Çfarë i ndalon njerëzit nga e keqja?

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!

Me të vërtetë falënderimet i përkasin vetëm Allahut të Madhëruar, Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë! I lutemi Allahut të na ruajë nga të këqijat e vetes dhe veprave që bëjmë! Këdo që udhëzon Allahu nuk mundet askush ta humbasë, dhe këdo që humbet Allahu askush nuk mundet ta udhëzojë. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar të vërtetë përpos Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij!

Në vazhdimësinë e serisë “Bidajetu es Salikin” Allahu i Lartësuar më mundësoi të nxjerr edhe këtë libër të titulluar “Jeta pas vdekjes – shpërblimi dhe ndëshkimi”. Unë besoj se ishte e nevojshme t’ua jepja këtë informacion vëllezërve të mi muslimanë, sepse dënimet dhe shpërblimet e varrit janë tema që përfshihen në kapitujt e Akides (besimit) dhe janë  tema të cilat duhet t’i dimë.

Njohja e shtyllave të imanit, njohja e dënimit dhe shpërblimit në varr, dënimit të zjarrit dhe begatisë së Xhenetit. Dituria dhe besimi në të gjitha këto çon në përmirësimin e anës së brendshme e cila automatikisht do të çojë në përmirësimin e gjendjes se jashtme të jetës, duke përfshirë përmirësimin e moralit mbi të cilin ndërtohet një jetë e sigurt dhe lumturi për të gjithë shoqërinë dhe mbarë umetin.

Ne e dimë se shkaku i prishjes së njerëzve qoftë në baza individuale apo grupore vjen si rezultat i mungesës së një pengese që t’i ndalojë nga e keqja. Ndërsa parandaluesi më i madh që i pengon njerëzit nga e keqja është besimi në Allahun e Lartësuar dhe ndjesia se Ai sheh gjithçka që ne bëjmë, privatisht ose publikisht, në fshehtësi ose në vend të hapur.

Po ashtu, (ajo që i pengon është) edhe besimi në engjëjt, në shpërblimin dhe dënimin e varrit, besimi në Xhenet dhe xhehenem dhe në të gjitha gjërat e tjera që duhen besuar.

Përpara se besimtari të thotë apo të veprojë ndonjë gjë duhet t’a peshojë atë duke pasur parasysh devotshmërinë e tij ndaj Allahut të Lartësuar, xhehenemin dhe Xhenetin, shpërblimin dhe dënimin e varrit. Kështu që besimtari (në këtë gjendje) nuk shfaq veçse vepra të mira, por edhe nëse bën ose thotë diçka që nuk i takon dhe Allahu nuk kënaqet me të, atëherë atij do i duket sikur dënimi i varrit dhe Xhehenemi është më afër sesa lidhësat e këpucëve të tij. Ai nuk do të ndihet i qetë derisa t’i kërkojë Allahut falje për mëkatet e tij, të pendohet dhe të kthehet para Tij duke qarë me përulje dhe keqardhje.

Të mbushur me këto besime të mira muslimanët e hershëm u zgjeruan në çdo cep të botës. Por për shkak të injorancës sonë për të njëjtat besime të rëndësishme, umeti ynë ka humbur moralin dhe etikën e tij më të lartë; ka humbur lumturinë, stabilitetin dhe sigurinë; ka humbur dashurinë vëllazërore mes njëri-tjetrit dhe ka neglizhuar luftën dhe sakrificat për hir të Allahut të Lartësuar. Kjo i ka inkurajuar armiqtë tanë të cilët e ftojnë njëri-tjetrin për të na sulmuar si njerëzit që ftojnë njëri-tjetrin për të ngrënë nga një sofër e përbashkët. Ne humbëm shumë gjëra në këtë botë, por humbja në botën tjetër është edhe më e keqe dhe më e hidhur. Kjo fe është pishtari i udhëzimit që ndriçon rrugën për umetin dhe për ata që kërkojnë rrugën për tek Allahu i Lartësuar. Ajo i ngjall zemrat dhe i bashkon ato, largon urrejtjen dhe armiqësinë, rikthen nderin dhe lumturinë, dhe kjo vetëm nëse i përmbahemi siç duhet. “A ka ndonjë që do të marrë këshilla?” El-Kamer: 15.

Nuk mund t’i falënderoj mjaftueshëm të gjithë ata që ofruan ndihmë në përgatitjen e librit tim, veçanërisht shejhun  tim Muhamed Nasiru Din el Albanin, i cili më lejoi të përfitoj nga libri i tij i pabotuar ende “Sahih Tergib ue Terhib” për t’a përdorur në kërkimin tim. Allahu i Lartësuar e shpërbleftë me të mira!

E lusim Allahun e Lartësuar ta bëjë këtë libër vepër të sinqertë për hir të Tij, ta pranojë prej meje, të më ruajë mua dhe vëllezërit e mi në Islam nga dënimi i varrit dhe i zjarrit, dhe të na dhurojë shpërblimet në varr dhe në Xhenet! I kërkojmë Atij të mirat në këtë botë dhe në botën tjetër! Vërtet Ai është në gjendje të bëjë çdo gjë.

 

Husejn el Auajshe

Parathënia e librit: “Jeta pas vdekjes, shpërblimi dhe dënimi”.

Përktheu: Fatjon Isufi