Sevape të shumta që na kalojnë çdo ditë pa u kushtuar rëndësi, duke mos e shfrytëzuar kohën gjatë pritjes së namazit, sepse na duket si kohë e humbur, ndërkohë që mund të përfitojmë shumë prej saj.
Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se një natë Profeti ﷺ e vonoi namazin e jacisë deri afër gjysmës së natës, ndërsa njerëzit po e prisnin, aq sa disa prej tyre i zuri gjumi.
Kur Profeti ﷺ erdhi, u tha:
“Njerëzit u falën dhe ranë në gjumë, dhe ju jeni në namaz për sa kohë që jeni duke pritur namazin.”
(Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Pra, për sa kohë je në xhami duke pritur namazin, konsiderohesh sikur të jesh duke u falur, ndaj mos i nënvleftëso këto çaste.
Gjithashtu, qëndrimi në xhami pas faljes së namazit ka shpërblim tepër të madh:
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se Profeti ﷺ ka thënë:
“Melaiket luten për personin për sa kohë ai qëndron në vendin ku është falur, përderisa është me abdes
(sipas interpretimit më të njohur; ndërsa disa dijetarë të tjerë e kanë shpjeguar shprehjen «ما لم يحدث» me kuptimin: përderisa ai nuk shqetëson dhe nuk u bën dëm të tjerëve),
duke thënë: O Allah, fale! O Allah, mëshiroje!”
(Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi)
Ibn Battali (v. 449H), një nga komentuesit e Sahihut të Buhariut, thotë:
“Kush e sheh veten të ngarkuar me gjynahe dhe dëshiron që ato t’i falen pa shumë mund, le ta shfrytëzojë qëndrimin në vendin ku është falur, në mënyrë që melaiket të bëjnë sa më shumë dua për të, pasi shpresohet që duaja e tyre të pranohet.”
I Dërguari i Allahut ﷺ ka treguar se atij që thotë Amin në të njëjtën kohë me melaiket i falen gjynahet. Melaiket thonë Amin vetëm një herë (për çdo rekat), ndërsa lutja e melaikeve për atë që qëndron në vendin ku është falur vazhdon për sa kohë ai qëndron aty.
Për këtë arsye, është më parësore që Allahu t’i përgjigjet lutjes së tyre.
(Sherh Ibn Battal, 2/95)
Ky shpërblim arrihet duke qëndruar në xhami pas namazit farz; dhe nuk është kusht që besimtari të qëndrojë patjetër në të njëjtin vend ku është falur, siç e kanë theksuar Ibn Abdul Berri, Ibn Rexhebi dhe dijetarë të tjerë.
Ibn Abdul Berri (v. 463H) thotë:
“Nëse gruaja qëndron në vendin ku është falur në shtëpinë e saj duke pritur namazin, nuk është larg që ta përfshijë shpërblimi i përmendur në këtë hadith.”
(El-Istidhker, 2/299)
Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut ﷺ e ka konsideruar qëndrimin në xhami nga një namaz në tjetrin të barabartë me qëndrimin në gadishmëri në pritje të armikut.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“A t’ju tregoj për atë me të cilën Allahu i shlyen gjynahet dhe i ngre gradat?”
Ata thanë: Po, o i Dërguar i Allahut!
Ai tha:
“Marrja e plotë e abdesit në vështirësi, hapat e shumtë drejt xhamive dhe pritja e namazit pas namazit – kjo është ribati (qëndrimi në gadishmëri në pritje të armikut).”
(Transmeton Muslimi)
Prandaj, çdo besimtar që dëgjon për vlerën e qëndrimit në xhami pas namazit farz duhet të përpiqet të përfitojë sa më shumë sevape nga kjo vepër.
Shejh Bin Bazi (v. 1420H) thotë:
“Qëndrimi ulur pas namazeve farz është ndër kohët më të vlefshme në të cilat zbret mëshira e Allahut.”
Prandaj, le të mos e shohim qëndrimin në xhami dhe pritjen e namazit si kohë të humbur, por si një mundësi për falje të gjynaheve, mëshirë dhe ngritje në grada.
Lusim Allahun që të na japë bereqet në kohën tonë dhe të mos na privojë nga këto shpërblime të mëdha!
Dr. Fatmir Strumi
Dosje: #namazi #pritja e namazit, namazi