Kjo botë është vendi i sprovave dhe mundimeve

March 5, 2022

Falënderimi i takon Allahut!

Kjo botë është vendi i përpjekjes ndërsa ahireti është vendi i shpërblimit ose dënimit, ku besimtarët do shpërblehen me Xhenet dhe jobesimtarët do ndëshkohen me xhehenem.

Përderisa toka e Xhenetit është e mirë atëherë aty nuk do të hyjë askush përveç atyre që ishin të mirë. Allahu është i mirë dhe nuk pranon asgjë përveç asaj që është e mirë. Pra, ligji i Allahut me robërit e Tij është që t’i sprovojë ata me fatkeqësi dhe mundime, në mënyrë që besimtari të njihet nga mohuesi dhe të dallohet i sinqerti nga gënjeshtari, siç thotë Allahu i Lartësuar:

“Vërtet mendojnë njerëzit se do të lihen të thonë; “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre në mënyrë që Allahu të dallojë ata që thonë të vërtetën dhe ata që gënjejnë.” |El-Ankebut: 2-3|

Fitorja dhe suksesi nuk mund të arrihen vetëm se pas sprovave të cilat bëjnë dallimin mes të mirës dhe të keqes dhe e dallojnë besimtarin nga jobesimtari, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu nuk i lë besimtarët në gjendjen që ndodheni ju, por do ta ndajë të keqin prej të mirit. Allahu nuk do t’ua zbulojë të fshehtën (që vetëm Ai e di).” |Al Imran: 179|

Prej sprovave me të cilat Allahu i sprovon robërit e Tij për të dalluar besimtarët nga jobesimtarët është ajo që përmendet në këtë ajet: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj përgëzoji të duruarit, të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi! Ata do shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre, ata janë në rrugën e drejtë.” |El-Bekare: 155-157|

Allahu i sprovon robërit e Tij, i do durimtarët nga mesi i tyre dhe i përgëzon me Xhenet.

Gjithashtu, Allahu i sprovon robërit e Tij me luftë siç thotë në Kuranin famëlartë: “A mendoni se do të hyni në Xhenet pa i provuar Allahu ata që kanë luftuar prej jush dhe pa i provuar ata që kanë duruar?” |Al Imran: 142|

Pasuria dhe fëmijët janë një sprovë me të cilën Allahu i sprovon robërit e Tij, për të ditur se kush do ta falënderojë Atë dhe kush do shpërqëndrohet dhe do ta harrojë:

Dijeni se pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm një sprovë, dhe se padyshim që tek Allahu ka një shpërblim të madh.” |El-Enfal: 28|

Allahu na sprovon herë me fatkeqësi e herë me mirësi për të dalë në shesh se kush do falënderojë e kush do jetë mosmirënjohës, kush do bindet e kush do kundërshtojë. Pastaj do t’i shpërblejë ose do t’i ndëshkojë në ditën e Kjametit:

“Ne do t’ju sprovojmë me të keqen dhe me të mirën, dhe tek Ne do të ktheheni.” |El-Enbija: 35|

Sprovat vijnë në varësi të besimit ku më të sprovuarit mes njerëzve janë profetët, pastaj më të mirët (pas Profetëve) dhe kështu me rradhë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Unë sëmurem dhe dhimbja ime është e barabartë me dhimbjen e dy burrave prej jush.” Buhariu me nr. 5648.

Allahu i sprovon robërit e Tij me lloje të ndryshme sprovash. Ndonjëherë Ai i sprovon me fatkeqësi dhe sprova për të dalluar besimtarin nga jobesimtari, të bindurin nga i pabinduri, mirënjohësin nga mosmirënjohësi. Ndonjëherë Allahu i sprovon robërit e Tij me fatkeqësi kur ata bien në gjynahe, kështu Ai i edukon përmes fatkeqësive që të kthehen tek Ai, siç thotë Allahu i Lartësuar:

“Dhe çfarëdo fatkeqësie që ju godet ajo është për shkak të asaj që keni fituar me duart tuaja. Dhe Ai fal shumë.” |Esh-Shura: 30|

“Me të vërtetë Ne i dënuam por ata nuk iu përulën Zotit të tyre dhe as nuk iu lutën (Allahut) me nënshtrim ndaj Tij.” |El-Mu’minun: 76|

Allahu është i mëshirshëm me robërit e Tij; Ai dërgon fatkeqësi të përsëritura mbi ta që të kthehen dhe të pendohen tek Ai, të heqin dorë nga ajo që Allahu ka ndaluar dhe kështu t’i falë. Allahu thotë: “Vallë, a nuk e shohin ata se çdo vit vihen në provë një ose dy herë, e prapëseprapë nuk pendohen e as nuk e mbledhin mendjen?!” |Et-Teube: 126|

Prej mëshirës së Allahut është se dënimi për mëkatet ndodh në këtë botë në mënyrë që shpirtrat e tyre të pastrohen dhe të kthehen tek Allahu para se të vdesin: “Dhe Ne do bëjmë që të shijojnë një dënim më të lehtë në këtë jetë para dënimit më të madh në jetën e përtejme, me qëllim që të kthehen në rrugën e drejtë.” |Suretu es-Sexhde: 21|

Ndonjëherë Allahu i sprovon robërit e Tij me fatkeqësi për t’i ngritur në pozitë dhe për t’ua shlyer mëkatet, siç ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ve sel-lem: Çdo gjë që e godet muslimanin dëm apo shqetësim, madje edhe gjëmbi që e shpon, me këtë Allahu do t’ia shlyejë atij mëkatet.” Buhariu me nr. 5641.

 

Shkëputje nga libri: “Bazat e fesë Islame”.

Autor: Shejh Muhamed bin Ibrahim et Tuejxhiri

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...