A lejohet të betohesh rrejshëm me qëllim që të pajtosh mes dy personave?

November 21, 2023

A lejohet të betohesh rrejshëm me qëllim që të pajtosh mes dy personave që kanë grindje ndërmjet tyre?

Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në hadithin e Umu Kulthum bint Ukbete ibn ebi Muiit, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, tregon duke thënë: “Nuk është gënjeshtar ai person që pajton (përmirëson) ndërmjet njerëzve, i cili shton (mirësi dhe flet mirë).” E ajo thotë: “Nuk e kam dëgjuar (Profetin) të tolerojë për diçka që njerëzit e quajnë gënjeshtër vetëm se në tre raste: 1- Pajtimin (përmirësimin) ndërmjet njerëzve. 2- Në luftë. 3- Bisedat e burrit (lëvdatat) ndaj bashkëshortes së tij dhe bisedat (lëvdatat) e gruas ndaj bashkëshortit të saj.” E transmeton Muslimi në librin e saktë të haditheve.

Nëse personi thotë në pajtimin ndërmjet njerëzve: Betohem në Allahun se shokët e tu (që ka pasur mosmarrëveshje) dëshirojnë pajtimin me ty. Apo; dëshirojnë të bien dakord me ty. Apo; dëshirojnë etj. etj. E më pas shkon tek të tjerët (pala tjetër) dhe u thotë atyre të njëjtat gjëra ku qëllimi i tij me këtë është mirësia dhe pajtimi ndërmjet tyre. Nuk ka ndonjë problem në këtë gjë duke u bazuar në hadithin e lartpërmendur.

Kështu mund të veprojë edhe nëse sheh ndonjë person i cili dëshiron të vrasë ndonjë person tjetër padrejtësisht, apo dëshiron t’i bëjë dikujt ndonjë lloj tjetër padrejtësie, t’i thotë atij: ‘Për Zotin, ai është vëllai im!’ Me qëllim që ta shpëtojë atë nga ky keqbërës nëse ai dëshiron ta vrasë atë pa të drejtë, apo ta godasë atë pa të drejtë. Nëse ai e di se kur i thotë: ‘Është vëllai im,’ ai do ta falë në respekt të tij, në këtë rast është detyrë për të që të veprojë në këtë mënyrë për shkak të dobisë dhe shpëtimit të vëllait të tij nga padrejtësia (dëmi në këtë rast).

Nga e gjithë kjo dalim në përfundimin se: Origjina në rastet e betimit të rrejshëm është ndalesa (haram) me përjashtim të atyre rasteve kur dobia është më e madhe se gënjeshtra, sikurse në tre rastet e përmendura në hadithin e mësipërm.

Marrë nga: “Mexhmu el fetaua”, vëllimi i parë, fq. 54.

Autor: Shejh Ibën Baz

Përktheu: Naim Bilibashi

Dosje: ,

Loading...