Llojet e teuhidit me të cilin Allahu dërgoi të dërguarit

 

 

 

Llojet e teuhidit me të cilin Allahu dërgoi të dërguarit

 

 

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe nderimet e Allahut janë për Profetin, familjen e tij, shokët e tij dhe për çdokënd që udhëzohet sipas udhëzimit të tij. E më pas:

 

Allahu i ka dërguar profetët e Tij thirrës për në të vërtetën dhe udhëzues për njerëzimin. E komunikuan shpalljen, e kryen amanetin, e këshilluan popullin e tyre, duruan ndaj lëndimit të tyre dhe luftuan për hir të Allahut me xhihad të vërtetë derisa Allahu e ngriti argumentin mbi njerëzit dhe u ndërpreu rrugët e justifikimit. Allahu ka thënë: “Vërtetë Ne kemi dërguar në çdo popull të dërguar(tu thonë): Adhurojeni Allahun dhe largojuni tagutëve. Ka prej tyre që Allahu i udhëzoi dhe ka prej tyre që merituan të jenë të humbur,ndaj ecni në tokë dhe shihni se si ishte përfundimi i përgënjeshtruesve”. (sure Nahl:36) dhe tha: “Nuk kemi dërguar para teje të dërguar veçse i kemi shpallur se nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Meje ndaj më adhuroni” (sure Enbija: 25) dhe tha: “Pyetini ata që dërguam para teje, a mos lejuam të  tjerë veç Allahut që të adhurohen” (sure Zuhruf: 45). Në këto ajete Allahu sqaroi se i dërgoi të dërguarit ti thërrasin njerëzit në njehsimin e Allahut në adhurim dhe tua tërheqin vërejtjen nga shirku  apo adhurimi i dikujt tjetër veç Tij. Profetët e komunikuan mesazhin dhe thërritën tek njehsimi i Allahut në teuhid si dhe rrënjosën parimet e drejtësisë, bamirësisë dhe paqes duke arritur triumf maksimal sepse detyra e tyre ishte komunikimi dhe sqarimi ndërsa udhëzimi i zemrave dhe suksesi për pranimin e të vërtetës është në dorë të Allahut, e të askujt tjetër veç Tij, siç thotë Allahu: “Nuk të përket ty udhëzimi i tyre përkundrazi Allahu udhëzon kë të dojë” (sure Bekare: 272) dhe: “A mos kanë detyrë tjetër profetët përveçse komunikimit të qartë” (sure Nahl: 35) dhe tha: “Ne kemi dërguar të dërguarit Tanë me fakte të qarta, kemi zbritur librat me ta dhe peshimin ashtu që njerëzit të mbajnë drejtësi” (sure Hadid: 25).

 

Në veçanti Profeti ynë -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-, vula e profetëve, prijësi dhe më i miri i tyre, i cili triumfoi në thirrjen e tij, Allahu ia plotësoi fenë umetit të tij (Profetit) dhe e përsosi mirësinë ndaj tyre duke e bërë sheriatin e tij sheriat të përkryer gjithëpërfshirës për të gjithë njerëzit dhe xhinët, si rregullator të të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me dynjanë dhe fenë, siç tha Allahu: “Sot e plotësova fenë tuaj, e përsosa mirësinë Time ndaj jush dhe pëlqeva islamin si fe tuajën” (sure Maideh: 3) dhe tha: “Nuk të kemi dërguar ndryshe veçse si përfshirës për të gjithë njerëzit, përgëzues dhe qortues” (sure Sebe: 28) dhe: “Thuaj: O ju njerëz unë jam i dërguari i Allahut tek të gjithë ju, Atij i përket pushteti i qiejve dhe tokës, nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Tij, Ai jep jetë dhe vdekje, ndaj besojini Allahut dhe të dërguarit të Tij, profetit analfabet i cili i beson Allahut dhe fjalëve te Tij, pasojeni atë ashtu që të jeni të udhëzuar” (sure Araf: 158). Pakica e popujve u besonin atyre ndërsa shumica mohonin të nxitur nga injoranca, nga pasimi i paraardhësve dhe i hamendësimeve e tekave vetjake. Thotë Allahu: “Ata i konsideruan femra engjëjt që në të vërtetë janë adhurues të Allahut. A mos ishin të pranishëm në krijimin e tyre?! Do shënohet dëshmia e tyre dhe do pyeten për këtë. Thanë: Sikur të donte Mëshiruesi nuk do ti adhuronim ato. Nuk kanë kurrfarë fakti për këtë që thonë, ata vetëm po hamendësojnë. A mos u kemi dhënë atyre libër të mëparshëm që atij po i përmbahen?! Ata u shprehën siç thanë arrogantët e tyre: ne i gjetëm të parët tanë në atë fe dhe po ecim sipas gjurmëve të tyre. Tha (Profeti): A edhe nëse u sjell udhëzim më të mirë se ajo që i gjetët në të prindërit tuaj, thanë: Ne nuk e besojmë atë me të cilën ju jeni të dërguar. Atëherë Ne u hakmorëm ndaj tyre, shihni se si ishte përfundimi i përgënjeshtruesve” (sure Zuhruf: 19-25).

 

Allahu tha në lidhje me Latin, Uzanë dhe Menatin: “Ato janë emra që i emërtuat ju dhe prindërit tuaj për të cilët Allahu nuk ka zbritur ndonjë fakt, ata nuk pasojnë tjetër përveç hamendësimit dhe tekave të tyre megjithëse u ka ardhur udhëzimi nga Zoti i tyre” (sure Nexhm: 23). Ajetet rreth këtij kuptimi janë të shumta. Mohuesit mund të shtyhen për kundërshtimin dhe përgënjeshtrimin e tyre nga smira, padrejtësia dhe mendjemadhësia megjithëse e njohin të vërtetën, siç është shembulli i çifutëve të cilët e njohin profetin Muhamed ashtu siç njohin fëmijët e tyre por të shtyrë nga smira dhe lakmia për këtë dynja e përgënjeshtruan dhe nuk e pasuan.

 

Shembull tjetër është ajo që  ndodhi ndërmjet Musait dhe Faraonit kur këtij të fundit i tha: “Ti e di mirë se këto fakte i ka zbritur Zoti i qiejve dhe tokës,si argumente të qarta” (sure Isra: 102). Allahu në lidhje me Faraonin dhe popullin e tij tha: “Kur atyre u erdhën argumentet Tona të qarta thanë: Kjo është magji e qartë. Ata i mohuan këto fakte edhe pse në vete ishin të bindur për vërtetësinë e tyre, i mohuan nga arroganca dhe padrejtësia. Shih pra se si ishte përfundimi i shkatërrimtarëve” (sure Neml: 13-14). Gjithashtu Allahu në lidhje me kurejshët që e përgënjeshtruan Muhamedin -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- ka thënë: “Ne e dimë se ti mërzitesh nga ajo çfarë thonë por ata në të vërtetë nuk të përgënjeshtrojnë ty (personalisht) por ata zullumqarë mohojnë argumentet e Allahut” (sure Enam: 33). Ata në xhahilijet e njihnin Profetin për besnikëri dhe amanet, ndaj e kishin emërtuar besniku dhe dëshmonin për sinqeritetin (vërtetësinë) e tij në fjalë dhe vepra mirëpo kur erdhi me diçka ndryshe nga ajo e të parëve të tyre, e refuzuan, mohuan, përgënjeshtruan, armiqësuan, lënduan dhe e luftuan. Kjo është tradita e Allahut në lidhje me robërit e Tij dhe qëndrimin e tyre ndaj profetëve apo thirrësve në të vërtetën të cilët përgënjeshtrohen nga populli, armiqësohen nga ata por përfundimi i lavdishëm u takon atyre, siç tregohet në ajetet Kuranore, në hadithet e sakta dhe në ngjarjet historike të ndodhura në të kaluarën dhe në të sotmen. P.sh. dëshmia e Herakliut, udhëheqësit Bizantin kur pyeti Ebu Sufjanin në lidhje me jetën e Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-, gjendjen e tij dhe për ecurinë e konfliktit me kurejshët, Ebu Sufjani tha: Fitorja është herë me të dhe herë me ata (kurejshët). Herakliu tha: Kështu sprovohen profetët por atyre u takon përfundimi i lavdishëm.

 

Allahu u ka premtuar profetëve dhe pasuesve të tyre ndihmë, fitore, mbizotërim dhe përfundim të suksesshëm si në dynja dhe në Ahiret. Thotë në ajetin Kuranor: “Ka paraprirë fjala jonë (caktimi Ynë) në lidhje me robërit Tanë  të dërguar se ata do jenë të përkrahur (fitimtarë) dhe se ushtria Jonë janë ata mbizotëruesit” (sure Safat: 171-173) dhe ka thënë: “Ne do i përkrahim të dërguarit Tanë dhe ata që kanë besuar,në jetën e kësaj bote dhe në Ditën kur shfaqen dëshmitë, në Ditën kur nuk u bën dobi zullumqarëve justifikimi i tyre, ata do jenë të mallkuar (të përzënë nga mëshira) dhe u takon përfundimi më i keq” (sure Gafir: 51-52) dhe tha: “O ju që besuat nëse e ndihmoni Allahun (fenë e Tij) do u ndihmojë ju dhe do u forcojë këmbët tuaja, ndërsa ata që kanë mohuar mjerë për ta dhe sa të humbur janë në veprat e tyre. Kjo për shkak se urryen atë që Allahu kishte zbritur ndaj ua shkatërroi veprat e tyre” (sure Muhamed: 7-9) dhe tha: “Është detyrë e Jona të ndihmojmë besimtarët” (sure Rrum: 47) dhe ka thënë: “Allahu u ka premtuar atyre prej jush që besojnë dhe bëjnë vepra se do i bëjë sundues në tokë siç i ka bërë ata para tyre, do bëjë mbizotëruese fenë që ka pëlqyer për ta dhe do ua zëvendësojë frikën me siguri. Këta më adhurojnë Mua dhe nuk më bëjnë shok asgjë. Kush mohon pas gjithë kësaj ata janë të prishurit” (sure Nur: 55). Ajetet rreth këtij kuptimi janë të shumta.

 

Kush mediton në traditën e Allahut me robërit e Tij bindet për vërtetësinë e këtyre ajeteve qoftë nëpërmjet transmetimeve apo dhe jetës aktuale të përditshme. Ajo që i godet muslimanët në kohëra të ndryshme ndodh për shkak të gjynaheve dhe mosangazhimit siç duhet n zbatimin e urdhrave të Allahut ose për shkak të mospërgatitjes së duhur për përballjen me armiqtë ose për shkaqe, urtësi dhe fshehtësi të tjera të rëndësishme. Allahu ka thënë: “Ajo fatkeqësi që u godet është si pasojë e veprave tuaja, e megjithatë Ai fal shumë” (sure Shura: 30) dhe thotë: “Kur u goditi një fatkeqësi që ju ia kishit dhënë armikut dyfish më parë, thatë: Nga na erdhi kjo? Thuaj: ajo është pasojë e veprave tuaja. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë” (sure Ali Imran: 165) dhe tha: “Çfarë e mire të vjen është nga Allahu dhe çfarë e keqeje të godet është nga vetja jote (rezultat i veprave të tuaja)” (Nisa: 79). Kush mediton në thirrjen e profetëve dhe qëndrimin e popujve të tyre, i bëhet e qartë se teuhidi tek i cili thërrisnin ata ishte tre llojesh: dy lloje i pranonin idhujtarët: teuhidin rrububijeh dhe esmai ue sifat, megjithatë nuk mjaftonte që të hynin në islam.

 

Teuhidi rrububjieh është njehsimi i Allahut në veprimet e Tij siç janë: krijimi, furnizimi, dhënia jetë, vdekje, sundim, etj. Idhujtarët e pranonin këtë lloj, ndaj dhe Allahu e përdori këtë fakt si argument ndaj tyre për të pranuar teuhidin uluhijeh sepse është rrjedhojë e teuhidit rrububijeh. Allahu thotë: “Nëse i pyet ata: Kush i ka krijuar qiejt dhe tokën, ka nënshtruar diellin dhe hënën, do thonë: Allahu. Pra pse po shmangeni?!” (Ankebut: 61) dhe tha: “Nëse i pyet: Kush u ka krijuar, do thonë: Allahu” (Zuhruf: 87) dhe: “Thuaj: Kush u furnizon nga qielli dhe toka, që posedon dhënien e shikimit dhe dëgjimit, që nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe të vdekurin nga i gjalli? Kush është që kontrollon çështjet? Do thonë: Allahu. Thuaj: A nuk po frikësoheni pra?” (Junus: 31) D.m.th.: a nuk po ruheni dhe t’i shmangeni ortakërisë në adhurim duke qenë se  ju e dini që vetëm Allahut i përkasin të gjitha veprimet e lartpërmendura. Gjithashtu Allahu ka thënë: “Thuaj: Kujt i takon toka dhe çfarë ka në të, nëse jeni që e dini? Do thonë: Allahut. Thuaj: A nuk po i thërrisni mendjes, pra? Thuaj: Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Fronit (Arshit) të madh? Do thonë: Allahu. Thuaj: A nuk po frikësoheni? Thuaj: Në dorën e kujt është pushteti i çdo gjëje, Ai i cili mbron dhe nuk mund të mbrohet dikush prej Tij, nëse jeni që e dini? Do thonë: Të Allahut. Thuaj: Pse po shmangeni si të magjepsur?” (Muminun: 84-89). Ajetet rreth kësaj janë të shumta por që të gjitha tregojnë se idhujtarët (e asaj kohe) e pranonin dedikimin e këtyre veprimeve tek Zoti por megjithatë kjo nuk iu mjaftoi atyre për të hyrë në islam sepse nuk ia kishin përkushtuar adhurimin vetëm Allahut, Një të Vetmit, duke qenë pranimi i teuhidit rrububijeh argument kundra tyre në mohimin që i bënin njehsimit në adhurim sepse Krijuesi i këtyre gjërave që edhe ata e pranuan, është i Vetmi që meriton të adhurohet i pa ortak.

 

Lloji i dytë i pranuar nga ata, njehsimi në emra dhe cilësi, gjë e cila përmendet në shumë ajete dhe që nuk u refuzua nga idhujtarët e asaj kohe përveç emrit Rrahman (Mëshirues) gjë e cila ceket në ajetin: “Ata e mohojnë Rrahmanin. Thuaj: Ai është Zoti im, nuk ka të adhuruar me meritë veç Tij, Atij i jam mbështetur dhe tek Ai është pendimi im” (Rad: 30). E thanë këtë nga mendjemadhësia dhe këmbëngulja me arrogancë sepse në të vërtetë ata e kishin kuptuar mirë se Allahu është Rrahmani siç është shprehur ky emër në shumë nga poezitë e hershme të tyre. Allahu ka thënë: “Allahu është Ai që nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Tij, Njohësi i të fshehtës dhe haptas. Ai është Rrahmani, Rrahimi” (Hasher: 22) dhe ka thënë: “Thuaj: Ai Allahu është Një, për Allahun ka nevojë çdo krijesë, as nuk ka lindur dikë dhe as nuk është i lindur dhe askush nuk është i barabartë me Të” (Ihlas) dhe tha: “Asgjë nuk është si Ai, Ai është Dëgjuesi Shikuesi” (30) dhe tha: “Falënderimi i përket vetëm Allahut, Zotit të botërave, Rrahmanit (Gjithëmëshirshmit), Rrahimit (Mëshiruesit) Poseduesit të Ditës së gjykimit” (Fatiha: 2-4) dhe tha: “Mos jepni shembuj për Allahun, Ai di e ju nuk dini” (Nahl: 74). Ajetet me këtë kuptim janë  të shumta dhe që të gjitha tregojnë se Allahut i përkasin emrat më të mirë dhe cilësitë më të larta, Atij i takon përsosmëria absolute në qenien e Tij, në emrat e Tij, në cilësitë e Tij, në veprimet e Tij, pa pasur ortak në asgjë nga këto.

 

Selefët e këtij umeti kanë rënë dakord për obligueshmërinë e besimit në çdo gjë që ka ardhur në Kuran dhe Sunetin e saktë në lidhje me emrat dhe cilësitë e Tij, pohimi i tyre siç kanë ardhur. Të besohet se Allahu është i përshkruar realisht me këto cilësi dhe nuk është diçka figurative, cilësi të cilat duhet të pohohen sipas asaj që i takon Allahut pa pasur të ngjashëm në to apo ortak apo rival. Formën reale të këtyre cilësive nuk e di askush përveç Allahut. Atij nga këto cilësi i takon kuptimi i tyre në përsosmërinë absolute ku nuk mund të jetë dikush i ngjashëm me Të siç e thamë më parë në fjalën e Allahut: “Askush nuk është si Ai. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi” (Shura: 11).  Ky lloj teuhidi është argument i prerë bindës se vetëm Zoti ynë meriton adhurimin.

 

Ndërsa lloji i tretë i teuhidit është teuhidi i adhurimit me të cilin u dërguan të dërguarit dhe janë zbritur librat për të thërritur tek ai, për t’i urdhëruar njerëzit që ta vërtetojnë atë realisht. Për këtë lloj teuhidi janë krijuar njerëzit, rreth tij ndodhi armiqësia ndërmjet profetëve dhe popujve të tyre, siç tha Allahu: “Ne kemi dërguar në çdo popull të dërguar (tu thonë): Adhurojeni vetëm Allahun dhe largojuni tagutëve” (Nahl: 36) dhe tha: “Nuk kemi dërguar para teje ndonjë të dërguar veçse u kemi shpallur: Nuk ka të adhuruar me të drejtë veç Meje, ndaj më adhuroni” (Enbija: 25) dhe tha në lidhje me Nuhun, Hudin, Salihun, Shuajbin -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi to-, ku secili i tha popullit të tij: “Adhurojeni Allahun,nuk keni të adhuruar me të drejtë veç Tij” (Araf: 73) dhe tha: “Përkujto Ibrahimin kur i tha popullit të tij: Adhurojeni Allahun, kijani frikën Atij, kjo është më e mirë për ju nëse e dini. Ju po adhuroni statuja në vend të Allahut dhe po sajoni shpifje. Ata që ju po adhuroni në vend të Allahut nuk e posedojnë furnizimin tuaj ndaj kërkojeni tek Allahu rrizkun tuaj, adhurojeni Atë dhe falënderojeni,tek Ai do ktheheni” (Ankebut: 16-17) dhe tha: “Nuk i kemi krijuar xhinnëet dhe njerëzit për tjetër veçse të më adhurojnë” (Dharijat: 56) dhe tha: “O ju njerëz adhurojeni Zotin tuaj i cili u ka krijuar ju dhe ata para jush ashtu që të jeni të devotshëm”(Bekare: 21) dhe tha: “Zoti im ka dhënë vendim që të mos adhuroni dikë tjetër veç Tij” (Isra: 23) dhe tha: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje kërkojmë ndihmë” (Fatiha: 5).

 

Ajetet e tilla janë të shumta por që të gjitha tregojnë se Allahu i ka dërguar profetët, i ka zbritur librat, i ka krijuar krijesat që ta adhurojnë Atë të vetëm, t’i kushtohet adhurimi vetëm Atij dhe askujt tjetër. Adhurimi që idhujtarët i kushtonin idhujve ishte i shumëllojshëm. Disa prej tyre adhuronin profetët dhe njerëzit e mirë, disa adhuronin statujat, disa të tjerë adhuronin pemët dhe gurët, disa yjet, etj. Ndaj Allahu dërgoi të dërguarit dhe i zbriti librat për ta refuzuar këtë gjë të kotë dhe për t’i ftuar njerëzit në adhurimin e Allahut Një të Vetëm. Nuk duhet t’i drejtohet lutja askujt përveç Allahut, nuk duhet t’i kërkohet shpëtim nga fatkeqësitë veçse Allahut, nuk duhet ti mbështetesh tjetërkujt veç Allahut, nuk duhet të bëhen zotime dhe kurbane për dikë tjetër veç Tij, etj nga llojet e adhurimit, ky koncept i përgjithshëm që përfshin çdo gjë që Allahu e do dhe është i kënaqur me të, qofshin fjalë apo vepra, të dukshme (të jashtme) apo të fshehta.

 

Idhujtarët me adhurimin që u bënin profetëve dhe njerëzve të mirë, me përkushtimin ndaj statujave dhe idhujve pretendonin se me këtë gjë kishin për qëllim afrimin dhe ndërmjetësimin tek Allahu, mirëpo Allahu ua hodhi poshtë duke thënë: “Adhurojnë në vend të Allahut atë çfarë nuk u bën dobi dhe as dëm dhe thonë: ata janë ndërmjetësuesit tanë tek Allahu. Thuaj: A po e lajmëroni Allahun me diçka që nuk e ditka në qiej apo në tokë?! I Lartësuar dhe i pastër është nga ato çfarë i përshkruajnë” (Junus: 18) Allahu thotë: “Adhuroje Allahun sinqerisht duke ia përkushtuar fenë vetëm Atij ndërsa ata që kanë marrë evliatë idhuj në vend të Tij, thonë: Ne nuk i adhurojmë veçse që të na afrojnë te Allahu. Allahu do gjykojë mes tyre në atë që kanë kundërshtim. Vërtetë Allahu nuk e udhëzon atë që është gënjeshtar mohues” (Zumer: 2-3).

 

Profeti -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- kur u i ftoi kurejshët dhe mohuesit e tjerë arab në këtë teuhid, ata e refuzuan duke u argumentuar me faktin se kjo fe është diçka e ndryshme nga ajo në të cilën ishin paraardhësit e tyre, siç thotë Allahu: “Ata u çuditën që u erdhi qortues nga mesi i tyre, mohuesit thanë: Ky është magjistar përgënjeshtrues. A i bëri të gjithë idhujt një të vetëm, vërtetë kjo është diçka e çuditshme” (Sad: 4-5) dhe tha: “Kur u thuhej atyre nuk ka të adhuruar me të drejtë pos Allahut ata tregonin mendjemadhësi e arrogancë. Ata thanë: A mos duhet të heqim dorë nga idhujt tonë për një poet të çmendur” (Safat: 35-36) Allahu tha: “Ai(Profeti) erdhi me të vërtetën dhe vërtetoi të dërguarit” (Safat: 37), ajetet që tregojnë për kufrin dhe arrogancën e tyre janë të shumta, një pjesë prej tyre i përmendëm më herët.

 

Detyra që u del thirrësve tek Allahu është të komunikojnë fenë e Allahut me dituri dhe argument, të bëjnë durim dhe të mos humbasin shpresat. Të përkujtojnë premtimin e Allahut që u ka dhënë profetëve dhe pasuesve të tyre për fitore ndihmë dhe sundim në tokë, nëse e përkrahin fenë e Tij dhe bëjnë qëndresë në bindjen ndaj Allahut dhe Profetit -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të-, siç e përmendëm në ajetet e mësipërme më herët. Profeti ynë -paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi të- u armiqësua, u lëndua nga të afërmit dhe të largëtit,mirëpo bëri durim siç bënë durim profetët para tyre, duke vazhduar në thirrjen tek Zoti i tij, duke u përpjekur me zell të vërtetë. Gjithashtu bënë durim me të shokët e tij,e përkrahën dhe luftuan me të derisa Allahu e bëri fenë e Tij mbizotëruese, i krenoi ushtarët e Tij, i poshtëroi armiqtë e Tij dhe hynë njerëzit në fenë e Allahut grupe-grupe. Kjo është tradita e Allahut në lidhje me robërit e Tij dhe nuk do gjesh ndryshim në traditën e Allahut, siç tha i Lartësuari: “Kush e miqëson Allahun dhe të dërguarin e Tij dhe ata që kanë besuar, vërtetë pala e Allahut janë ata mbizotëruesit” (Maide: 56) dhe siç përmendëm më herët ajetet e Allahut: “Është detyrë e Jona të ndihmojmë besimtarët” (Rum: 47) dhe ka thënë i Lartësuari: “Atyre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, All-llahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’ju dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë” (Nur: 55) dhe: “Bëj durim, vërtetë përfundimi i lavdishëm u takon besimtarëve” (Hud: 49).

 

E lus Allahun që të ndihmojë fenë e Tij, të lartësojë fjalën e Tij dhe t’i përmirësojë gjendjet e muslimanëve, t’i bashkojë zemrat e tyre rreth të vërtetës, t’i bëjë të kuptojë fenë e Tij, t’i përmirësojë udhëheqësit e tyre, t’i tubojë rreth udhëzimit dhe tu japë sukses për praktikimin e sheriatit të Tij dhe të kenë kujdes nga kundërshtimi i tij, vërtetë Ai është Bujar. Paqja dhe nderimi i Allahut qofshin mbi robin e Tij, pejgamberin tonë, Muhamedin, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.

 

Autor : AbdulAziz bin Baz

Përktheu : Shuajb Rexha Ebu Duxhanah