Kur sheh dikë që pretendon ndjekjen e selefëve e nuk di gjë tjetër veçse të shajë, ofendojë, të tallet e të ironizojë të tjerët; tregon për injorancën, dhe se sa larg janë të tillët nga menhexhi i selefëve që pretendojnë se ndjekin.
Allahu i Lartësuar urdhëron Musain dhe Harunin t’i flasin butë Faraonit, megjithëse ky i fundit pretendonte se ishte Zot!
Allahu i urdhëron ata dy duke u thënë:
اذْهَبَا إِلَى فِرْعَوْنَ إِنَّهُ طَغَى * فَقُولَا لَهُ قَوْلًا لَيِّنًا لَعَلَّهُ يَتَذَكَّرُ أَوْ يَخْشَى
“Shkoni te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë! Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet” (Surja Ta Ha, 43-44)
Të gjithë jemi koshient se asnjë nga muslimanët nuk është i keq sa Faraoni, dhe asnjëri në mesin tonë nuk është më i ditur, as më i devotshëm, e as më xheloz për fenë e Allahut se Musai dhe vëllai i tij, Haruni.
Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Aisha (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se:
“Hebrenjtë e përshëndesnin Profetin ﷺ duke i thënë: ‘Es Samu alejkum’ (Vdekja qoftë mbi ju!).
Aisha thotë: Unë e kuptova fjalën e tyre dhe u thashë: ‘Edhe mbi ju qoftë vdekja dhe mallkimi!’
Profeti ﷺ më tha: ‘Qetësohu, o Aishe! Allahu i Lartësuar e do butësinë në çdo gjë.’
I thashë: ‘O i Dërguari i Allahut, a nuk i dëgjove çfarë thanë?’
Ai ﷺ më tha: ‘A nuk dëgjove se unë ua ktheva atyre atë (lutje) dhe u thashë: Ue alejkum (Edhe mbi ju qoftë)?’”
Shihni këtë moral të lartë të Profetit ﷺ, se si nuk e prish gjuhën as me ata që e meritojnë një gjë të tillë, jo vetëm kaq, por edhe kritikon Aishen pasiqë ja u ktheu në të njëjtën mënyrë, megjithëse një përgjigje e tillë ishte mëse e merituar.
Ajetet kuranore dhe hadithet profetike që urdhërojnë për butësi janë të shumta, dhe elhamdulilah, shumica e muslimanëve i dinë ose i kanë dëgjuar, me përjashtim të atyre që mund të jenë të rinj në Islam, apo edhe një pakice të vogël që nuk shfaq interes ndaj argumenteve fetare që lidhen me butësinë, pasi i gjithë interesi i tyre lidhet me ashpërsinë, fjalët e rënda, tekfirin, tebdiuun, hexhrin, armiqësinë … etj.
Fjalët e dijetarëve të hershëm (selefëve) — te të cilët ne dhe kushdo që i thotë vetes selefi krenohet se përkatësohet tek ata — në lidhje me rëndësinë e edukatës, moralit dhe etikës janë të panumërta.
Hasan el Basri (v. 110 H) tabiini i njohur, i përshkruan kërkuesit e dijes në kohën e tij duke thënë:
“Kur dikush kërkonte dijen, shumë shpejt ajo vërehej në përuljen e tij, në etikën e tij, në gjuhën, syrin dhe dorën e tij.”
(Ez Zuhd, Ahmed bin Hanbel, 1463)
Haxhaxh bin Erta’a (v. 145 H) i thoshte disave nga nxënësit e tij:
“Dikush prej jush ka më shumë nevojë për edukatë të mirë sesa për pesëdhjetë hadithe.”
(El Xhami’ lil Hatib, 1/201)
Imam Lejth bin Sa’d (v. 175 H) i drejtohej nxënësve të tij e u thoshte:
“Nevoja juaj për pak edukatë është më e madhe se nevoja juaj për shumë dije.”
(Sheraf As’habil Hadith, fq. 122)
Imam Malik bin Enes (v. 179 H), një nga katër imamët e njohur tw Fikhut, i drejtohet një të riu duke i folur në mënyrë tepër modeste:
“Djali i vëllait tim! Mëso edukatën para se të mësosh dijen.”
(Hiljetul Eulija’, 6/330)
Po Imam Maliku tregon gjithashtu se kur ishte i vogël, nëna e tij e bënte gati për të shkuar në mësime dhe i thoshte:
“Shko te Rabia’ bin Ebi Abdurrahman, mëso nga edukata e tij para se të mësosh nga dija e tij.”
(Tertibul Medarik, 1/130)
Abdullah bin Uehb (v. 197 H), një nga nxënësit e Imam Malikut, tregon një detaj shumë interesant teksa thotë:
“Kemi përcjellë nga edukata e Malikut më shumë se ç’kemi përfituar nga dija e tij.”
(Sijer A’lam en Nubela, 8/113)
Ebu Zekerija el Anberi (v. 344 H) thotë:
“Dituria pa edukatë është si zjarri pa dru, kurse edukata pa dituri është si trupi pa shpirt.”
(El Xhami’ lil Hatib, 1/80)
Tekstet e dijetarëve të hershëm e të vonshëm në lidhje me edukatën e nxënësit të dijes nuk kanë fund.
Madje, dijetarët islam kanë shkruar libra të shumtë në të cilat përmbledhin rregullat dhe etikën e kërkuesit të dijes, aspekt ky që na tregon për vlerën e edukatës së atij që pretendon se është hoxhë, thirrës apo nxënës dije — aq më tepër kur pretendon se ndjek selefët.
Shejh Albani (v. 1420H) në një fjalë të tij që tregon për përvojën e tij të gjatë të angazhimit me përhapjen e dijes fetare, kurimin e plagëve të përhapura në mësin e muslimanëve si dhe përpjekjen për rikthimin e muslimanëve në rrugën e selefëve, shejhu konstaton pikërisht problemet e shumë muslimanëve, dhe thekson se ato nuk janë vetëm në lidhje me akiden, por edhe në lidhje me moralin dhe edukimin!
Allahu na dhëntë dije të dobishme, logjikë dhe arsye të shëndoshë, edukatë dhe moral të lartë e na largoftë nga çdo sjellje dhe moral i ultë!