Çështje që cënojnë durimin – pjesa e gjashtë –

Çfarë kanë thënë të parët tanë të mirë (selefët) në lidhje me durimin? [1]

  1. Umer ibnul Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Ditët më të mira që jetuam ishin ditët e durimit dhe sakrificës. Sikur durimi të ishte njeri ai do të ishte ndër më fisnikët.”
  2. Hasen El Basriu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Durimi është një xhevahir i çmuar dhe nga thesaret e mirësive. Allahu i Madhëruar nuk ia dhuron këtë xhevahir të çmuar veçse njerëzve të cilët Ai i do.”
  3. Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Durimi në lidhje me besimin është në pozitën e kokës me trupin. Ashtu siç trupi s’ka jetë nëse ndahet nga koka, ashtu s’ka besim ai njeri të cilit i mungon durimi.” Gjithashtu, Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Durimi është si deveja (mjeti mbartës) që nuk të lë në baltë.”
  4. Umer bin AbdulAzizi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Kur Allahu i Madhëruar e privon robin e Tij nga ndonjë mirësi dhe në vend të saj i dhuron durim, të jesh plotësisht i bindur se ajo çfarë i ka dhuruar është shumë më e vyer se ajo nga e cila e ka privuar.”  Pastaj lexoi ajetin:

إِنَّمَا يُوَفَّى الصَّابِرُونَ أَجْرَهُم بِغَيْرِ حِسَابٍ

 “Vetëm ata që janë të durueshëm do të shpërblehen pa masë.” Zumer: 10.

  1. Sulejman bin El Kasimi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Çdo adhurimi i dihet shpërblimi me përjashtim të durimit.” 
  1. Mejmun bin Mihran (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Të durosh në rast fatkeqësie është mirë, por më mirë akoma është të durosh duke u distancuar nga mëkatet.” – Gjithashtu ka thënë: “Të gjitha mirësitë arrihen me durim.” 
  1. Shabiju transmeton se Shurajhi ka thënë: “Sa herë që më ndodh ndonjë fatkeqësi e falënderoj Allahun katër herë:

      a. E falënderoj pasi ajo fatkeqësi që më ka goditur mund të ishte edhe më e rëndë se aq.

      b. E falënderoj që më ka dhënë durim ta përballoj atë.

      c. E falënderoj që më jep sukses të them; “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Allahu i Madhëruar atyre që e thonë këtë fjalë pas një fatkeqësie që i ka goditur, u premton se: “Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre, dhe ata janë në rrugën e drejtë!” Bekare: 155-157.

 d. Dhe mbi të gjitha, e falënderoj Allahun e Madhëruar që ajo fatkeqësi nuk më ka cënuar fenë dhe besimin.”[2]

 

Vijon…

 

“Përgëzoji durimtarët”   – pjesa e gjashtë -.

Përgatiti: Seksioni i Shkencave Islame pranë ‘Darul Uatan’ – Rijad.

Përshtati në gjuhën shqipe: E. Ajdini

————————————————-

[1] Shiko librin “Es Sabru ueth-theuabu alejhi” me autor Bin Ebi Dunia, vëllimi 1, fq. 24-27.

[2] “Sijeru Ealemi nubela”, vëllimi 4, fq. 105.