Falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve. Lavdërimet, paqja dhe begatia e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Allahut. E në vijim:
Vëllezër të nderuar! Në këtë natë, natën e tretë apo të katërt të muajit Dhul Hixhxheh, të vitit 1430 pas hixhretit Profetik, mbi të zotin e saj qofshin lavdërimet më të plota dhe paqja e Allahut, do të përmend dhjetë çështje që lidhen me dhjetë ditë të begata (te muajit Dhul Hixheh).
Çështja e parë: Këto dhjetë ditë, kanë një vlerë të madhe dhe pozitë të lartë. Nderkohe vlerësimi kthehet tek sheriati (legjislacioni) dhe duhet ditur se burimi i shumë shpikjeve në fe, vjen nga moskuptimi i saktë i këtij rregulli: “Vlerësimi i kohës dhe i vendit duhet të mbështetet në argument, prej Kuranit fisnik apo prej Sunetit të saktë.”
Nëse hedh nje sy në librat e besimit, do gjesh se këtë çështje e kanë përmendur (dijetarët) në mënyrë të përgjithshme apo të hollësishme. Kanë thënë se vlerësimi kthehet tek sheriati. E nëse shikon nga ana tjetër – siç parapriva – shpikjet në fe (bidatet) që lidhen me ndonjë kohë apo vend, do të gjesh se shfaqja e këtyre bidateve ka ardhur si pasojë e moskuptimit të këtij rregulli. E me shembull qartësohet fjala: Nata e kadrit ka një vlerë të madhe, për të cilën Allahu zbriti një sure të plotë. Gjithashtu dita e te xhumasë ka vlerë të madhe. Profeti – lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të ka thene: “Dita më e mirë është dita e xhuma, atë ditë u krijua Ademi dhe atë ditë hyri në Xhennet, atë ditë doli prej tij (xhenetit) dhe kijameti nuk do të bëhet veçse ditën e xhuma.” Dita e ashurasë (dita e dhjetë) e muajit të shenjtë të Allahut ‘muharram’ ka vlerë të madhe, agjërimi i saj fshin gjynahet e një viti.
E nëse shikon në atë që quhet ‘ditëlindja profetike’ (mevludi) natën e saj e kanë veçuar ata që e vlerësojnë (festojnë, madhërojnë) atë. Pyetja është: A ka ardhur ndonjë argument për vlerën e saj, prej fjalës së Allahut, apo prej fjalëve të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, apo qoftë edhe prej fjalëve të sahabëve?
Të gjithë ne e duam Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. E prej dashurisë së vërtetë është t’i bindesh atij. Kremtimi i kësaj nate nëse do të ishte diçka e mirë, do të na kishin paraprirë në të (sahabët dhe brezat e artë). Por nuk ka ardhur prej Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në lidhje me festimin e saj, as urdhër i drejtpërdrejtë e as i tërthortë.
Një gjë e tille nuk është percjell e as nga shokët e tij (sahabët), as nga pasuesit e tyre (tabiinët). Prandaj vlerësimi i kësaj nate, është vlerësim jofetar (i pambështetur në sheriat).
Gjithashtu ajo që quhet ‘nata e israsë dhe mi’raxhit’, me gjithë kundërshtimin që ekziston rreth përcaktimit të saj. Vlerësimi (posaçërimi) i kësaj nate me namaz, apo me ndonjë dhikr (përmendje të Allahut) të caktuar, na shtyn qe vepruesit të këtyre veprave i themi: A ka ardhur argument për posaçërimin e kësaj nate me këto vepra e adhurime?
Përgjigja është: Jo. Kështu që moskuptimi i këtij rregulli është nga shkaqet më kryesore për përhapjen e bidateve që lidhen me kohë apo me vende të ndryshme.
Këto dhjetë ditë (te Dhul Hixhes) janë si ditët e tjera, po mos te kishte ardhur argumenti që i veçon ato nga ditet e tjera. Ashtu si Ramazani, është si muajt e tjerë po mos te ishin argumentet fetare qe ta vleresonin mbi muajt e tjerë. Edhe nata e kadrit, është si netët e tjera të Ramazanit, sikur argumentet fetare të mos e kishin veçuar atë natë fisnike me veçanti mbi të tjerat.
Kjo ishte çështja e parë dhe sqaron se: Vlera e këtyre dhjetë ditëve, buron nga fjala e Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – që thotë: “Nuk ka ditë që punët e mira të jenë më me vlerë në to se sa puna në këto (dhjetë ditë). – i thanë – O i Dërguari i Allahut! As lufta në rrugë të Allahut?! – tha – As lufta në rrugë të Allahut. Vetëm nëse (përjashtim bën:) ai burrë që del vet në luftë dhe me pasurinë e tij pastaj nuk kthehet me asgjë prej këtyre.”
Atëherë çështja e parë: Këto dhjetë ditë, kanë një vlerë të madhe dhe pozitë të lartë. Nderkohe qe vlerësimi kthehet tek sheriati (legjislacioni).
Çështja e dytë: Puna e mirë (e përmendur në hadith) është gjithpërfshirëse: përmbledh punët e zemrës dhe punët e gjymtyrëve. Agjërimi është punë e mirë, leximi i Kuranit është punë e mirë, sadekaja është punë e mirë, vizita e të sëmurëve është punë e mirë, përcjellja e xhenazes është vepër e mirë. Veprat e mira janë të shumta, dhe kujtoj prej ‘Rijadus Salihin’ prej temave që ka renditur në atë libër Imam Neueuij – Allahu i Lartësuar e mëshiroftë – është ajo me titull: ‘Shumësia e rrugëve të mirësisë’. Kështu punët e mira janë të shumta dhe ndonjërit prej robërve të Allahut mund t’i jepet sukses për një punë më shumë seç ju jepet të tjerëve në atë. E rëndësishme është përpjekja në vepra të mira me llojet e tyre të ndryshme.
Çështja e tretë: Prej suneteve apo prej punëve të harruara në këto dhjetë ditë dhe ketu kemi për qëllim harresen e përgjithshme prej shoqërisë, por kjo nuk do të thotë se është zhdukur krejtësisht si vepër dhe per kete falenderimi i takon vetem Allahut. Bëhet fjalë për tekbirin (madherimin e Allahut me fjalën: Allahu ekber) siç thotë Allahu në Kuran: “Që ta madhëroni Allahun për atë se ju udhëzoi”. Pra madhërimi i Allahut në këto dhjetë ditë.
Kjo ishte një çështje e njohur dhe e përhapur në kohën e sahabëve dhe të atyre që erdhën pas tyre – Allahu i Lartësuar qoftë i kënaqur me ta. Madje ndonjëri prej tyre si Ebu Hurejrah dhe Ibn Umeri – Allahu i Lartësuar qoftë i kënaqur me ta – dilnin në treg dhe bënin tekbire, më pas edhe njerëzit (përkujtoheshin). Sa i bukur është tekbiri që dëgjohet kudo, nëpër tregje, në rrugë, në makina, në shtëpi, ku te gjithe njerëzit thonë ‘Allahu ekber’.
Umeri bënte tekbir në haxhin (pelegrinazhin) e tij, dhe bënin tekbir edhe ata që gjendeshin në Mina (haxhilerët e tjerë) dhe dridhej Minaja prej tekbireve. Kjo ja shton njeriut fuqinë e besimit, madhërimin për simbolet e fesë, dhe dashurinë për Zotin e tij, madje e shton solidaritetin dhe mbështjetjen recikproke mes muslimanëve. Më tregon dikush prej atyre që janë në moshë të thyer duke thëne: Kur ishim të rinj, dëgjoheshin tekbiret e njerëzve si gumëzhima e bletëve. Nëpër tregje, nëpër xhami dhe komshinjtë dëgjonin njëri-tjetrin duke bërë tekbir, të vegjël e të mëdhenj.
Përse të mos e ngjallim këtë sunet? Stadiumet buçasin prej zërave të tifozeve e nga vërshëllimat e tyre, përse ne duhet të turpërohemi për të bërë tekbir?! Bëj tekbir duke ecur, bëj tekbir kur je në makinë, mësoji fëmijët e tu, mëso fqinjët e tu. Siç ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Kush bëhet nismëtar në një vepër të mirë, do të ketë shpërblim për të dhe shpërblimin e atij që vepron me të.” Qëllimi i të qenit nismëtar në një punë është: ta ngjallësh atë pasi kishte vdekur (ishte harruar) dhe ta përhapësh atë pasi gati ishte varrosur.
Format e tekbirit janë të shumta, dhe kjo është një çështje që ka gjerësi në të, vetëm se disa prej dijetarëve parapëlqejnë këtë: Dy tekbire njëri pas tjetrit, pastaj tehlil (la ilahe il-lall-llah), pastaj dy tekbire, pastaj tahmid (falenderim i Allahut), siç ka ardhur nga disa prej sahabëve. Dmth: “Allahu ekber allahu ekber, la ilahe il-lall-llah, Allahu ekber Allahu ekber ue lil-lahil hamd” (‘Allahu është më i madhi’ – 2 herë -, Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë veç Allahut, ‘Allahu është më i madhi’ – 2 herë – dhe falenderimi i takon Allahut)
Çështja e katërt: Ajo që lidhet me simbolin e fesë: Kurbanin. Ky është prej simboleve të mëdha të fesë, pra therja e kafshës. Siç thotë Zoti ynë në Kuran: “Dhe ti falu për Zotin tënd dhe prej kurban (për Të).” El Keuther. Sakrificën (kurbanin) si adhurim e nisi Ibrahimi – paqja qoftë mbi të – kur pa në ëndërr se therte djalin e tij Ismailin – alejhis selam.
Kur deshi të zbatonte atë që pa në ëndërr prej urdhërit të Allahut, u shpagua Ismaili me një kurban madhështor, dhe u bë kjo vepër e vazhdueshme dhe e përforcoi dhe nxiti për të më shumë Profeti ynë – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të.
Duke nxitur për të tha: “Kush ka mundësi (apo pasuri) dhe nuk ben kurban, të mos i afrohet vendfaljes sonë”. Aq sa disa prej dijetarëve ka thënë se ajo është sunnet i fortë për atë që ka mundësi. Prandaj njeriu nuk duhet te tregohet koprac ndaj vetes së tij, “E kush tregohet koprrac, tregohet koprac ndaj vetes së tij.” Enfal 38.
Kurbani më i mirë është më i majm dhe më i shtrenjti. Prej punëve të urryera është se ndonjëri prej njerëzve, kur i vjen ndonjë mik, përpiqet që kurbani i tij për mikun të jetë nga mishi më i mirë dhe më i shtrenjtë, ndërsa për kurbanin e Bajramit nuk tregohet kaq i kujdesshëm. Prandaj le t’i japë rëndësi secili prej nesh kurbanit të vet dhe të përpiqet, e të mos tregohet koprrac për t’i paraqitur Allahut kurbanin më të mirë që mundet.
Çështja e pestë: Ka të bëjë me atë që dëshiron të bëjë kurban. Në hadithin që e transmeton Ummu Selemeh thuhet se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur vijnë dhjetë ditët (e dhul Hixhes), e ndonjëri prej jush dëshiron të bëjë kurban, le të mos prekë (të mos marrë) nga thonjtë e tij, nga flokët e tij asgjë, e as nga spicat që dalin afër thonjve të tij.” Njeriu është urdhëruar të mos i prekë këto, të mos marrë prej tyre asgjë, nëse ka bërë nijet kurbanin.
Çështja e gjashtë: Gjykimi i atij që shkurton flokët e tij, apo shkurton diçka prej lëkurës së tij që del afër thonjve, apo prej thonjve të tij. Ai që merr diçka prej tyre është tre llojesh: ose e bën këtë qëllimisht, apo nga harresa, apo duke mos e ditur gjykimin e kësaj vepre. Nëse e bën qëllimisht ai duhet të kërkojë falje tek Allahu, dhe të pendohet sepse ai është gjynahqar me këtë vepër të kryer. Ndërsa nëse e bën nga injoranca apo nga harresa, ai ska detyrim asgjë, e as gjynah. Dhe të tre këta: ai që e bën qëllimisht, ai që harron, apo ai që nuk e di gjykimin e kësaj vepre, të tre ata nuk kanë detyrë dëshmpërblimin, me unanimitetin e dijetarëve.
Çështja e shtatë: Urtësia që lidhet me ndalimin e atij që do të bëjë kurban, nga të shkurtuarit e diçkaje nga ato të trejat të sipërpërmendura. Së pari: njerëzit e kanë bërë shprehi të thonë: “Urtësia e kësaj është kjo” dhe unë qëllimisht e përmenda këtë, sepse ta thuash në formë të prerë që ‘urtësia e kësaj është kjo’ duke e kufizuar urtësinë vetëm në atë gjë të përmendur, kjo është ngushtim i asaj që është e gjerë. Thotë dikush prej dijetarëve të ‘Usulit’ (bazave të fesë): Fjala më e përshtatshme dhe më e saktë, kur dëshiron të përmendësh diçka nga urtësitë e disa rregullave fetare, është të thuash: ‘Ndoshta prej urtësive që lidhen me këtë është edhe kjo…’ sepse ‘ndoshta’ tregon mundësi, dhe ‘prej’ tregon një pjesë, ndërsa nëse thua: ‘Urtësia është kjo’ e ke prerë dhe e ke ngushtuar.
Prandaj themi: Ndoshta prej urtësive që lidhen me ndalimin e sakrifikuesit nga ato tre gjëra që u përmendën është edhe: Që sakrifikuesi të përngjajë me ‘muhrimin’ (haxhiu që ka veshur rrobat e bardha të ihramit). Kjo fjalë e cila është e para, ka disa mangësi, dhe krahasimi këtu është jo i plotë. Sepse ‘muhrimi’ nuk parfumoset ndryshe nga sakrifikuesi. ‘Muhrimi’ nuk martohet dhe martesa e tij nuk është e saktë, ndryshe nga sakrifikuesi. ‘Muhrimi’ nuk lejohet që të dalë për gjah, nuk vesh rroba të qepura, ndryshe nga sakrifikuesi të cilit i lejohen të gjithë këto gjëra. Pra kjo fjalë ka këto të meta.
Të tjerë kanë thënë: Ndoshta prej urtësive është se shpresohet për sakrifikuesin që të çlirohet nga Zjarri me të gjitha gjymtyrët e tij. Sepse shpëtimi nga Zjarri është dy llojesh: çlirim i përgjithshëm dhe çlirim i pjesshëm. Shembull për çlirimin e pjesshëm është ajo që ka ardhur në hadith për një lloj dhikri, se ai që e thotë atë një herë, ka shpëtuar ¼ e tij nga Zjarri, kush e thotë atë dy herë çliron Allahu gjysmën e tij prej Zjarrit, e kështu me rradhë. Kanë thënë: Nëse sakrifikuesi i lë ato tre gjëra (flokët, thonjtë dhe spicat) shpresohet që të shpëtojë i gjithi prej Zjarrit.
Ndërsa një fjalë e tretë thotë: Ndoshta prej urtësisë është se këto gjëra është zakon të hiqen dhe kjo është luks dhe kjo është rehati për njeriun nga sikleti, e kur ai i lë këto gjëra në këto dhjetë ditë, i duron ato dhe kundërshton zakonet e tij, konsiderohet kjo dorëzim dhe bindje ndaj urdhërit të Allahut të Lartësuar. Pastaj thuhet : Na u bë e qartë urtësia apo nuk na u bë e qartë, duhet që gjendja dhe gjuha jonë të thonë: ‘Dëgjuam dhe u bindëm, faljen Tënde kërkojmë o Zoti ynë dhe tek Ti do të kthehemi’. “Ai nuk pyetet për çfarë bën ndërsa ata pyeten”
Ka përmendur autori i librit ‘Shpjegim i akides tahauijeh’ një fjalë nga Isa i biri Merjemes – mbi të qoftë paqja – se ka thënë: “O bijtë e Israilit! Mos thoni: ‘Përse urdhëroi Zoti ynë?’, por ‘Çfarë urdhëroi Zoti ynë?’. Ka dallim mes ‘përse?’ dhe ‘çfarë?’. ‘Përse?’ tregon rrebelim, kundërshtim ndaj Allahut, ndërsa ‘çfarë?’ tregon bindje dhe dorëzim.
Gjithashtu kanë përmendur disa dijetarë prej shafive – Allahu i mëshiroftë: Cili është më i vlefshëm: adhurimi që kuptohet urtësia e tij apo ai që nuk kuptohet urtësia e tij?. Dhe janë përgjigjur: Adhurimi që nuk arrijmë ta kuptojmë urtësinë e tij është më i plotë dhe më i mirë për sa i përket nënshtrimit ndaj Allahut.
Po ashtu nuk duhet që njeriu të zhytet shumë në kërkimin e urtësisë së urdhërave të Allahut në mënyrë që të mos arrijë në gradën e teprimit dhe ekzagjerimit: ‘përse është ligjëruar kjo?’, ‘përse kjo?’. Nëse na bëhet e qartë urtësia falenderojmë Allahun, e nëse nuk na bëhet e qartë i dorëzohemi rregullit fetar dhe i bindemi Allahut. E nëse zgjerohemi pak këtu themi se:
Vërehet se disa njerëz kur shkojnë te doktori dhe ai i ndalon nga disa ushqime apo pije, ai nuk i kundërvihet urdhërit të tij madje i mban shënim ato që i thotë mjeku, duke treguar kështu bindje të plotë, për t’ju përmbajtur porosive të tij. E përse të mos jetë ky zbatim dhe kjo përmbajtje ndaj çështjeve fetare?! Kjo madje është më e detyrueshme se e para.
Po ashtu nga çështjet që kanë lidhje me këtë pikë është edhe gabimi që bëjnë disa njerëz, të cilët i detyrojnë anëtarët e shtëpisë që të mos prekin gjë nga flokët, thonjtë dhe spicat e tyre. Themi: Nëse çdonjëri prej anëtarëve të shtëpisë do të therrë nga një kafshë atëherë kjo është e saktë, apo nëse anëtarët e shtëpisë janë 7 apo më pak dhe duan të therrin të gjithë së bashku një deve apo një lopë atëherë po. Gabim është kur ai i vetëm dëshiron të therrë një dele dhe urdhëron anëtarët e shtëpisë që të mos prekin gjë nga ato të trejat.
Themi: Jo. Sepse me unanimitetin e dijetarëve një dele vlen vetëm për një person, ndërsa për sa i përket shpërblimit mund të bashkangjitësh në të familjen apo edhe fisin tënd. Kështu nëse blen një kurban dhe dëshiron ta bësh atë për veten tënde, kur ta therrësh thua: O Allah! Kjo është prej meje dhe prej familjes time, prej prindërve të mi, kjo s’ka problem. Ndërsa gjykimi për delen është se ajo vlen vetëm për një person.
Çështja e tetë: Lidhet me kurbanin. Nëse sakrifikuesi dëshiron të bëjë umran. P.sh.: Një person në këto ditë, dëshiron të bëjë kurban dhe nuk i prek flokët, thonjtë dhe spicat, pastaj shkoi në Mekke, ose për haxh mutemetti’ – dmth bën umrah pastaj haxhin – ose dëshiron të bëjë vetëm umrah, si psh ai që është nëpunës i administratës shtetërore.
Problemi është se disa njerëz kur shkojnë për umrah, p.sh.: Dikush do të shkojë nesër të bëjë umrah, dhe ai ka bërë nijet kurbanin, kur të arrijë në mikat (kufiri i haremit ku vishet rroba e bardhë e ihramit për umra), i thuhet atij: ‘mos shkurto flokët’, sepse shkurtimi këtu është i lejuar, mubah, dhe ti je i lidhur me gjykimin e kurbanit. Dhe kur të mbarojë umran – rrethrrotullimin tek Qabja dhe sa’jin (ecjen mes Safa-së dhe Merua-s) – pas kësaj e ka rradhën shkurtimi i flokëve ose rruajtja e tyre, themi: ‘Është detyrë të shkurtosh flokët e tu, ose të rruash kokën dhe mos u shqetëso për kurbanin tënd, sepse kjo është nga detyrimet e umras. Dhe nuk të prish punë për kurbanin tënd. Disa njerëz bëhen merak për kurbanin në këtë rast, u themi: ‘Shkurtojini flokët tuaj, pas përfundimit të umras sepse kjo është prej rregullave të umras.’
Çështja e nëntë: Nga veçoritë e këtyre dhjetë ditëve është agjërimi i ditës së Arafatit. Këtu ka një dobi: Janë kundërshtuar dijetarët për atë se kush janë më me vlerë: dhjetë ditët e dhul hixhxhes apo dhjetë ditët e fundit të Ramazanit? Nga fjalët më të bukura që janë thënë është se: dhjetë të fundit të Ramazanit, netët e tyre janë më të vlefshme se dhjetë të dhul hixhxhes, sepse në dhjetë netët e Ramazanit gjendet nata e kadrit. Dhe ditët e dhjetëshës së parë të Dhul Hixhxhes janë më të mira se dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, sepse në to gjendet dita e Arafatit. Kjo është një nga dobitë që kanë përmendur dijetarët.
Agjërimi i ditës së Arafatit është sunnet. Jetë e shkurtër dhe shpërblim i pamasë. Ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Agjërimi i ditës së Arafatit fal gjynahet e dy viteve. Vitin e shkuar dhe vitin e ardhshëm.” Ndërsa ai që është në haxh prej sunetit është që ai ta çelë (të mos agjërojë) sepse Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk agjëroi ditën e Arafatit.
Dhe kjo për të qenë i fortë haxhiu dhe aktiv, e nëse haxhiu agjëron ditën e Arafatit mund t’i vështirësohet haxhi dhe të lodhet, ndërsa nëse është i ngrënë e i ngopur do të jetë më aktiv në dua, në përmendjen e Allahut dhe në zbatimin e punëve të tjera të haxhit dhe duatë në Arafat.
Çështja e fundit që ka lidhje me këto dhjetë ditë: Vonimi i haxhit. Haxhi është prej adhurimeve jetësore, është detyrë vetëm një herë në jetë. Prej adhurimeve ka që janë ditore, si pesë namazet, ka prej tyre që janë javore, si namazi i xhumasë, prej tyre ka që janë vjetore si agjërimi i Ramazanit, e ka prej tyre që janë jetësore si haxhi farz. Ajo që vihet re është se disa njerëz, kur shtyhen në moshë, madje i thinjet flokët në kokë dhe ai s’ka bërë haxhin. Prej justifikimeve që nxjerrin njerëzit për vonimin e haxhit janë: ‘Akoma s’kam përfunduar studimet.’ ‘Nuk jam martuar akoma.’ E kanë thënë edhe këtë. Ose siç thotë ndonjëri prej tyre: ‘Akoma nuk e kam plotësuar veten’ E ka fjalën nuk është stabilizuar akoma në një punë fikse, apo diçka e tillë. Të gjitha këto janë justifikime të pavlera.
Të gjitha ato nuk e shfajësojnë njeriun përpara obligimit fetar. E disa thonë: ‘Haxhi ka vështirësi’. E vërtetë, ka vështirësi. Edhe pse në ditët e sotme shumica e vështirësive të kaluara janë zhdukur.
Çështja e haxhit është e lehtë, dhe shpërblimi shumëfishohet në varësi të lodhjes. Atyre që e kanë vonuar haxhin u thuhet: ‘Ju jeni gjynahqarë’ Allahu thotë në Kuran: “Njerëzit e kanë detyrë për Allahun të bëjnë pelegrinazhin e shtëpisë së shenjtë, ai që ka mundësi për atë” Dhe urdhëri tek disa prej dijetarëve të usulit duhet zbatuar menjëherë e jo të vonohet. Dhe ai që është vonuar prej haxhit derisa të martohet, apo derisa të ndërtojë një shtëpi, apo derisa të stabilizohet në një punë, të gjitha këto janë prej pështjellimeve të shejtanit. Haxhi është i lehtë, prandaj duhet bërë kujdes prej vonimit të tij dhe kjo është neglizhencë, dhe ai që tregohet neglizhent në çështjen e haxhit le të shpejtojë në kryerjen e tij, sepse ai është vetëm një herë në jetë. E nëse bëhet më shumë se një herë është nafile.
Në këto kohë janë lehtësuar punët, e fal drekën në vendin tënd pastaj ikindinë, akshamin apo jacinë e fal në Mekke. Dhe kjo është prej mirësive të Allahut. E nëse nuk është me avjon, me makinë për disa orë është në Mekke. Të parët udhëtonin muaj për të ardhur në haxh, aq sa dikush prej shejkhave tanë na kanë përmendur se disa njerëz që punonin pranë detit (autoritete portuale) tregojnë: Na erdhi njëherë një anije të cilët kishin humbur orientimin në det, ekuipazhi i saj thoshte: ‘Kemi dalë nga vendi ynë para pesë vjetësh për të kryer haxhin, por dallgët na kanë hedhur sa në një vend në tjetrin.
Prandaj duhet të bëhet kujdes nga neglishenca në çështjen e haxhit, kërkoji ndihmë Allahut që të të japë sukses për të kryer haxhin, kryeje haxhin dhe do të shohësh prej Allahut sukses dhe lehtësim. Allahu ju shpërbleftë. Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!
Abdulaziz Sed’han
Pershtati: Emin Bilali
udhaebesimtareve.com
Dosje: Broshura, Muaji Dhulhixhe
Të Ngjashme
- Prezantim i shkurtër mbi Islamin Udha e Besimtarëve
- Këshilla të vyera në kohë sprovash dhe trazirash Shehul-Islam Ibn Tejmie
- Mjetet e urdhërimit për mirë dhe ndalimit nga e keqja Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Është detyra jonë që t’i ndihmojmë besimtarët Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Cila është metodologjia e grupit të shpëtuar? Shejh Muhamed Xhemil Zejno