Çfarë gjykimi ka unaza që përdoret si tespije (për të numëruar me to dhikrin)?

Pyetje: Çfarë gjykimi ka unaza që përdoret si tespije (për të numëruar me to dhikrin)?

Përgjigje: Ka të njëjtin gjykim me tespijet. Disa njerëz mbajnë një unazë me të cilën numërojnë dhikrin që bëjnë, disa të tjerë mbajnë tespije. Këto gjëra e ekspozojnë veprën përpara syfaqësisë.
Unë ju përmenda një fjalë të përgjithshme se si mund të fitojmë sinqeritetin. Duke e fshehur veprën. Fshihe veprën tënde të mirë. Fute dorën tënde në xhep dhe bëj tesbih (subhanallah, elhamdu lilah…) dhe askush nuk e merr vesh çpo bën (veç Allahut, Ai për të cilin po e bën këtë vepër).

I Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – bënte tesbih me majat e gishtave të dorës së tij të djathtë. Prej gabimeve që veprojnë disa njerëz është se i bëjnë tesbihët me dorën e djathtë dhe të majtë. Kjo është gabim. Lajmëtari i Zotit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – i numëronte tesbihët me gishtat e dorës së djathtë.

Dhe thoshte – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Ato do të pyeten dhe do tu mundësohet të flasin” Këta gishta do të pyeten Ditën e Gjykimit dhe do të flasin (do të tregojnë adhurimin që është bërë me to). Këta gishta do të flasin dhe do të dëshmojnë se ti bëje tesbih me to.

Prandaj ai që bën tesbih me unazë apo me tespije, kush do të dëshmojë për të Ditën e Gjykimit? (Sh.p.: Nëse dikush thotë: Ato do të dëshmojnë. – E pyesim: Kush të tha? Nga e morre vesh këtë lajm që flet për diçka të fshehtë?!)

Prandaj disa dijetarë, kanë përmendur unanimitetin që ekziston mes tyre se: të bërit e tesbihëve me majat e gishtave është më e dashur tek Allahu se ai që bëhet me tespije.

Pastaj dije – Allahu më mësoftë mua dhe ty – se: të gjitha hadithet që flasin për tespijet nuk saktësohen prej të Dërguarit të Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -. Të gjitha hadithet që flasin për bërjen e tesbihëve me tespije apo me guralecë nuk janë të sakta. Dhe nuk saktësohet asgjë tjetër në këtë temë veç asaj se: Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – i ka bërë tesbihët me majat e gishtave të dorës së tij të djathtë.

Prandaj i them atij që pyet për bërjen e dhikrit me këtë unazë: ‘Kjo vepër nuk është sipas udhëzimit të Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.’

Shejkh Mesh’hur Hasen, Allahu e ruajtë.
Perktheu Emin Bilali