Mësime profetike mbi edukatën e gjumit

December 8, 2025

Tihfe el Gifari, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon: “Ndërsa isha i shtrirë duke fjetur përmbys (mbi bark), më erdhi dikush. Më preku me këmbën e tij dhe më shtyu, pastaj më tha:

-Çohu! Ky është një pozicion fjetjeje që Allahu e urren!

Unë e ngrita kokën, dhe ja, aty ishte i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i cili po qëndronte mbi kokën time.”

E transmeton Buhariu në “Edebul mufrad” me nr. 1187, dhe e saktësoi Albani.

Shpjegimi i hadithit:

I Dërguari i Allahut ﷺ ishte mësues dhe edukator për umetin e tij. Ai na i ka mësuar çdo të mirë, madje na ka sqaruar edhe pozicionet e pëlqyera apo të padëshiruara të gjumit në mënyrë që njeriu të ruaj shëndetin e tij në këtë botë, dhe të fitojë shpërblimin në botën tjetër duke iu bindur udhëzimeve të të Dërguarit të Allahut ﷺ.

Tihfe ibn Kajs el Gifari, Allahu qoftë i kënaqur me të, tregon:

“Ndërsa isha i shtrirë duke fjetur përmbys (mbi bark), më erdhi dikush.”

Ky ishte zakon i disa beduinëve të ashpër në atë kohë. Ndërkohë, ai ishte duke fjetur në xhaminë e profetit.

“Më preku me këmbën e tij ”, domethënë: më shtyu me këmbën e tij për të më zgjuar.

Pastaj më tha: Çohu! Ky është një pozicion fjetjeje që Allahu e urren!”

Në një transmetim tjetër të Ibn Maxhes nga Ebu Dherr el Gifari, thuhet: “Me të vërtetë kjo është mënyra e fjetjes së banorëve të zjarrit.”

Domethënë: kjo është forma e tyre e fjetjes, ose zakoni i jobesimtarëve dhe mëkatarëve në këtë botë, ose kjo do të jetë gjendja e tyre kur të jenë në zjarr.

Kjo është një ndalesë nga fjetja në këtë pozicion.

Tihfe, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë:

“Unë e ngrita kokën, dhe ja, aty ishte i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i cili po qëndronte mbi kokën time.”

Kjo tregon se këshilla vinte nga vetë Profeti ﷺ.

Transmetimet e tjera sqarojnë se suneti është që njeriu të flerë në krahun e djathtë dhe ta fillojë gjumin me përmendje të Allahut.

Përfitime nga hadithi:

1. Ndalohet fjetja përmbys (mbi bark).

2. Nxitja për tu larguar nga gjithçka që Allahu e urren, e që është sqaruar nga udhëzimet e të Dërguarit të Allahut ﷺ.

Problemet shëndetësore të këtij pozicioni:

Fjetja përmbys (mbi bark) sjell pasoja të dëmshme, ndër to:

– Vështirësi në frymëmarrje dhe rritje të nivelit të dioksidit të karbonit (CO₂) në ajrin që rimerret, dhe kështu çon në ulljen e oksigjenit.

– Shkakton presion të dëmshëm mbi shtyllën kurrizore dhe në qafë.

– Është rrezik i shtuar për foshnjat, sepse mund të çojë në bllokim të rrugëve të frymëmarrjes dhe ngritje të temperaturës së trupit.

 

Marrë nga libri:  “Ed durar es senije”

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...