Nga Ebu Seid el Khudrij – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se disa njerëz nga ensarët i kërkuan të Dërguarit të Allahut dhe ai u dha, pastaj i kërkuan dhe ai përsëri u dha, derisa mbaruan ato që kishte dhe pastaj u tha: “Çfarë të mirash kam, unë nuk do tua mbaj, por kush kërkon ta ruajë nderin e tij, Allahu do tja ruajë atij nderin; ai që kërkon të jetë i panevojshëm, Allahu do ta bëjë të panevojshëm; ai që përpiqet për durim Allahu do ta bëjë të durojë; dhe askujt nuk i është dhënë diçka më e mirë dhe më e gjerë se sa durimi” Muttefekun alejhi[1]
Ky hadith përmban katër fjali të dobishme, gjithëpërfshirëse:
E para: Fjala e tij “Ai që kërkon ta ruajë nderin e tij, Allahu do tja ruajë atij nderin”
E dyta: Fjala e tij “ai që kërkon të jetë i panevojshëm, Allahu do ta bëjë të panevojshëm”
Këto dy fjali janë të lidhura me njëra-tjetrën, sepse përsosmëria e robit qëndron në sinqeritetin me Allahun (duke kërkuar vetëm prej Tij) duke u frikësuar dhe shpresuar vetëm prej Tij, duke u lidhur zemra e tij me Të dhe jo me krijesat. Prandaj ai duhet të përpiqet ta arrijë këtë plotësi dhe të bëjë çdo shkak që e çon drejt saj, deri sa të bëhet vërtet rob i Allahut, i lirë nga robërimi ndaj krijesave.
Dhe kjo bëhet duke luftuar me veten e tij në dy çështje:
E para shmangien e saj nga lidhja me krijesat. Mos e lidh zemrën tënde me krijesat, sepse ata janë mjete që Allahu i lëviz si të dëshirojë Ai, dhe kështu të sjell të mira nëpërmjet ndonjërit prej tyre. Por kur ti u kërkon atyre, mund të poshtërohesh. Prandaj tregohu i panevojshëm, jolakmitar kundrejt asaj që gjendet në duart e tyre, dhe mos i syno ato (të mira materiale) me fjalë, e as mos i dëshiro. Dhe në fund rizkun tënd do ta marrësh, askush nuk ta merr atë që ta ka caktuar Allahu, por çështja është se si e merr, me dinjitet apo me nënçmim.
Për këtë Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Pasha Atë në dorë të të Cilit është shpirti im! Që të marrë ndonjëri prej jush litarin e tij dhe të shkojë në pyll e të presë dru, e t’i mbartë ato në shpinën e tij dhe, t’i shesë ato dhe, tja ruajë Allahu fytyrën e tij, është më mirë për të se sa tu kërkojë njerëzve. Ata mund t’i japin dhe mund të mos i japin” (Bukhari: 1470- 1471)
Feja na mëson se është më mirë që njeriu ta fitojë pasurinë me hallall me punën e tij, edhe nëse puna që bën mund të jetë e vështirë dhe mund të ketë një farë nënçmimi, por kjo është më e mirë për të se sa të dalë dhe të lypë dhe ta humbasë dinjitetin e tij. Sikur të mos ishte e shëmtuar lypja në fenë tonë, nuk do të kishte ardhur nxitja për fitimin e pasurisë qoftë edhe në këtë mënyrë! Dhe sepse lypja mund ta ngushtojë të pasurin, nëse i jep çdokujt që i kërkon. Dhe kanë thënë gjithashtu dijetarët se fjala e përmendur në këtë hadith: “është më e mirë për të” nuk tregon se është e mirë tu kërkosh njerëzve, sepse nuk ka mirësi në kërkimin e njerëzve duke pasur mundësi njeriu të fitojë, dhe dijetarët shafij kanë thënë se ai që ka mundësi të fitojë pasuri e ka haram lypjen. Pra ai që kërkon mendon se është gjë e mirë kur i japin, por ajo në të vërtetë është e keqe për të.
Dhe na ka njoftuar Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – se: “Vazhdon njeriu tu kërkojë njerëzve derisa vjen Ditën e Gjykimit dhe nuk ka asnjë copë mish në fytyrën e tij” (Bukhari: 1474-1475)
Dmth do të vijë Ditën e Gjykimit i poshtëruar, pa vlerë dhe pa personalitet. Ashtu siç e poshtëroi fytyrën e tij në dynja duke kërkuar prej njerëzve, ashtu do të vijë pa mish në fytyrë Ditën e Gjykimit, sipas veprës edhe shpërblimi.
Në një transmetim tjetër ka ardhur: “Vazhdon njeriu të kërkojë nga të tjerët edhe duke qenë i pasur, derisa t’i tretet fytyra e tij dhe nuk ka asnjë vlerë para Allahut” Dmth se sadakaja nuk i lejohet atij që ka dhe u kërkon njerëzve për të shtuar pasurinë.
Për këtë arsye kur Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – i urdhëronte sahabët të jepnin sadeka, ata shkonin në treg dhe punonin si hamall, që të fitonin për vete dhe tu jepnin sadeka edhe të tjerëve. (Bukhari)
Dhe në një hadith tjetër thotë: “Që të marrë ndonjëri prej jush litarin e tij pastaj të shkojë në mal dhe të presë dru e t’i shesë ato dhe të hajë për vete, e tu japë sadaka të tjerëve, është më mirë për të se sa tu kërkojë njerëzve” (Bukhari: 1480)
Ka ardhur në një hadith prej Umerit – radijallahu anhu – i cili thotë: I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – më jepte mua ndonjë gjë, dhe unë i thosha: Jepja atij që ka më shumë nevojë se unë për të. Dhe ai më tha: “Merre! Çfarë të vjen prej kësaj pasurie pa e dëshiruar (lakmuar) ti atë, dhe pa e kërkuar, atëherë merre, përndryshe mos e lejo veten tënde ta pasojë atë”[2] (ta kërkojë apo ta dëshirojë atë që gjendet tek të tjerët, prej të mirave materiale) (Bukhari 1473)
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Dhe në pasuritë e tyre ka pjesë lypësi dhe ai që nuk ka pasuri (i varfri)” (Dharijat 19) Në këtë ajet Allahu e lavdëron të pasurin që i jep lypësit (atij që i kërkon) dhe atij që nuk i kërkon. E nëse ai që jep është i lavdëruar atëherë edhe dhurata e tij është e pranuar, dhe ai që e merr atë nuk është i qortuar. Në këtë ajet janë përmendur dy lloje të varfrish, ai që s’ka dhe u kërkon njerëzve (lypësi) dhe, ai që s’ka por nuk u kërkon njerëzve edhe pse është nevojtar, dhe ky i dyti është më i lavdëruari, sepse ai ka dinjitet dhe e ruan fytyrën e vet.
Pra ndërprerja e dëshirës që gjendet në zemër, dhe e kërkesës me gjuhë, për të qëndruar larg nga të mirat që mund të vijnë prej krijesave dhe nga të lidhurit e zemrës me ta, është shkak i fortë për ruajtjen e nderit (apo nëse dëshiron thuaj: ruajtjes së personalitetit dhe dinjitetit). Pra, Profeti alejhis-selam na porosit që të tregohemi krenarë, dhe dinjitozë, dhe të ruajmë integritetin dhe personalitetin tonë, prandaj të mos u kërkojmë njerëzve, e as të mos mbajmë shpresa se mos dikush na jep pasuri, apo na jep të mira, por këto shpresa t’i mbajmë tek Allahu. Dhe nëse na vjen diçka prej pasurisë pa e shpresuar ne atë dhe pa e kërkuar me gjuhën tonë, atëherë na lejohet që ta marrim.
Ka ardhur në transmetime të tjera plotësimi i kësaj ngjarjeje, dhe se Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – e kishte zakon t’i jepte gjithëmonë Umerit – radijallahu anhu – derisa një herë ai i tha: “O i Dërguari i Allahut, jepja dikujt që është më nevojtar se unë.” Dhe i Dërguari – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – i tha: Merre këtë pasuri dhe zotëroje atë, dhe jep sadaka prej saj” (Bukhari) Pra pasuria që i jepte Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – Umerit, nuk ishte prej sadekave, prej lëmoshës, por ishte prej pasurisë që kryetari i shtetit ua jep vartësve të tij, apo nëpunësve të shtetit. E megjithatë Umeri nuk donte ta merrte. Dhe Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – e mësoi që ta merrte për sa kohë ai nuk e kishte kërkuar e as e kishte shpresuar. Dhe kjo gjë është e pëlqyeshme kanë thënë dijetarët. Dmth që ta marrë pasurinë nëse plotësohen këto dy kushte.
Dhe plotësimi i kësaj (çlirimi nga të qenit rob i krijesave dhe të qenit rob vetëm i Allahut) bëhet duke luftuar veten për çështjen e dytë: të të mjaftojë Allahu, të jesh i panevojshëm për krijesat për shkak se ke Allahun që të mjafton për gjithçka, dhe të kesh siguri në mjaftueshmërinë e Tij. Sepse kush i mbështetet Allahut Ai i mjafton atij, dhe ky është qëllimi, ndërsa çështja e parë është mjet për të arritur këtu. Sepse ai që tregohet i panevojshëm nga ajo që gjendet në duart e njerëzve dhe nga ajo që mund të arrijë prej tyre, kjo ja bën të domosdoshme forcimin e lidhjes së tij me Allahun dhe shpresimin prej Tij, dhe dëshirën për të arritur mirësitë e Tij, dhe kështu mendon mirë për Zotin e tij dhe e forcon sigurinë tek Zoti i tij.
Dhe Allahu i Lartësuar është tek mendimi i mirë i robit të Tij për Të, nëse ai mendon mirë për Allahun, do të gjejë të mirën, e nëse mendon diçka tjetër, atë do ta gjejë. Dhe çdonjëra nga dy çështjet e ndihmon tjetrën dhe e forcon atë. Kështu sa më shumë forcohet lidhja e tij me Allahun, dobësohet lidhja e tij me krijesat (në aspektin që u sqarua më sipër) dhe sa më shumë njeriu i lidh shpresat e tij me krijesat dhe e lidh zemrën e tij me krijesat, aq më shumë do të dobësohet lidhja e tij me Allahun.
Dhe prej lutjes së Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka qenë edhe: “All-llahumme inni es’elukel huda uet-tuka, uel afafe uel ghina” (O Allah unë të kërkoj udhëzimin dhe devotshmërinë, mospasjen nevojë për askënd dhe pasurinë)[3] Kështu e përmblodhi të gjithë mirësinë në këtë duà, sepse: udhëzimi është dija e dobishme, devotshmëria është puna e mirë dhe lënia e të gjitha ndalesave, dhe kjo është përmirësimi i fesë.
Dhe plotësimi i kësaj arrihet me përmirësimin e zemrës, qetësimin e saj duke mos pasur nevojë për krijesat dhe duke qenë i pasur me Allahun, e ai që është i pasur me Allahun ai me të vërtetë është i pasuri, edhe nëse të ardhurat e tij janë të pakta. Sepse pasuria nuk është malli i shumtë, por pasuria është ajo e zemrës. Kështu me mospasje nevojë për krijesat dhe pasurisë me Allahun realizohet jeta e këndshme, lumturia e dynjasë dhe kënaqja me atë që të ka dhënë Allahu.
Populli ynë thotë një fjalë të urtë: “Nuk mbahet shtëpia me miell hua.” E as me të lypur! Lypja nuk ka bereqet!
Sahabiu i quajtur Hakim ibn Hizam thotë: I kërkova të Dërguarit të Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – dhe ai më dha, pastaj i kërkova dhe ai më dha, i kërkova përsëri dhe ai përsëri më dha, pastaj më tha: “O Hakim! Kjo pasuri është e dashur dhe e ëmbël. Ai që e merr atë pa e kërkuar (Kujt i vjen pasuria pa e kërkuar) do t’i jepet bereqet në të, ndërsa ai që e kërkon atë dhe mban shpresa prej njerëzve që t’i japin, atij nuk do t’i jepet bereqet në të. (Nuk bën prokopi). Si puna e atij që ha dhe nuk ka të ngopur. Dhe dora e sipërme (ajo që jep) është më e mirë se e poshtmja (ajo që kërkon, apo ajo që merr).
Atëherë Hakimi tha: O i Dërguari i Allahut! Pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën! Nuk do t’i kërkoj më askujt pas teje derisa të ndahem nga kjo jetë. – Më pas Ebu Bekri e thërriste Hakimin që t’i jepte (nga pasuria e shtetit), por ai refuzonte të merrte prej tij. Pastaj e thërriti Umeri që t’i jepte por ai refuzoi të merrte edhe prej tij. Atëherë Umeri ju drejtua njerëzve dhe u tha: O muslimanë! Ju jeni dëshmitarë se unë po i jap Hakimit hakun e tij (nga pasuria e shtetit) dhe ai refuzon ta marrë! – Kështu Hakimi nuk i kërkoi askujt prej njerëzve pas të Dërguarit të Allahut – sal lall llahu alejhi ue sel lem -, derisa vdiq!” (Bukhari: 1472)
E treta është fjala e tij: “Ai që përpiqet për durim Allahu do ta bëjë të durojë” (do tja bëjë atë të lehtë).
Pastaj përmendi në fjalinë e katërt se kur Allahu i jep dikujt durim, i ka dhënë dhuratën më të gjerë dhe më madhështore, e cila e ndihmon në punët e tij. Thotë i Lartësuari: “Dhe ndihmohuni me durim dhe namaz” (Bekarah: 45) dmth: në të gjitha punët tuaja.
Dhe durimi, si gjithë moralet e tjera, ka nevojë për luftë me vetveten dhe ushtrimin e saj, prandaj thotë: “dhe ai që përpiqet për durim” dmth lufton vetveten për të bërë durim, “Allahu do ta bëjë të duruar” do ta ndihmojë për të.
Durimi është dhurata më e madhe sepse ai lidhet me të gjitha punët e robit dhe me përsosmërinë e tij. Dhe çdo gjendje e robit ka nevojë për durim. Kështu ai ka nevojë për durim në adhurimin ndaj Allahut, në mënyrë që ta kryejë atë ashtu siç duhet, ka nevojë për durim ndaj kundërshtimit të Allahut (gjynaheve) që t’i lerë ato për hir të Allahut, dhe ka nevojë për durim ndaj paracaktimeve të hidhura që janë prej Allahut, në mënyrë që të mos zemërohet për to, madje ka nevojë për durim ndaj mirësive të Allahut dhe gjërave që janë të dashura për nefsin e tij, në mënyrë që të mos e lëshojë veten dhe të kënaqet në atë mënyrë që është e qortuar, por (të kënaqet) duke falenderuar Allahun (për ato mirësi që i dhuroi).
Kështu ai ka nevojë për durim në të gjitha gjendjet e tij, dhe me durim arrihet shpëtimi. Për këtë arsye Allahu i përmendi banorët e Xhenetit duke thënë për ta: “Dhe engjëjt u hyjnë atyre nga çdo derë (duke u thënë:) Paqja qoftë mbi ju, për shkak të durimit tuaj, sa e mirë është shtëpia në të cilën përfunduat.” (Ra’d: 23-24) Dhe thotë gjithashtu: “Ata shpërblehen me dhoma (pallate elegante dhe luksoze) për shkak se duruan” (Furkan: 75)
Pra ata arritën Xhennetin dhe begatitë e tij, dhe arritën gradat e larta me durim. Por robi i kërkon Allahut shpëtim prej sprovës, përfundimin e së cilës ai nuk e di, pastaj nëse ajo i vjen, atëherë detyra e tij është të bëjë durim. Kështu shpëtimi prej të këqijave është gjëja e kërkuar, është për qëllim shpëtimi prej sprovimit me fatkeqësi, por durimi është ai për të cilin urdhërohemi kur shfaqen shkaqet e tij dhe gjërat që lidhen me të. Dhe Allahu është ndihmuesi!
U ka premtuar Allahu durimtarëve në Librin e Tij dhe më gojën e të Dërguarit të tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – , gjëra të larta dhe fisnike. U ka premtuar atyre ndihmë në çdo çështje të tyren, dhe se Ai është më ta duke u kujdesur për ta, duke u dhënë sukses dhe duke i drejtuar drejt në çështjet e tyre. Dhe ka njoftuar se Ai i do ata dhe i përforcon zemrat dhe këmbët e tyre, hedh mbi ta qetësinë (es-sekineh) dhe rehatinë shpirtërore, dhe ua lehtëson atyre adhurimet, i ruan nga kundërshtimi i Tij (gjynahet) dhe i privilegjon ata me lavdërime, mëshirë dhe udhëzim në fatkeqësi, dhe Allahu i ngre ata në më të lartat pozita në dynja dhe Akhiret.
Po ashtu Allahu u premtoi atyre fitoren dhe se do tua lehtësojë atyre më të lehtën (adhurimet do tua bëjë të lehta) dhe do tua largojë të vështirat, dhe u premtoi atyre lumturi, shpëtim dhe sukses, dhe se do tu japë atyre shpërblime aq sa s’numërohen (pa hesap). Dhe premtoi se do tu japë atyre në dynja më shumë se ajo që u mori prej gjërave të dashura, dhe më të mira se ato. Do tua zëvendësojë ato që u kanë ndodhur prej të urryerave (prej fatkeqësive) me një zëvendësim të shpejtë, që është shumfish nga ajo që u ndodhi atyre prej gjërave të papëlqyera, dhe fatkeqësive. Dhe ai në fillimin e tij është i rëndë, i vështirë, por në përfundimin e tij është i lehtë dhe i lavdëruar, siç kanë thënë:
Dhe durimi është ashtu siç ka emrin, e hidhur shija e tij,
por përfundimi i tij është më i ëmbël se mjalti.
[1] Bukhari/ kapitulli i zekatit/ tema: Ruajtja e fytyrës prej lypjes/ 1469. Muslimi/ kapitulli i zekatit/ tema: Vlera e ruajtjes së personalitetit (teaffuf)/ 1053.
[2] Bukhari/ kapitulli i zekatit/ tema: “Kujt i jep Allahu diçka pa e kërkuar dhe pa qenë i interesuar për të”/ 1473. Muslimi/ kapitulli i zekatit/ tema: “Lejueshmëria e marrjes së asaj që të jepet pa e kërkuar dhe pa e dëshiruar”/ 1045.
[3] Muslimi/ kapitulli i dhikrit dhe duasë/ tema: “Kërkimi i mbrojtjes nga e keqja e e asaj që ka vepruar dhe e asaj që nuk ka vepruar”/ 2721 nga hadithi i Abdullah ibn Mes’udit – Allahu qoftë i kënaqur prej tij.
Dosje: Durimi
Të Ngjashme
- “Nuk arrihet dituria me rehatinë e trupit.” Udha e Besimtarëve
- Nuk është domosdoshmëri Udha e Besimtarëve
- Pse njerëzit tregohen të painteresuar nga kërkimi i dijes së dobishme? Udha e Besimtarëve
- Kuptimi i vërtetë i Islamit Udha e Besimtarëve
- Porosi të çmuara në edukimin e fëmijëve Udha e Besimtarëve