka hyrë ky qen këtu?” Ajo i thotë: “Pasha Allahun nuk e di.” Ai urdhëron që ta nxjerrin dhe kur doli menjëherë vjen Xhibrili – paqja qoftë mbi të – dhe Profeti – alejhis selam – i thotë: “Më premtove se do të vish dhe unë të prita, por ti nuk erdhe?!” Ai i thotë: “Më pengoi qeni që ishte te ti, se ne nuk futemi në një shtëpi që ka qen dhe figurë” e transmeton Muslimi.

Nga ky hadith përfitohet se melaiket nuk hyjnë në shtëpi edhe nëse njeriu nuk ka dorë në futjen e figurave apo qenit, sepse këlyshi që ishte në shtëpinë e Profetit – alejhis selam – kishte hyrë pa dijeninë e tij dhe ai ishte i pafajshëm, mirëpo Xhibrili – alejhis selam – përsëri nuk u fut, siç thotë imam Neveviu.

3- Profeti – alejhis selam – mallkon bërësit e figurave.

Ebu Xhuheife – radiallahu anhu – ka thënë: “Profeti – alejhis selam – ka mallkuar atë grua që bën tatuazh dhe atë që u kërkon të tjerave t’i bëjnë tatuazh, atë që e ha kamatën dhe atë që e jep, ka bërë haram çmimin e qenit dhe fitimin e gruas së përdalë, dhe ka mallkuar bërësit e figurave” E transmeton Buhariu.

4- Profeti – alejhis selam – urdhëron për prishjen e çdo figure.

Ebu Hejaxh El-Esedij tregon se Ali bin Ebi Talibi i ka thënë: “Do të të dërgoj për një punë siç më ka dërguar mua Profeti – alejhis selam: Të mos lësh figurë pa prishur dhe as varr të ngritur pa e sheshuar.” E transmeton Muslimi.

Në një hadith tjetër Profeti – alejhis selam – tregon se mjafton këputja e kokës së figurës në prishjen e saj, siç tregon Ibn Abasi – radiallahu anhu – se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Figurë quhet koka, nëse këputet koka nuk ka më figurë” E transmeton Ebu Bekr El-Ismaili dhe e saktëson sheikh El-Albani.

Disa përjashtime.

Profeti – alejhis selam – ka bërë dy përjashtime nga gjykimi i mësipërm dhe dijetarët kanë rënë dakord për to, por kanë rënë në kundërshtim për dy të tjera nga ana e ixhtihadit.

1- Përjashtimet që dijetarët janë pajtuar në lidhje me to në një mendim.

a- Figurat e gjërave pa shpirt.

Said bin Ebil-Hasen (tabi’in) tregon se ishte duke ndenjur me Ibn Abasin – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – dhe vjen një burrë dhe i thotë: O Ebu Abas! Unë jam një njeri që e fitoj jetesën me punën e dorës time duke bërë këto figura. Ibn Abasi i thotë: Nuk kam për të të thënë veçse atë që kam dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut – alejhis selam. E kam dëgjuar Profetin – alejhis selam – duke thënë: “Atë që bën një figurë, Allahu ka për ta dënuar derisa t’i japë shpirt asaj dhe ai kurrë nuk do ta bëjë atë gjë (dhënien e shpirtit)”. Burri u frikësua shumë dhe iu zbeh fytyra. Ibn Abasi i thotë: Nëse do t’i bësh këto figura, bëjua këtyre pemëve dhe çdo gjëje pa shpirt.” E transmeton Buhariu.

Nuk ka kundërshtuar në këtë ‘mesele’ (sh.r.: çështje fetare) veçse Muxhahidi – dijetari i tefsirit – dhe mendimi i tij nuk merret në konsideratë dhe quhet ‘shaadh’ (sh.r.: kundërshtues i rrymës së përgjithshme të dijetarëve në një çështje, kundërshtim që nuk ndikon në unanimitetin e arritur në të).

b- Figurat e lodrave të fëmijëve.
Aisha – radiallahu anha – tregon se ajo luante me lodra (kukulla) dhe kishte disa shoqe që loznin me të. Kur vinte Profeti – alejhis selam – ato (shoqet) fshiheshin mirëpo Profeti – alejhis selam – i kalonte te unë për të lozur me mua.  E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Aisha – radiallahu anha – gjithashtu tregon se Profeti – alejhis selam – kur u kthye nga Tebuku ose Khajberi, ajo kishte një perde të hedhur mbi arkë dhe era e largoi atë duke zbuluar vajzat lodra të saj. Ai sheh mes tyre një kalë me dy krahë prej lecke dhe i thotë: “Ç’është kjo gjë që po shoh?” Ajo i thotë: Kalë. Ai i thotë: “Çfarë ka mbi të?” Ajo i thotë: Dy krahë. Ai i thotë: “Kalë me dy krahë?!” Ajo i thotë: A nuk e di se Sulejmani – alejhis selam – ka pasur kalë me krahë? Ajo thotë: Ai qeshi aq fort sa i pashë dhëmballët”. E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson shejkh Albani.

2- Përjashtimet që dijetarët janë në kundërshtim rreth tyre.

a- Figurat që nuk kanë hije, siç janë figurat e qëndisura dhe të vizatuara.
Në lidhje me këtë çështje kanë ardhur dy hadithe që duken se janë në kundërshtim me njëri-tjetrin:

I pari: Hadithi i Busr bin Said, i cili tregon nga Zeid bin Khalid, nga Ebu Talha El-Ensari, shoku i Profetit – alejhis selam – se Profeti – alejhis selam – ka thënë: “Nuk futen melaiket në një shtëpi që ka figura.” Busri thotë: “Zejdi u sëmur dhe i shkuam për vizitë dhe pamë mbi derën e tij një perde me figurë. I thashë Ubejdullah El-Kejlaniut –një tabiin që është rritur në shtëpinë e Mejmunes, gruas së Profetit – alejhis selam: “A nuk na ka treguar më përpara rreth figurave?!” Ubejdullahu i thotë: “A nuk e dëgjove kur tha:Veç vizatimit në rrobë?” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Hadithi tjetër është hadithi i perdes së Aishes – radiallahu anha – e cila thotë: “Erdhi Profeti – alejhis selam – nga një udhëtim dhe unë kisha mbuluar raftin me një perde me figura. Profeti – alejhis selam – kur e pa atë e grisi dhe tha: “Njerëzit që do të kenë dënimin më të madh Ditën e Kiametit janë ata që bëjnë gjëra të ngjashme me krijesat e Allahut” Aisha thotë: Atë e bëra një ose dy jastëkë.”  E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Në hadithin e dytë fakti që Profeti – alejhis selam – e grisi perden, na bën të mendojmë se nuk ka dallim mes figurave të qëndisura apo të vizatuara që nuk kanë hije, dhe atyre që kanë hije, siç janë figurat e gdhendura apo të shkrira në kallëpe, kurse në hadithin e parë ka përjashtim të figurave pa hije, të vizatuara apo të qëndisura.

El-Kasim bin Muhamed, nipi i Ebu Bekrit – radiallahu anhu – dhe dijetar në kohën e tabiinëve, është i mendimit se figurat pa hije lejohen, për këtë arsye edhe mbante perde me figura, siç e transmeton Ibn Ebi Shejbe.

Disa dijetarë për të dalë nga kundërshtimi që duket nga ana e jashtme mes këtyre haditheve, kanë dhënë këto shpjegime:

Imam Neveviu thotë: “Janë për qëllim figurat që nuk kanë shpirt.”
Imam Ibn El-Arabij thotë: “Janë për qëllim figurat pasi u këputet koka dhe ndahen pjesët e saj.”
Ndërsa Imam Et-Tahaui thotë: “Janë për qëllim figurat e nënçmuara dhe që shkelen”, siç do të vijë në çështjen e mëposhtme.

b- Figurat e nënçmuara që shtrohen poshtë dhe shkelen.
Ibn Ebij Shejbe në librin e tij “El-Musannef” ka përmendur disa dijetarë të tabiinëve, të cilët i lejonin figurat e nënçmuara që shtrohen poshtë dhe shkelen si: Salim bin Abdilah, Urue ibn Ez-Zubejr, Seiid ibn Xhubejr, Muhamed ibn Sirin, Ata’a bin Ebi Rabah, Ikrime bin Khalid dhe ka përmendur gjithashtu dhe një sahabi që është Sa’d bin Ebi Uekkas – radiallahu anhu -, por ai transmetim nuk është i saktë dhe kështu që i bie të jetë vetëm medh’hebi (mendimi) i tabi’inëve.

Këta dijetarë me sa duket janë ndikuar nga hadithi i lartpërmendur i perdes së Aishes – radiallahu anha – ku tregon se ajo pasi pa mospëlqimin e Profetit – alejhis selam –  për perden me figura, e bëri atë jastëkë për ulje, dhe në këtë gjë ka nënçmim të figurës.

Ndërsa nga ana tjetër Ibn Shihab Ez-Zuhri, – dijetari i madh i hadithit në kohën e tabiinëve -, është i mendimit se nuk ka ndryshim mes figurave që shkelen dhe atyre që nuk shkelen.

S’ka dyshim se ky mendim duket më afër të saktës, sepse Aishja – radiallahu anha – tregon në një hadith tjetër se Profeti – alejhis selam – nuk e ka pëlqyer një jastëk me figura të cilin ia kishte blerë për tu ulur. Aisha – radiallahu anha – thotë: “Bleva një jastëk me figura dhe kur Profeti – alejhis selam – e pa atë u ngrit dhe doli te dera dhe nuk hynte brenda. Aisha thotë: Unë e pashë se ai nuk e pëlqeu atë dhe i thashë: ‘Pendohem te Allahu dhe i Dërguari i Tij, ç’të keqe kam bërë?!’ Profeti – alejhis selam – i thotë: “Si është puna e këtij jastëku?” Ajo i thotë: ‘E kam blerë që të ulesh në të dhe të mbështetësh.’ Profeti – alejhis selam – i thotë: “Ata që i bëjnë këto figura dënohen për to Ditën e Kiametit dhe u thuhet: ‘Jepuni shpirt atyre që keni krijuar!’” Pastaj i thotë: “Në atë shtëpi që ka figura nuk hyjnë melaiket.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ahmed bin Nasr Ed-Daudi (dijetar maliki vdekur më 420 h.) ka pasur një mendim tjetër, duke e konsideruar hadithin e perdes së Aishes – radiallahu anha – si anulues të hadithit të jastëkut dhe i ka lejuar  të gjitha figurat, si ato pa hije dhe ato të nënçmuara dhe se ndalimi i tyre ka qenë në fillim të Islamit, kur njerëzit sapo kishin dalë nga koha e injorancës kur adhuronin figurat, e pasi që u forcuan në Islam, u lejuan.

Mirëpo më parësore në këtë mes është fjala e Ibn Haxherit – Allahu e mëshiroftë – i cili ka bashkuar mes dy haditheve duke thënë: “Hadithi i perdes nuk e kundërshton hadithin e jastëkut, sepse perdja kur është grisur (copëtuar), është prishur figura dhe prandaj lejohet ulja në të, dhe jo se figura e plotë kur nënçmohet lejohet.”

Tani, pas kësaj parathënie, kemi mundësi të flasim për fotografitë e bëra me aparate fotografike dhe gjëja e parë që duhet t’i bëjmë pyetje vetës është: A janë fotografitë e bëra me aparate fotografike figura të krijuara? E nëse janë të krijuara, a janë të përjashtuara nga ndalimi si figura pa hije?

3- Gjykimi i islamit për fotografitë.

Duhet të dimë se dijetarët kanë rënë në kundërshtimin rreth gjykimit që mund të jepet për fotografitë. Disa dijetarë i kanë lejuar fotografitë si psh: sheikh Muhamed Bekhit El-Mutiij (myftiu i Egjiptit në kohën e tij), sheikh Sejjid Sabik, Dr. Uehbe Ez-Zuhejli – Allahu i mëshiroftë!
Disa të tjerë i kanë ndaluar ato si psh: sheikh Muhamed bin Ibrahim, sheikh Abdulaziz bin Baz dhe sheikh Muhamed Nasirudin El-Albani – Allahu i mëshiroftë!

Duhet të dimë gjithashtu se disa prej dijetarëve që i kanë lejuar fotografitë, e kanë parë se shkaku i ndalimit të figurave është përngjasimi me Allahun në krijim dhe janë munduar t’i japin përgjigje pyetjes: A janë fotografitë e bëra me aparate fotografike figura të krijuara?
Përgjigja: Fotografitë e bëra me aparate fotografike nuk janë figura të krijuara.

Argumentet që kanë dhënë për këtë:

1- Fotografitë janë reflektime, si vegimi i njeriut që shfaqet mbi ujë kur del para tij, apo në pasqyrë kur del para saj. Ky është argumentimi i Dr. Uehbe Ez-Zuhejli.

2- Figurat fotografike janë stopim i hijes dhe hija është prej Allahut dhe jo prej robit. Ky argumentim është i Muhamed Bekhit El-Mutiij.

Kundërpërgjigja e ndaluesve: Fotografitë e bëra me aparate fotografike janë figura të krijuara.

Argumentimi i tyre:

Fotografitë janë figura të qëndrueshme, ndryshe nga vegimet që shfaqen në ujë dhe në pasqyrë të cilat nuk janë të qëndrueshme dhe nuk shfaqen veçse kur ndodhesh para tyre. Ky argumentim është i Muhamed bin Ibrahimit, myftiut të Arabisë Saudite në kohën e tij.

Duhet të dimë gjithashtu se disa dijetarë të tjerë që i kanë lejuar fotografitë, e kanë trajtuar çështjen duke e parë fotografinë si figurë pa hije dhe janë munduar t’i japin gjykimin e figurave pa hije dhe duke pasur mendimin se ato janë të lejuara kanë thënë:

“Fotografitë janë figura pa hije, si figurat e qëndisura dhe të vizatuara të cilat janë të përjashtuara nga ndalimi.”

Argumenti i këtij mendimi:

Të gjitha figurat kanë qenë të ndaluara në fillim të Islamit dhe më pas u përjashtuan ato që nuk kanë hije, siç tregon hadithi i lartpërmendur i Busr bin Seidit.

Kundërpërgjigja e ndaluesve: Të gjitha llojet e figurave janë të ndaluara si ato me hije dhe si ato pa hije.

Argumentet e këtij mendimi.

1- Profeti – alejhis selam – tregon në hadithin e Xhibrilit se i ka thënë: “Ne nuk futemi në një shtëpi që ka figura” dhe kjo fjalë përgjithëson çdo figurë me hije apo pa hije dhe përkrahet gjithashtu dhe nga hadithi i perdes së Aishes, e cila edhe pse ishte objekt pa hije, përsëri e ndaloi Profeti – alejhis selam. Ky është argumentimi i sheikh Albanit.

2- Nuk lejohet kapja pas hadithit të Busr bin Saidit, sepse kapja pas tij është kapje pas të dyshimtave dhe lënie e të sigurtave, për të cilën ka ndaluar Allahu i Madhëruar, aq më tepër kur vetë dijetarët janë në kundërshtim rreth kuptimit të tij. Ky është argumentimi i Muhamed bin Ibrahim.

Përmbledhje e studimit.

S’ka dyshim se fotografitë janë figura dhe lejimi i tyre si figura pa hije – mbështetur në hadithin e Busr bin Saidit – nuk është i drejtë, sepse figurat pa hije janë lejuar pas prishjes së tyre, duke ndarë kokën dhe pjesë të tjera të saj – sipas mendimit më të saktë siç u tha edhe pak më lart – dhe nuk mbetet tjetër veçse pyetja e parë: A është fotografia figurë e krijuar që të konsiderohet përngjasim me krijimin e Allahut apo jo?

Pavarësisht se nga cila prej dy përgjigjeve të dhëna anojmë, duhet të merret parasysh edhe fakti se melaiket nuk futen në një shtëpi që ka figura, dhe fakti se figurat shpesh herë janë bërë shkak për shirk (sh.r.: dhe përhapje të imoralitetin në masë, gjë që nuk ka ekzistuar më parë, jo me këto përmasa që u shfaqën pas shpikjes së fotografisë). Këto fakte nuk duhen lënë padore, dhe le të shohim tani se si sheikh Ibn El-Uthejmin do t’i marrë parasysh ato:

Fetvaja e sheikh Ibn El-Uthejminit – Allahu e mëshiroftë!

Sheikh Ibn El-Uthejmin nuk i sheh figurat fotografike si figura të krijuara dhe si të tilla janë të lejuara, por i ndalon ato kur bëhen për qëllime të ndaluara si për kujtime, sepse Profeti – alejhis selam – ka njoftuar se Melaiket nuk futen në një shtëpi që ka figura dhe po ashtu ka ndaluar edhe varjen e tyre në mure, sepse kjo është madhërim.

Ibn El-Uthejmini –Allahu e mëshiroftë- thotë:

“Nuk e shohim të lejueshme për askënd që të mbajë foto për kujtim dhe se ai i cili ka foto për kujtim e ka detyrë t’i prishë ato, pavarësisht se ku i vë: në mur, album apo në ndonjë gjë tjetër, sepse mbajtja e tyre pengon hyrjen e melaikeve në shtëpi.” (Fetaua Arkan El-Islam).

“Varja e figurave në mure – sidomos nëse figura është e madhe – është haram, edhe nëse nuk ka dalë veçse një pjesë e trupit dhe koka, sepse nijeti i madhërimit duket qartë dhe fillimi i shirkut ka qenë teprimi, siç ka thënë Ibn Abasi – radiallahu anhu – për idhujt e popullit të Nuhut, se ata ishin disa burra të mirë, të cilëve u bënë figura për të kujtuar adhurimin e tyre, dhe më pas i adhuruan.” (Fetaua Arkan El-Islam).

Gjithashtu edhe fakti se Profeti – alejhis selam – ia ka lejuar Aishes lodrat, ka domethënien e vet, sepse figurat mund të lejohen në rast nevoje dhe aq më tepër domosdoshmërie, dhe mbi këtë bazë janë mbështetur dijetarët kur kanë lejuar dokumentet e identifikimit psh: Muhamed bin Ibrahim thotë: “Nëse fotoja është jo e plotë, si fotot që kanë kokën, fytyrën dhe kraharorin dhe hiqen pjesë pa të cilat nuk jetohet, atëherë fjalët e shumë dijetarëve na çojnë në lejimin e tyre, sidomos nëse e kërkon nevoja si gjysmë-fotot (fotot e dokumenteve).” (Fetaua Muhamed bin Ibrahim: 1/191).

Ibn El-Uthejmin thotë: “Nëse njeriu e ka të nevojshme të bëjë foto për arsye të veçanta, si p.sh.: fotot për konfirmimin e identitetit, nuk ka gjynah në to, sepse nevoja e largon dyshimin dhe dëmin”. (Mexhmu fetaua ue rasail ibn El-Uthejmin 2/254).

Komisioni i përhershëm i fetvave: “Fotografimi i gjërave të gjalla është haram, me përjashtim kur është e domosdoshme si: identifikimi, pasaporta dhe ndjekja e kriminelëve që bëjnë krime dhe arratisen.” (Fetaua Lexhnet Ed-Daime 1/660).

Në përgjigjet e komisionit të përhershëm të fetvave gjejmë edhe fjalën ‘nevojë’, edhe pse në shumicën e rasteve ata përdorin fjalën ‘domosdoshmëri’ si p.sh.: “Fotot nëse janë në pasaporta, dokumente identifikimi dhe gjëra të tjera të ngjashme, lejohen për shkak të nevojës.” (Fetaua Lexhnet Ed-Daime: 1/672).

Fjalën ‘nevojë’ e gjejmë edhe te sheikh Salih El-Feuzan i cili thotë: “Për sa u përket fotografive të domosdoshme, për të cilat njeriu ka nevojë si: dokumentet e identifikimit, pasaportat, karta e identitetit, këto janë të domosdoshme dhe nuk mbahen nga dashuria për figurat, por për domosdoshmëri dhe nevojë” (Fetaua sheikh Salih El-Feuzan: 1/294).

Fjala ‘nevojë’ në termat fetare, ndryshon nga fjala ‘domosdoshmëri’, sepse fjala ‘domosdoshmëri’ qëndron më lart dhe ka lidhje me ruajtjen e pesë gjerave pa të cilat nuk mund të  jetohet, që janë: feja, shpirti, logjika, nderi dhe pasuria. Ndërsa fjala ‘nevojë’ është për gjëra që të vënë në vështirësi – nëse nuk merren në konsideratë – dhe jo për gjëra që pa to nuk jetohet.

Nuk mendoj se dijetarët që janë shprehur me fjalën ‘domosdoshmëri’ kanë për qëllim përjashtimin e nevojës, sepse ata shpeshherë nuk e ndajnë nevojën nga domosdoshmëria dhe u japin të njëjtin gjykim.

Pra si përfundim themi: Çdo foto që lind nevoja për mbajtjen e saj është lejueshme, ndërsa të panevojshmet si: ato që janë për kujtim, apo për t’i madhëruar duke i varur në mure, nuk lejohen.

Dhe Allahu e di më së miri.