A duhet të jem i përgatitur me diçka të veçantë nga ana fetare kur më lind një foshnje?

February 25, 2021

Si duhet të veproj dhe a duhet të jem i përgatitur me diçka të veçantë kur më lind një foshnje? A ekzistojnë sunete (nga tradita Profetike) që duhet t’i ndjek?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut!

Së pari:I lutemi Allahut që t’a bekojë foshnjën tuaj që do të lindë dhe t’a bëjë atë prej njerëzve të drejtë dhe të devotshmëm, në mënyrë që të bëjë pjesë në peshoren e veprave tuaja të mira. Përcillet nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ) se ka thënë: “Kur vdes biri i Ademit të gjitha punët e tij ndërpriten, me përjashtim të tri veprave: Sadakaja (rrjedhëse) e vazhdueshme, dija e dobishme (prej të cilës njerëzit përfitojnë) dhe fëmija i mirë që lutet për të (prindin).” Transmeton Muslimi me nr. 1631.

Së dyti: Nuk ka asnjë veprim të përshkruar në sheriat (legjislacion) që flet për përgatitjen e ardhjes së foshnjës në jetë, një ose dy ditë para se të lindë, me aq sa dimë! Por mund të përdoren lutje të përgjithshme, të tilla si lutja që i porsalinduri të jetë shëndoshë e mirë, i udhëzuar në të ardhmen etj.

Allahu përmend në Librin e Tij lutjen e gruas së devotshme gruas së Imranit, e cila tha: “Kujto kur gruaja e Imranit tha: Zoti im, unë Ty t’a kam kushtuar atë që është në barkun tim që të të shërbejë vetëm Ty, andaj pranoje prej meje se Ti me të vërtetë dëgjon dhe di çdo gjë. E kur ajo lindi, tha: Zoti im! Unë linda femër, – Allahu e di më mirë se çfarë lindi ajo -, e mashkulli nuk është si femra. Unë ia vura emrin Merjeme dhe i kam lënë atë me pasardhësit e saj nën mbrojtjen Tënde nga djalli i mallkuar. “[Ali Imran 3: 35-36]

Më poshtë do të përmendim disa gjërave që mund të praktikohen në ditën e lindjes së fëmijës:

1 – Është i pëlqyeshëm tahniku (zbutja e diçkaje të ëmbël dhe mëkimi) i foshnjes dhe lutja për të.

Transmetohet nga Ebu Musa (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili ka thënë: “Unë u shtova me një djalë dhe e solla atë tek Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Ai e quajti Ibrahim, i bëri Tahnik me disa hurma dhe u lut që Allahu t’a bekojë, pastaj ma ktheu përsëri.” E përcjell Buhariu me nr. 5150 dhe Muslimi me nr. 2145.

Tahnik do të thotë të vendosësh diçka të ëmbël si hurma ose mjalti, në gojën e fëmijës të sapolindur.

2 – Lejohet që fëmijës t’i vendoset emri qysh ditën e parë, ose edhe ditën e shtatë të lindjes së tij.

Transmetohet se Enes ibn Malik ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Këtë natë më lindi një djalë dhe unë e kam quajtur atë me emrin e babait tim Ibrahim.” Muslimi me nr. 3126.

Aisha përcjell duke thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bëri kurban për Hasanin dhe Husejnin në ditën e shtatë dhe u vuri edhe emrat e tyre. Transmeton Ibn Hiban 12/127, dhe Hakimi 4/264. E ka klasifikuar si të saktë Hafidh ibn Haxher në librin Fet’h el-Bari 9/589).

3 – Kurbani dhe synetia.

Transmetohet nga Selman bin Amir (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Për djalin duhet të theret një kurban. Bëni kurban për të dhe largojeni dëmin prej tij (duke e bërë synet). “

Transmeton Tirmidhiu 1515, Nesaiu 4214, Ebu Daud 2839 dhe Ibn Maxheh 3164. Ndërsa shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) e ka klasifikuar si hadith të saktë në librin el-Irua 4/396.

Transmetohet se Semurah bin Xhundub (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “çdo fëmijë është peng i kurbanit të tij. Ditën e shtatë duhet të theret kurbani (akika) për të, t’i vihet emri dhe t’i qethet koka.”

E përcjell Tirmidhiu 1522, Nesaiu 4220 dhe Ebu Daudi 2838. Hadithi u klasifikua si i saktë nga shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) në librin El-Irua 4/385.

Imam Ibn el-Kajim (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Prej dobive të akikas (kurbanit për fëmijën):

– Është sakrificë me anë të së cilës fëmija i afrohet Allahut menjëherë pasi vjen në këtë botë.

– E nxjerr nga pengu të porsalindurin sepse ai është peng i kurbanit (akikas), dhe në mënyrë që ai të mund të ndërmjetësojë për prindërit e tij.

– Është sakrificë me anë të së cilës i porsalinduri shpaguhet ashtu si Allahu e shpagoi Ismailin me dashin. (Tuhfetu el-Meudud, fq. 69).

Ndoshta një përfitim tjetër i akikës (kurbanit për të sapolindurin) është mbledhja e të afërmve dhe miqve në tryezën e ushqimit.

Ndërsa Synetia (rrethprerja) është pjesë e Sunen el-Fitrah (praktika që lidhen me prirjet e pastra dhe natyrore të njeriut). Synetia është e detyrueshme në rastin e djemve sepse lidhet me çështje pastërtie të cilat janë kushte thelbësore të namazit.

Transmetohet nga Ebu Hurejra se ka thënë: “Pesë gjëra kanë të bëjnë me Fitran (praktika që lidhen me prirjet e pastra dhe natyrore të njeriut): synetia, heqja e qimeve në pjesët intime të trupit, shkulja e qimeve nënsqetulla, prerja e thonjve dhe shkurtimi i mustaqeve.” E përcjell Buhariu 5550, dhe Muslimi 257.

Së treti: Në grupin e traditave të mira që praktikohen tek foshnja i porsalindur, dijetarët kanë përmendur edhe Ezanin që i këndohet foshnjes në veshin e djathtë. Kjo në mënyrë që gjëja e parë që dëgjon foshnja kur vjen në këtë botë të jetë dëshmia e Teuhidit (monoteizmit). Ata kanë treguar se kjo lë gjurmë të mira dhe të begata tek i porsalinduri. Ndërsa këndimi i ikametit në veshin e majtë të foshnjes nuk është saktësuar. Për më tepër shih “Vargu i Haditheve të dobëta” 1/491.

Së katërti: Rruajtja e kokës së fëmijës pastaj vajosja e kokës me shafran është shumë e dobishme. Pas kësaj është e këshillueshme që të bësh bamirësi në ar ose argjend aq sa peshojnë flokët e të porsalindurit. Nuk është kusht që flokët e hequra të peshohen. Nëse është shumë e vështirë për t’a bërë atë, mjafton t’a vlerësosh peshën dhe të japësh në këmbim monedhë letre ekuivalente me çmimin e asaj sasie ari ose argjendi.

I lutemi Allahut që të na mbrojë neve dhe fëmijët tanë nga çdo e keqe, dhe të na mbajë të sigurt dhe të shëndoshë në këtë botë dhe në botën tjetër!

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...