Ky Është Profeti, alejhis selam, Shembulli Ynë

February 6, 2015

Ju e keni shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut.” Ahzab, 31

Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka qenë njeriu më i drejtë. Ai falte shumë. Fliste sinqerisht dhe vetëm të drejtën. Këtë e kanë vërtetuar edhe armiqtë e tij. Herakliu e pyeti Ebu Sufjanin: “A e akuzoni atë se ka qenë gënjeshtar para se të fillonte të fliste atë që flet (të kumtojë Shpalljen)?” Ebu Sufjani tha: “Jo.”

Ka qenë i thjeshtë edhe pse ishte i Dërguar. E mbante fjalën e dhënë dhe e çonte në vend amanetin. Mbante lidhjet farafisnore dhe i ndihmonte nevojtarët. Ka qenë njeriu më trim. Para se Allahu t’i zbriste Shpalljen Hyjnore atë e quanin “El Emin.” Kërkonin gjykimin e tij për shumë gjëra edhe para Islamit. E si mos të jetë kështu ku ai është vula e profetëve, të cilin Allahu e dërgoi si mëshirë për mbarë krijesat.

1. Thjeshtësia e Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me Zotin e tij.

Transmetohet nga Ibën Abasi radijAllahu anhuma se ka dëgjuar Umer Ibën Hatabin radijAllahu anhu në minber të thotë: Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë: “Mos më ngrini me lavdërime të kota siç e ngritën të krishterët birine Merjemes, sepse unë nuk jam veçse rob i Tij . Prandaj thoni: Rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij.” Buhariu

2. Thjeshtësia e Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në shtëpi.

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem merrte pjesë në punët e shtëpisë bashkë me familjen e tij. Nëna e besimtarëve Aishja radijAllahu anha thotë: “Ai, alejhis selam, preokupohej me punët e familjes.” Buhariu

Transmetohet nga Aishja radijAllahu anha se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i arnonte vetë rrobat e tij, rregullonte këpucët e tij dhe bënte ato punë që bënin burrat në shtëpitë e tyre.” Ahmedi.

Kur u pyet Aishja radijAllahu anha se çfarë bënte i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në shtëpi, ajo tha: “Ai i shërbente familjes së tij dhe kur vinte koha e namazit dilte për t’u falur.” Buhariu.

Po sot? Cfarë i thuhet atij personit që vepron kështu? A nuk i thuhet se “e komandon gruaja?” Por jo, ajo ishte drita që zuri vend në zemrën e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e cila u bë e qartë në sjelljen e tij, në veprat e tij, në shërbimin ndaj familjes së tij dhe thjeshtësia e tij me të cilën u pajisë edhe me të cilën u ngrit e u lartësua. “Me të vërtetë ti (o Muhamed) je në shkallën më të lartë të moralit.”

Le të thonë mendjelehtët dhe injorantët çtë duan. Nuk ka qenë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që i bënte këto për shkak të kohës së lirë, por sepse ai donte të plotësonte adhurmin ndaj Allahut me të gjitha llojet dhe format e tij. Nëse burrat e sotëm muslimanë do të vepronin kështu, do të arrinin tri gjëra:
Do të ndiqnin shembullin e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.
Do të ndihmonin gratë e tyre.
Do të ndjeheshin më thjeshtë.

3. Thjeshtësia e Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me shokët e tij.

Transmetohet nga Enesi radijAllahu anhu se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur takonte ndonjë shok të tij nuk e hiqte dorën e tij derisa t’ia lëshontë ai (shoku) i pari.” Et Tirmidhij.

4. Thjeshtësia e Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me të dobëtit dhe fëmijët.

Transmeton Sehl bin Hunejf radijAllahu anhu se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem shkonte tek të varfërit prej muslimanëve dhe i vizitonte ata shpesh. Vizitonte të sëmurët e tyre dhe shkonte në xhenazet e tyre.” Taberaniu dhe Hakimi.

Shkonte i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tek të varfërit, të dobëtit, të sëmurët duke mos e penguar atë të qenurit profet dhe as punët e shumta që kishte për të ndarë prej kohës së tij një pjesë për ta. “Ju e keni shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut.” Ahzab, 31

Ku jeni o ju njerëz të pushtetit nga rruga e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem? A mendoni se pushteti që gjendet në “duart tuaja” është meritë e juaja dhe do ju bëjë të përjetshëm? A nuk jeni ju që jetoni në pallatet më të larta duke ngrënë mishin e popullit tuaj dhe pirë gjakun e tij? A nuk jeni ju që ndjeni ngushtësi të ecni përkrah të varfërit, të vizitoni të sëmurët dhe të ndihmoni të dobëtit nga populli juaj?

Ku jeni o ju të pasur nga thjeshtësia e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem?

Allahu ua ka dhënë si pushtetin ashtu dhe pasurinë për t’ju sprovuar sesi do veproni me të dhe përsëri Ai ua largon. E dijeni se tek Ai do të ktheheni dhe do merrni shpërblimin e asaj që vetë punuat.

Dijeni, se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ishte i shoqërueshëm e i mëshirshëm me të dobëtit, të vobektët dhe i ndihmonte ata. Nëse kërkoni ëmbëlsinë e besimit kjo është rruga drejt saj prandaj mos e humbisni atë.“Me të vërtetë ti (o Muhamed) je në shkallën më të lartë të moralit.”

5. Dhembshuria dhe mëshira e Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me shpendët dhe kafshët.

Dije lexues i nderuar, Allahu më bëftë mua dhe ty pasues të sunetit autentik, se butësia dhe mëshira e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk ka qenë e kufizuar vetëm me njerëzit, por ajo përfshin shpendët dhe kafshët. Transmetohet nga Ibën Abasi radijAllahu anhuma se: I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kaloi pranë një burri, i cili kishte vendosur këmbën e tij mbi një dele dhe po mprehte thikën, ndërkohë që delja shikonte tek ai. I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha: “A nuk e mprehe më parë? A dëshiron ta vdesësh dy herë?” Taberaniu.

Kjo është shkalla më e lartë e moralit dhe dhembshurisë për kafshët. Lexoni dhe mësojeni se kush është i Dërguari ynë sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. “E Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed) veçse si mëshirë për të gjitha krijesat.” Enbija, 107

Transmeton Abdurrahman bin Abdullah prej babait të tij se ka thënë: Ishim me të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në një prej udhëtimeve, ai u largua për një moment dhe ne pamë një zog të kuq i cili ra nga lart dhe e morëm. E ëma e tij (zogut) vinte afër tokës duke kërkuar e trembur të voglin e saj. Në atë cast vjen i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe tha: “Kush e trembi atë për fëmijën e saj? Kthejani shpejt asaj.” Buhariu.

Për Allahun, ky është morali më i lartë dhe thjeshtësia e gjallë, të cilat argumentojnë rrugën, sjelljen dhe drejtimin e saktë.

Tregojani këto tekste atyre që vrasin pleq, gra e fëmijë.

Tregojani këto hadithe atyre që derdhin gjakun e të pafajshmëve për të kënaqur dëshirat e tyre shtazarake.

Lajmëroni këdo prej njerëzve të pushtetit se i Dërguari Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem afronte enën me ujë maces që të pinte dhe më pas ai alejhis selam merrte abdes.

Tregojani atyre që shpikin metoda të ndryshme për të shkaktuar vdekje sa më të dhimbshme se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i tha atij që mprehte thikën në sy të deles: “A do që ta vdesësh dy herë?

Tregojani krejt njerëzimit nga lindja deri në perëndim të tokës se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lëndohej për shpendët dhe kafshët duke ia tërhequr vërejtjen shokëve të tij për këtë gjë.

O njerëz! Sa zemra janë trembur e askush nuk ka pyetur për to! Sa sy janë përlotur e askush nuk ia ka hedhur shikim!

6. Thjeshtësia e Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me fëmijët.

Transmetohet nga Enesi radijAllahu anhu se ka thënë: “Kaloi pranë nesh Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur ishim të vegjël dhe na tha: “Es selamu alejkum, o fëmijë!” “Es Sahihah”.

Enes bin Malik radijAllahu anhu kaloi pranë fëmijëve dhe i përshëndeti me selam ata, e tha: “Kështu vepronte Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.” Buhariu dhe Muslimi

Transmetohet se: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem vizitonte ensarët dhe i përshëndeste me selam fëmijët e tyre, ua përkëdhelte kokat dhe lutej për ta.” Es Sahihah” nr. (1278).

E Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed) veçse si mëshirë për të gjitha krijesat.” Enbija, 107

Kjo është thjeshtësia e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ky është shembulli ynë të cilin ne pasojmë në çdo aspekt të jetës. Ky është i dashuri ynë sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Kjo është feja e pastër Islame të cilës ne i përkasim dhe jemi krenarë që jemi muslimanë.

Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme

Dosje: ,

Loading...