Cili është gjykimi për urimin e ardhjes së muajit të Ramazanit?

(1) Cili është gjykimi për urimin e ardhjes së muajit të Ramazanit?

Përgjigje: Nuk ka problem diçka e tillë.

(2) Disa njerëz besojnë se shpërblimi i agjërimit të fëmijëve të tyre u takon prindërve . A është e saktë kjo gjë?

Përgjigje: Kjo nuk është e saktë. Prindërve u takon vetëm shpërblimi i edukimit dhe udhëzimit, ndërsa shpërblimi i punës i takon atij që e vepron.

(3) Babai ynë është në moshë të madhe, pothuajse 90 vjeç. Por ai që prej dy vitesh e ka lënë agjërimin dhe faljen e namazit. Madje ai as neve fëmijët e tij, nuk na njeh. A ka ai diçka për detyrë?

Përgjigje: Nuk ka asgjë për detyrë; as agjërim, as faljen e namazit, as abdes dhe as tejemum. Në këtë gjendje ai është njësoj si fëmija i cili nuk arrin t’i dallojë gjërat.

(4) Prej shkaqeve të faljes së mëkateve në Ramazan është agjërimi i tij, namazi i teravive dhe namazi në natën e Kadrit. Cili është kushti për arritjen e faljes së mëkateve?

Përgjigje: Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim dhe duke llogaritur shpërblimin (tek Allahu), atij i falen mëkatet e bëra më herët. Kush falet në Ramazan me besim dhe duke llogaritur shpërblimin (tek Allahu), atij i falen mëkatet e bëra më herët. Dhe kush falet natën e Kadrit me besim dhe duke llogaritur shpërblimin (tek Allahu), atij i falen mëkatet e bëra më herët”. Shënon Buhariu me nr. (2008-2014), dhe Muslimi me nr. (759-760) prej hadithit të Ebu Hurejrës (radijAllahu anhu).

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kushtëzoi për faljen e mëkateve që njeriu t’i kryej këto vepra me besim, d.m.th. besim në Allahun dhe duke llogaritur shpërblimin tek Ai. Pra, ai nuk i kryen këto thjesht si traditë, as për syfaqësi, as për famë dhe as për të mirën e trupit të tij, por ai i kryen këto me besimin në Allahun e Madhëruar, me atë që Ai ka ligjësur prej këtyre adhurimeve madhështore dhe duke llogaritur shpërblimin tek Allahu.

(5) Çfarë duhet të bëjë personi që e arrin Ramazani duke agjëruar kefare (për shkak të marrëdhënieve me gruan ditën e Ramazanit) dy muaj rresht?

Përgjigje: (Në fillim) Agjëron Ramazanin dhe menjëherë pas festës së Fitër Bajramit plotëson agjërimin e dy muajve.

(6) Fjala e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Era e gojës së agjëruesit është më e këndshme tek Allahu se aroma e miskut”. A është kjo e veçantë për agjërimin e muajit të Ramazanit? Apo në të përfshihen të gjitha llojet e agjërimit si obligativ ashtu dhe vullnetar?

Përgjigje: Është i përgjithshëm për agjërimin obligativ dhe atë vullnetar.

Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë) në “Fetaua Sualun alal-Hatif”, vëll. 1,
dhe “Fetaua alat-Tarik”.

Përktheu: Unejs Sheme