Familja e të Dërguarit të Allahut

June 14, 2023

Ta duash familjen e të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ta njohësh vlerën e tyre dhe t’i nderosh ata është prej besimit të ehlu sunetit dhe xhematit. Kjo vjen si zbatim i porosisë së Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në ditën e Gadir Khum (emër vendi). Ai falënderoi Allahun dhe e lavdëroi, përkujtoi (të pranishmit) e pastaj tha:

“O ju njerëz! Me të vërtetë që unë jam njeri, dhe i dërguari i Zotit tim (e ka fjalën për engjëllin e vdekjes) mund të vijë shpejt e t’i përgjigjem atij. Ju lë pas dy gjëra të mëdha ku e para është Libri i Allahut (Kurani), në të ka udhëzim dhe dritë. Merreni Librin e Allahut dhe kapuni fort pas Tij.”

Ai i nxiti rreth Librit të Allahut, e pastaj tha:

“Kini kujdes familjen time! Ju përkujtoj Allahun në lidhje me familjen time! Ju përkujtoj Allahun në lidhje me familjen time! Ju përkujtoj Allahun në lidhje me familjen time!”  Transmeton Muslimi në Sahihun e tij nga Zejd ibën Erkam, radijAll-llahu anhu.

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, në tefsirin e tij ka thënë:

“Nuk e mohojmë porosinë në lidhje me ehlul bejtin. Nuk mohojmë urdhrin për mirësi dhe për nderim ndaj tyre. Nuk ka dyshim se ata vinë nga një prejardhje e pastër, nga dera (familja) më e nderuar që ka ekzistuar ndonjëherë në sipërfaqen e tokës nga ana e krenarisë dhe prejardhjes. Kjo përforcohet nëse ata (pasardhësit) janë pasues të sunetit pejgamberik, të saktë e të qartë, ashtu siç ishin paraardhësit e tyre si Abasi (një nga xhaxhallarët e të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe bijtë e tij; Aliu, familja dhe pasardhësit e tij, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë.”

Gjithashtu, prej familjes së tij janë gratë e tij. Allahu i Madhëruar ka thënë duke u drejtuar atyre (grave të tij):

“Qëndroni në shtëpitë tuaja dhe mos e shfaqni veten siç bënin në kohën e xhahilijetit (periudha e injorancës para Islamit). Falni rregullisht namazin, jepni zekatin, bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Allahu vetëm se dëshiron të largojë prej jush er-rixhz (veprat e ulëta, gjynahet, çdo gjë të keqe) o pjesëtarë të familjes (së Pejgamberit ), si dhe t’ju bëjë të pastra plotësisht e pa asnjë njollë. Dhe kujtoni (o pjesëtarë të familjes së Pejgamberit ) atë që këndohet në shtëpitë tuaja nga vargjet e Allahut dhe el hikmeh (sunetin e të Dërguarit, rrugën e vërtetë të vënies në jetë të Islamit). Vërtet që Allahu është gjithnjë më Dashamirësi, në Dijeni të plotë për çdo gjë.” | Ahzab: 33-34 |

Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë në tefsirin e tij:

“Ky ajet (ajeti 33) është argument që gratë e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem janë nga familja e tij, sepse ato ishin shkaku i zbritjes së ajetit. Ky ajet bën fjalë për to pa ndonjë kundërshtim, qofshin vetëm ato gra sipas një mendimi, ose edhe të tjera bashkë me to sipas mendimit të saktë.”

Transmetohet në Sahihun e Buhariut nga Enes ibën Malik, radijAll-llahu anhu, në tregimin e martesës së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me Zejneb bintu Xhahsh, se ai doli e shkoi te dhoma e Aishes dhe tha:

“Paqja e Allahut dhe mëshira e Tij qofshin mbi ju o familja e Pejgamberit!

Ajo ia ktheu:

Edhe mbi ty qoftë paqja dhe mëshira e Allahut!” (Hadithi vazhdon…)

Gjithashtu, nga argumentet që kanë ardhur rreth vlerës së tyre është fjala e Allahut të Madhëruar:

“Pejgamberi është më afër besimtarëve sesa vetë ata me vetveten, dhe bashkëshortet e tij janë nënat e tyre.” | Ahzab: 6 |

Ato janë nënat e besimtarëve në lidhje me ndalimin e martesës me to, nderimin dhe mirësinë ndaj tyre. Porse nuk lejohet veçimi me to dhe nuk është e ndaluar martesa me bijat dhe motrat e tyre me ixhma (unanimitetin e dijetarëve).

—————————————————

Shkëputur nga libri: “Besimi i saktë”.

Shkroi: AbdusSelam ibën Berxhes AbdulKerijm

Përktheu: Ardit Ulqinaku

Dosje:

Loading...