Çfarë nënkuptojmë me besimin në ditën e fundit?

February 22, 2021

Çfarë nënkuptojmë me besimin në ditën e fundit?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut!

Dije, Allahu të dhëntë sukses në bindjen ndaj Tij, se ajo që nënkuptohet me besimin në ditën e fundit është:

Besimi me vendosmëri në gjithçka për të cilën na ka lajmëruar Allahu në Librin e Tij dhe i Dërguari, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, prej gjërave që do të ndodhin pas vdekjes. Kjo përfshin edhe besimin në shenjat e Kiametit të cilat do të ndodhin (shfaqen) para ditës së fundit; vdekjen dhe gjërat që e shoqërojnë njeriun kur është në shtratin e saj (vdekjes), çfarë vjen pas vdekjes e përkatësisht sprova e varrit si dhe dënimi ose kënaqësia në të, fryrja në Sur dhe ringjallja, qëndrimi dhe tmerret e ditës së ringjalljes, detajet e tubimit të madh dhe llogaridhënies, detajet e Xhenetit dhe kënaqësive të tij më e madhja e të cilave do të jetë shikimi i Fytyrës së Allahut, Xhehenemi (zjarri) dhe mundimet e tij ku më i ashpri do të jetë pamundësia e shikimit të Zotit nga ana e tyre (jobesimtarëve). E gjithë kjo duke vënë në jetë atë që kërkon ky besim.

Nëse ky besim realizohet dhe zë vend në zemrën e një personi, ai do të japë fryte të mëdha duke përfshirë:

1 – Dëshirën dhe përkushtimin për të bërë vepra dhe adhurime me shpresën për të arritur shpërblimet e asaj dite.

2 – Frikën nga kryerja e mëkateve ose miratimin e tyre nga droja e ndëshkimit të asaj dite.

3 – Besimtari do të ngushëllohet për gjithçka që i mungon nga luksi dhe kënaqësitë e kësaj bote për shkak të shpresës së tij për kënaqësitë dhe shpërblimet e Ahiretit (botës tjetër).

Lusim Allahun e Madhërishëm të na bekojë me besim të sinqertë dhe siguri të patundur në besimin që kemi! Amin!

 

Shiko librin “Ea’lam es sunnetil menshurah” fq. 110, dhe “Komenti i tri parimeve” nga Shejh Ibën Uthejmin fq. 98-103.

 

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje:

Loading...