Shpjegimi i Gjashtë Parimeve (Parimi i Gjashtë)

June 22, 2011

Autori: Parimi i gjashtë: Refuzimi i dyshimit që hedh shejtani tek njerëzit për ti shtyrë drejt braktisjes së Kuranit dhe Sunetit duke ndjekur mendimet dhe tekat e ndryshme që përcajnë. Ky dyshim është pretendimi se: Kuranin dhe Sunetin nuk e kupton vetëm se ai i cili është Muxhtehid.

Shpjeguesi:Ky është parimi i fundit por njëkohësisht mjaft i rëndësishëm. Ata thonë: Ne nuk i dimë domethëniet e Kuranit dhe Sunetit dhe nuk mund ti dimë, atë e kuptojnë vetëm dijetarët e mëdhenj (Muxhtehidët).

Ne u themi: Në Kuran, ka gjëra shumë të qarta, të cilat i di cdo njeri i thjeshtë dhe cdo njeri i ditur dhe me këto ajete ngrihen argumentet ndaj njerëzve. Po ka gjëra që nuk i dinë vetëm se dijetarët, gjithashtu ka gjëra që i di vetëm Allahu i Madhëruar.

Është e vërtetë që ka gjëra në Kuran dhe Sunet që i dinë vetëm muxhtehidat absolutë, e megjithatë ka shumë gjëra të tjera që i kuptojnë edhe njerëzit e thjeshtë, gjithashtu edhe ai njeri që ka deri diku njohuri, sic është fjala e Allahut ku thotë: “Adhurojeni All-llahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send”. Nisa 36 dhe “Sepse ai që i përshkruan Zotit shok, All-llahu ia ka ndaluar (ia ka bërë haram) atij xhennetin dhe vendi i tij është zjarri. Për mizorët nuk ka ndihmës.” Maide 72 dhe “Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë).” Isra 32 dhe “Juve u janë ndaluar (t’i hani): ngordhësirat.” Maide 3 dhe “Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre.” Nur 30.

Të gjitha këto janë gjëra të qarta që i kupton cdokush kur i dëgjon.

 

Autori:(Ata pretendojnë duke thënë) Ndërsa Muxhtehidi është ai i cili ka këtë e atë cilësi, kushte që ndoshta nuk ekzistonin të përmbushura plotësisht as tek Ebu bekri dhe Omeri radijaAllahu anhuma.

Shpjeguesi:Pra vendosin kushte përsa i takon muxhtehidit absolut, kushte që nuk i plotësojnë njerëz edhe më të mirë, si shembulli i Ebu Bekrit apo Omerit. Këto kushte ska dyshim se i kanë vënë nga vetja e tyre.

(Shembuj të ajeteve të kuptueshme:)

Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk e meditojnë ata (me vëmendje) Kur’anin?” Nisa 82, ky ajet i përfshin të gjithë muslimanët. Të gjithë dinë nga Kurani atë që Allahu ia ka lehtësuar, njeriu i thjeshtë kupton aq sa mundet, njeriu i shkolluar merr aq sa mundet, ndërsa i thelluari në dije merr aq sa ka mundësi.

Allahu i Madhëruar thotë: “Ai e lëshon ujin (shiun) nga qielli e sipas madhësisë së tyre rrjedhin përrocka.” Rad 17. Pra cdo luginë merr nga shiu pjesën e vet, e njëjta gjë vlen për dijen të cilën e zbriti Allahu ku cdo zemër merr prej saj pjesën e vet. Zemra e njeriut të thjeshtë, atij të shkolluar dhe atij që është më i thelluar në dije, secili merr pjesën e tij për aq kuptim sa i ka dhënë Allahu.

Prandaj të thuash se Kuranin nuk e kupton vetëm se muxhtehidi absolut kjo fjalë nuk është e saktë.

Gjithashtu thonë: Përpjekja për të kuptuar Kuranin është detyrë e pamundur.

 

Ndërsa kushtet të cilat i përmendin dijetarët kur thonë: Kushte që duhet të jenë të pranishme tek ai që jep fetva, këtu kanë për qëllim muxhtehidin absolut dhe nuk kanë për qëllim që këto kushte të jenë të pranishmne tek cilido që kërkon të meditojë në librin e Allahun dhe do të përfitojë prej tij.

Shtoi kësaj edhe faktin tjetër se ato janë kushte që duhet ti ketë ai i cili kërkon të nxjerrë dispozita që nuk janë shumë të qarta,që kërkojnë studime të hollësishme, por nuk janë kushte për të kuptuar çështje të qarta sic është teuhidi, shirku, detyrimet dhe ndalimet e qarta.

Autori: (Sipas tyre) nëse njeriu është në një gjendje të tillë atëherë le të largohet prej tyre përfundimisht, ndërsa ia që kërkon udhëzimin prej tyre (Kuranit dhe Sunetit) ose është zindik ose i cmendur, sepse e ka të vështirë të kuptojë Kuranin dhe Sunetin. Subhanallahi ue bihamdihi sa shumë e ka sqaruar Allahu këtë dyshim të mallkuar , si me tekste fetare ashtu dhe me parime universale, me urdhëresa dhe fakte konkrete, në forma të ndryshme deri në atë pikë sa që është bërë prej parimeve të njohura domosdoshmërisht

E megjithatë shumica e njerëzve nuk e dinë.”

Për Zotin tashmë ka marrë fund vendimi (thënia) kundër shumicës së tyre, andaj ata edhe nuk besojnë. Ne u kemi varur në qafat e tyre pranga të cilat u arrijnë deri në nofulla, andaj ata mbesin me koka lart. Ne u kemi vënë edhe para tyre pendë edhe mbrapa tyre pendë dhe ua kemi mbuluar sytë, prandaj ata nuk shohin. Dhe për ata është e njëjtë, a ua tërhoqe vërejtjen a nuk ua tërhoqe, ata nuk besojnë. Ti ia tërheq vërejtjen vetëm atij që e përvetëson Kur’anin dhe i frikësohet Mëshiruesit edhe kur është vetëm (larg syve të njerëzve), pra përgëzoje atë me falje dhe shpërblim të mirë.” Jasin 7-11.

Shpjeguesi:Këto ajete janë për ata që ua kthejnë shpinën ajeteve të Allahut dhe fjalëve të Profetit alejhis-salatu ues- selam, ndërsa në fund të tij jepet përgëzimi për atë që e ndjek Kuranin dhe i frikësohet Rrahmanit, ky pra është dallimi mes dy grupimeve.

Autori: Dhe në mbyllje falënderimi i përket Allahut Zotit të botëve, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në ditën e gjykimit.

Shpjeguesi:Ai e mbylli këtë libërth me fjalët që e filloi, pra me falënderimin ndaj Allahut dhe salavatet ndaj Profetit alejhis-salatu ues- selam. Kjo është prej metodës së mirë në hartimin e shkrimeve sepse fillon dhe mbaron me lëvdata ndaj Allahut të Madhëruar.

Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të dërguarin e Tij, mësuesin e të mirës dhe thirrësin për tek Allahu, paqja qoftë mbi të, familjen, shokët dhe të gjithë ata që e ndjekin deri në ditën e Gjykimit. Në përfundim, të gjithë falënderimet dhe lëvdatat i takojnë Allahut Zotit të botëve.

Përktheu: Fatjon Isufi

 

Loading...