Mëkatari apo i binduri?

October 10, 2025

Ibn Kajim zhvilloi një kapitull ku trajtoi çështjen: A është më i vlefshëm i bindur i cili nuk ka bërë asnjë mëkat, apo mëkatari që është penduar tek Allahu me një pendim të sinqertë?

Ai e paraqiti këtë çështje para shejhul Islamit (Ibn Tejmijes) dhe ai përmendi disa aspekte që konkludojnë në mbështetjen e mendimit më të drejtë.

Në një analizë të thellë, ai tha: Mëkati mund të jetë më i dobishëm për robin sesa shumë vepra të devotshmërisë. Kjo është edhe domethënia e thënies së disa prej selefëve: Ndonjëherë robi bën një mëkat dhe përmes tij hyn në Xhenet, ashtu sikurse mund të bëjë një vepër të mirë dhe përmes saj të hyjë në zjarr.

E pyetën: Si ndodh kjo? Ai tha: Robi bën një mëkat dhe ai mëkat i rri gjithmonë para syve, dhe sa herë që e kujton i sjell atij pendim, istigfar (kërkim faljeje) dhe keqardhje, dhe kjo bëhet shkak i shpëtimit të tij. Nga ana tjetër mund të bëjë një vepër të mirë, dhe ajo gjithmonë i shfaqet përpara syve, dhe sa herë që e kujton i sjell mburrje, mendjemadhësi dhe krenari, e kjo mund të bëhet shkak i shkatërrimit të tij.

Mëkati mund të bëhet shkak për kryerjen e shumë ibadeteve (akteve të adhurimit), veprave të mira dhe devocionit të zemrës, si; frika nga Allahu, ndjenja e turpit përpara Tij, nënshtrimi dhe përulja para Tij duke qëndruar kokë ulur, i turpëruar, me lot në sy dhe me zemër të penduar dhe duke kërkuar faljen e Tij. Çdonjëra prej këtyre efekteve është më e dobishme dhe më e vlefshme për robin sesa një vepër e mirë që i sjell arrogancë, mendjemadhësi dhe përçmim ndaj të tjerëve, duke i parë ata me nënvlerësim.

Mbase qortimi ndaj teje ka pasoja të lavdërueshme.

Ndonjëherë trupat shërohen përmes sëmundjeve.

 

Marrë nga libri: “Medārixh es-Salikin” 1/462.

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...