Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: Ekzistojnë pesë forma të ndryshme të lidhjes së shpirtit me trupin:
1- Lidhja në mitrën e nënës në periudhën e embrionit.
2- Lidhja pas ardhjes në këtë jetë.
3- Lidhja gjatë kohës së gjumit ku trupi dhe shpirti janë të lidhur me njëri-tjetrin nga një aspekt, dhe janë të ndarë nga një aspekt tjetër.
4- Lidhja në jetën e varrit ku edhe pse trupi dhe shpirti janë të ndarë nga njëri-tjetri por kjo ndarje nuk është absolute, në një mënyrë që të mos ketë kurrfarë lidhje midis tyre. Më herët, në krye të përgjigjes kemi cekur disa hadithe dhe transmetime që dëshmojnë për rikthimin e shpirtit në trup në kohën kur dikush i jep selam. Ky lloj i rikthimit të shpirtit në trup është specifik dhe jo se patjetër nënkupton ringjalljen e trupit para ditës së ringjalljes.
5- Lidhja në ditën e ringjalljes së trupave. Kjo është lidhja më e përsosur nga të gjitha llojet e lidhjes, dhe asnjëra nga llojet e mëparshme nuk i ngjason këtij lloji ngaqë kjo është një lidhje nëpërmjet së cilës trupi bëhet i pavdekshëm, nuk e zë gjumi dhe nuk prishet.
Gjendja e të vdekurit kur shpirti lidhet me trupin e tij në varr është diçka midis gjendjes së të vdekurit para se shpirti të lidhet me trupin e tij, dhe midis gjendjes së të gjallit para se shpirti të ndahet përfundimisht prej trupit të tij. Këtë gjendje mund ta paralelizojmë deri diku me gjendjen e të gjallit që është në gjumë, gjendja e të cilit nuk është as si e të vdekurit por as si e të gjallit që është zgjuar.
Mundohu ta kuptosh mirë këtë shtjellim sepse përmes tij zgjidhen shumë pikëpyetje.
Burimi: Libri ” Shpirti” fq. 44.
Përktheu: Rexhep Milaqi
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve